Kërko

Takimi në Fraterna Domus- Sacrofano Takimi në Fraterna Domus- Sacrofano

Famullitarët, në provë të sinodalitetit

Në Sacrofano, provincë e Romës, po zhvillohet një takim ndërkombëtar që nisi më 29 prill e do të vijojë deri më 2 maj, për t'u thelluar në temën e Sinodit të fundit në funksion të të ardhshmit. Kardinali Grech: të bashkëndash historitë e famullive me realitetin dhe humanizmin e tyre, do të thotë të kujtosh se Provania hyjnore "vijon ta shkruajë historinë e Kishës edhe sot"

R.SH. - Vatikan

Në gjysmë të rrugës ndërmjet dy takimeve në Vatikan -  të tetorit të kaluar dhe të atij të ardhshmit - që do të zhvillohet nga 2 deri më 27 tetor - u takon priftërinjve që e jetojnë në vijën e parë të frontit punën baritore, nëpër territoret që u janë besuar, ta masin veten me frymën, metodën dhe stilin e sinodalitetit. Janë famullitarë nga vende të ndryshme të botës, të cilët që dje, 29 prill, deri më 2 maj, po e diskutojnë këtë temë në Sacrofano, në provincën e Romës, për të shkuar në përfundim të punimeve në Vatikan e për t’u takuar me Papën, në Sallën e Re të Sinodit.

Kard. Grech: histori të papërsosura, por të vërteta

Gjatë hapjes së takimit ndërkombëtar,  përshëndetjet e para ishin të kardinajve. Sekretari i përgjithshëm i Sinodit, kardinali Mario Grech, duke folur për historitë njerëzore, në të cilat Krishti "është gjithmonë i pranishëm", kujtoi se janë "edhe histori të Zotit". Edhe historitë e famullive, ndonëse "mund të jenë jo të përsosura", histori të Zotit janë! Diskutimi i përbashkët rreth veprimtarisë së tyre bëhet ndihmë reciproke për të kuptuar se Provania Hyjnore "vijon ta shkruajë historinë e Kishës edhe sot". Takimi në Sacrofano - shtoi - synon të jetë çast i tregimit të historive të tilla, nga të cilat "mund të merret një mësim i mirë, apo të vizitohet ndonjë ekspozitë kushtuar sinodalitetit". Është vend, ku do të mund të procedojmë së bashku dhe të diskutojmë realitetin, jo "fantazinë" e përvojës së famullitarëve me bashkësitë e tyre.

Kard. Lazzaro: sinodaliteti, "talent" i Kishës sot

Nga ana e tij, Kardinali Lazzaro You Heung sik, prefekt i Dikasterit të Klerit, vuri në dukje aspektin e dëgjimit si protagonist i takimit, tipik për stilin sinodal. Këtë metodologji - kujtoi - e eksperimentuam kohët e fundit  kur, në fillim të shkurtit, organizuam në Vatikan një Kongres Ndërkombëtar për formimin e vazhdueshëm të priftërinjve. Duke u përqendruar mbi relacionet e shkurtra, komunikimin e praktikave të mira dhe më pas në bisedën në Shpirtin Shenjt në grupe të vogla, korrëm fryte befasuese". Para së gjithash - kujtoi - vijuam të punojmë në frymën e një vëllazërie "në të cilën gëzimi i ndjenjës së meshtarisë bëhej çdo ditë më i fortë", gjë që e ndihmoi secilin të kuptonte se çfarë mund të bëjë në mjedisin e tij, në bashkësinë e tij" - përsëriti kardinali. – Kjo e ndihmon Kishën të jetë në qendër të vëmendjes si në përmasën e bashkimit, ashtu edhe në atë të kumtimit të Ungjillit, falë "bashkëpërgjegjësisë", pa hequr “asgjë nga shërbimi i posaçëm, që jemi thirrur të kryejmë si barinj”, por përkundrazi, “duke shtuar e duke përmirësuar”. E ky “është talenti i madh që Shpirti Shenjt e vuri në duart tona e në kohën tonë”.

Atë Kosta: dokumenti-busull

Pas përshëndetjeve fillestare, ndërmjet të tjerëve, mikrofonin e mori Atë Giacomo Costa, sekretar i posaçëm i Sinodit të fundit, i cili u ndalua  tek Raporti përmbledhës, dokument themelor, bazë për takimin në Sacrofano. Rregulltari rikujtoi tri etapat e udhës sinodale, nga faza e këshillimit dhe e dëgjimit të Popullit të Zotit, deri tek dallimi i hapave që është e thirrur të bëjë Kisha, e deri tek zbatimi, kur do të jetë në dorën e Papës, për të treguar drejtimin që duhet marrë. E tashmë është vendosur edhe një linjë e parë e punës drejt seancës së tetorit të ardhshëm - vuri në dukje Atë Kosta - në lidhje me përgjigjen që i duhet dhënë pyetjes si duhet të jesh kishë sinodale në mision e çfarë mjetesh duhen përdorur në kontekste të ndryshme, duke vlerësuar origjinalitetin e çdo personi të pagëzuar në shpalljen e Krishtit.

Prej këndej, reflektimi mbi shërbesën e ipeshkvit dioqezan dhe të Konferencave Ipeshkvnore ose mbi marrëdhëniet ndërmjet sinodalitetit kishtar, kolegjialitetit ipeshkvnor dhe primatit të ipeshkvit të Romës. Nuk duhet harruar - përfundoi jezuiti - vëmendja që duhet t'i kushtohet të varfërve dhe atyre që mbeten në skajet e skutat e jetës komunitare.

30 prill 2024, 10:52