Kërko

 Papa me pjesëmarrësit në konferencën "Të ndreqësh të pandreqshmen” Papa me pjesëmarrësit në konferencën "Të ndreqësh të pandreqshmen”   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: Zoti qan, kur shpëdorohet dinjiteti njerëzor

Papa pret pjesëmarrësit në konferencën "Të ndreqësh të pandreqshmen” në 350-vjetorin e dukjeve të Jezusit në Paray-le-Monial dhe fton: dëshira e të krishterit për të shëruar një plagë të hapur, është diçka më shumë se një akt drejtësie: është akt bamirësie, që të ngushëllon dhe ta hap zemrën për ndjesë të thellë.

R. SH. - Vatikan

Lotët e vejushës “rrjedhin në faqet e Zotit”. Kornizë e fuqishme, fyerja e një njeriu të pambrojtur, që arrin të prekë edhe qiellin deri në atë pikë, sa të ngatërrohen lotët e Krijuesit, me ata të krijesës! Citimi është i Ben Sirakut të Urtit, skrib që jetoi dyqind vjet para Krishtit, të cilin Papa e citoi gjatë fjalimit drejtuar pjesëmarrësve në konferencën "Ndreqja e së pandreqshmes”, në 350-vjetorin e dukjeve të Jezusit në Paray- le-Monial. Me rastin e kremtimit të këtij përvjetori, Françesku kujtoi një praktikë "që sot - vërejti - mund të jetë disi e harruar ose e gjykuar gabimisht si e vjetëruar", atë të "ndreqjes" shpirtërore.

Ndreqni, në vend që të shpërbleni

Nga Bibla - tek Ungjilli, kujton Papa, shembujt janë të panumërt. Nëse në Testamendin e Vjetër ndreqja mori "përmasën shoqërore të shpërblimit për të keqen e kryer", me Jezusin që mbi kryq dhuron jetën për njerëzimin, dëmshpërblimi kontribuon "për pajtimin me njerëzit, por edhe me Zotin, sepse e keqja e kryer kundër të tjerëve është fyerje ndaj vetë Atit Hyjnor":

“Të dashur miq, sa lot rrjedhin ende mbi faqet e Zotit, ndërsa bota jonë jeton kaq shumë shpërdorime kundër dinjitetit të njeriut, edhe brenda Popullit të Zotit!”.

Akti i vullnetit, që ngushëllon

Për të krishterët - vijoi Papa – dy janë hapat që duhen bërë për të mjekuar një plagë të hapur: pranimi i fajit - dhe kërkimi i faljes. Nuk është – saktëson - "akt i thjeshtë drejtësie". Modeli është djali plangprishës, i cili kthehet tek babai i tij duke rrëfyer të keqen e kryer dhe duke premtuar se nuk do të mungojë dëmshpërblimi:

“Kërkimi i faljes rihap dialogun dhe tregon dëshirën për ta rivendosur lidhjen me frymë bamirësie vëllazërore. E dëmshpërblimi - qoftë edhe fillimi i tij ose thjesht vullneti për dëmshpërblim - garanton vërtetësinë e kërkesës për falje, manifeston thellësinë, sinqeritetin, prek zemrën e vëllait, e ngushëllon atë dhe e frymëzon ta pranojë faljen e kërkuar”

Përtej së pamundurës

Prandaj - nënvizoi Papa - "qëllimi për të ndrequr të pandrequrën dhe për ta bërë këtë konkretisht, është themelor për procesin e pajtimit dhe kthimin e paqes në zemër, edhe kur ndryshimi duket i pamundur, por gjithsesi na fton "të shpresojmë se çdo plagë mund të shërohet":

“Edhe nëse e shtrembëra nuk mund të drejtohet plotësisht, dashuria mund të rilindë gjithmonë, duke e bërë plagën të durueshme”.

 

04 maj 2024, 13:26