Kërko

Imzot Rino Fisichella Imzot Rino Fisichella

Fisichella: për Jubileun, Roma të jetë qytet që kumton paqen

I pranishëm në Forumin Adnkronos, proprefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin e Ri foli për Lindjen e Mesme, duke pohuar se diplomacia e Selisë së Shenjtë është gjithnjë e gatshme për ndihmë. Më pas, kryeipeshkvi kujtoi se prania e Papës në G7 do të jetë shtytje për ta vënë në qendër dinjitetin e njeriut. Për Vitin e Shenjtë, parashikoi, do të ketë gjeste konkrete nga Papa. E duke cekur ditën e punës, nënvizoi se një ekonomi pa etikë, çon në dhunë

R.SH. - Vatikan

Roma duhet të bëhet qytet i shpalljes së paqes me rastin e Jubileut: kjo është shpresa e imzot Rino Fisichellës, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin e Ri, i cili foli dje në Romë, në Forumin Adnkronos, në Pallatin e Informimit, seli e Agjencisë së Shtypit. Kryeipeshkvi trajtoi tema të ndryshme, nga kriza në Lindjen e Mesme, tek pjesëmarrja e Papës Françesku në G7; nga Viti Shenjt i ardhshëm, tek teologjia pop, pra tek rinisja e Ungjillit dhe mesazhi i tij përmes gjuhës së të rinjve, të muzikës pop, të kinemasë, teatrit, artit.

Situata në Lindjen e Mesme

Duke folur për Izraelin dhe Palestinën, Imzot Fisichella kujtoi se kohët e fundit u ndal para ullirit të mbjellë nga Papa Françesku së bashku me Abu Mazen dhe Shimon Peres dhe se pa sa ishte rritur, edhe pse sot jetojmë në një situatë që i kundërvihet gjestit simbolik, pa harruar se diplomacia e Selisë së Shenjtë është gjithnjë e gatshme për ndihmë.

Papa Françesku në G7

Përsa i përket fjalimit të Françeskut në takimin e G7 kushtuar Inteligjencës Artificiale, për prelatin do të jetë një provokim që t'i shtyjë qeveritë të kuptojnë para së gjithash se çështja do të prekë gjithnjë e më shumë jetën e njerëzve dhe se do të nevojiten rregulla të sakta. Pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillizimin e Ri beson se vetë koncepti i njeriut është në rrezik, se inteligjenca artificiale duhet të konsiderohet në kontekstin më të gjerë të kulturës dixhitale dhe kibernetike dhe se gjithçka që përdor është e listuar në Bursë dhe ka pasoja mbi jetën sociale dhe personale, prandaj prania e Papës në G7 do të jetë përpjekje për ta vënë sërish në qendër dinjitetin e njeriut.

Jubileu i vitit 2025

Lidhur me jubileun, Imzot Fisichella, parashikoi se Papa do të bëjë gjeste ndaj të burgosurve dhe se, në fund të Vitit Shenjt, do të ketë edhe një akt konkret bamirësie për të mirën e Sirisë, ku vijon një luftë e harruar, e ndezur prej trembëdhjetë vjetësh. Kushdo dëshiron të kalojë Derën Shenjte do të duhet të regjistrohet në kartën e shtegtarit – shpjegoi më pas prelati - e kjo, për të garantuar një vizitë të mirë për të gjithë, pa tubime të tepërta e pa probleme sigurie. Mijëra regjistrime kanë mbërritur tashmë dhe makina organizative hamendëson ardhjen e 32 milionë njerëzve, nga të cilët më shumë se 2 milionë e gjysmë nga Shtetet e Bashkuara dhe 900 mijë nga Gjermania. Priten edhe shumë pjesëmarrje nga Amerika e Jugut.

Përsa i përket punimeve përgatitore të Romës për Jubileun, pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin e Ri u ndal tek ato që prekin Piazza Pia-n, në krye të Via della Conciliazione, një hedhje guri larg Castel Sant'Angelos, dhe pohoi me besim se do të përfundojnë brenda kornizës kohore të pritur. Data e dorëzimit të Sheshit të ri, i cili do të jetë afërsisht 7 mijë metra katrore, është 8 dhjetori. Për Imzot Fisichelën e rëndësishme është të respektohet lashtësia e Castel Sant'Angelo-s dhe baroku i Piazza San Pietro me kolonadën e Berninit. Veprat në Piazza Pia, shtoi, janë më përfaqësueset e Jubileut dhe më komplekset për t'u realizuar. Gërmimi i tunelit tashmë ka filluar dhe kantieri, shpjegoi ai, është punë inxhinierike e nivelit shumë të lartë, e projektuar për zhvendosjen e dy kolektorëve të mëdhenj të kanalizimeve dhe ndërtimin e një të riu, shumë më të madh. Një ekonomi etike

Duke kujtuar festën e 1 Majit, imzot Fisichella nënvizoi, më pas, se një ekonomi pa etikë çon në mënyrë të pashmangshme në dhunë, si për vdekjet në punë, ashtu edhe për vetë dinjitetin e punëtorit. Nuk është etike një ekonomi që nuk respekton cilësitë specifike profesionale të punëtorit - vazhdoi prelati - që nuk e respekton klientin, që i jep më shumë vlerë makinës sesa njeriut, sepse është ekonomi që synon vetëm dhe ekskluzivisht fitimin. Ajo tashmë e përjashton veten nga çdo mjet shoqëror   dhe i bie ndesh vetë kriterit të shoqërisë.

Gjuhë të reja, për të folur me të rinjtë

Së fundi, për pop theology, si formë e re ungjillizimi, mendimi i proprefektit të Dikasterit të Ungjillizimit të Ri është se të rinjtë nuk duhet të tërhiqen nga mashtrimet, por nga serioziteti i propozimit të bërë, shpalljes së Jezu Krishtit. Imzot Fisichela mendon se duhen forma të reja komunikimi për të folur me brezat e rinj, të cilët janë gjithnjë e më socialë dhe të larguar nga gjuha e kishës, ndaj duhet gjetur një gjuhë e re për t'u folur atyre për Jezu Krishtin. Kisha duhet të jetë koherente me vetveten sepse çka propozon është kuptimi i jetës. Teologjia, saktësoi, është përpjekja për të kuptuar më shumë misterin e fesë, është inteligjenca kritike, e cila vihet para misterit duke u përpjekur t’i shpjegojë arsyet, psenë e misterit në jetën tonë. Ndër të tjera, përfundoi ai, teologu pranon se ekziston edhe përshpirtëria popullore, që ka po aq nevojë për inteligjencë.

02 maj 2024, 11:27