Kërko

Ndër Kopshtet e Vatikanit, duke u lutur me Marinë për paqen në botë

Për muajin maj, kushtuar Zojës, çdo të mërkurë dhe të shtunë Muzetë e Vatikanit propozojnë një vizitë kushtuar përshpirtërisë mariane, në gjirin e bukurisë së Kopshteve të Papës: duke soditur natyrën dhe artin, dëgjojmë mesazhin shpirtëror të Zojës, e cila na kujton se e vetmja mënyrë për të ndaluar luftën, është ajo e faljes

R.SH. - Vatikan

"E vetmja mënyrë për ta ndaluar luftën, është falja!". I fuqishëm  dhe i qartë, mesazhi i Virgjërës Mari, e cila gjatë gjithë historisë i flet njerëzimit për planin e saj të shëlbimit. Në Fatima, për shembull, duke iu dukur tre barinjve të vegjël, u dorëzoi një "plan të mirëfilltë paqeje": e ftoi botën të lutet, të kthehet tek Ungjilli, t'i kushtohet Zemrës së saj të Papërlyer.

Lutja për paqe

Një itinerar më aktual se kurrë, nëse mendojmë për skenarët e ndryshëm në botë - ku  vringëllima e armëve nuk pushon - kujtuar të dielën e kaluar nga Papa Françesku në lutjen e Mbretëreshës Qiellore gjatë vizitës së tij baritore në Venecia, më 28 prillin e kaluar.

Papët e kanë kujtuar gjithnjë rëndësinë dhe fuqinë e lutjes për paqen. Në këtë drejtim mund të ndihmojë me të drejtë edhe nisma "Maji me Marinë", e cila, e organizuar nga Muzetë e Vatikanit çdo të mërkurë dhe të shtunë, u ofron vizitorëve mundësinë për të soditur bukurinë e Kopshteve të Vatikanit duke soditur figuret e ndryshme mariane, të pranishme ndër ta.

E mërkura dhe e shtuna

"Në muajin Marian - shpjegon për Vatican News Motra Emanuela Edwards, drejtuese e Zyrës së Veprimtarive Arsimore të Muzeve të Vatikanit - të mërkurën, shtegtarët ftohen të bashkohen me ne pas audiencës papnore për këtë hapje të jashtëzakonshme të Kopshteve, në nderim të Zojës Mari. E edhe të shtunën në mëngjes, ditë e fundjavës që tradicionalisht i kushtohet Marisë, vizitorët mund të përfitojnë nga ky shtegtim i paharrueshëm".

 Mbretëresha e Paqes

“Maji me Marinë - vazhdon murgesha - është vizitë që parashikon 10 ndalesa para po aq shtatoreve dhe pikturave të famshme të Zojës Bekueme, duke  kujtuar gjatë kësaj kohe përplot me tensione, të lutemi për paqen në botë para çdo Figureje Mariane. Vlen të kujtojmë se në kopshte ka 27 vepra të ndryshme arti kushtuar Zojës, aq sa mund të themi me të drejtë se këto janë kopshtet e saj. Maria është “Mbretëresha e Paqes”, ndaj është e drejtë të lutemi në këtë mënyrë për paqen në botë”.

Shpella e Lourdes në Kopshtet e Vatikanit
Shpella e Lourdes në Kopshtet e Vatikanit

Lutja e Françeskut për paqen në botë

Figuret Mariane të propozuara në turneun "Maji me Marinë" lidhen me përkushtimin e njerëzve që i drejtuan Virgjërës Mari në kohë lufte lutjet më të zjarrta për paqen. Lidhur me Zonjën e Fatimes dhe konfliktin në Ukrainë, motra Emanuela kujton:

“Papa Françesku e ndoqi thirrjen e Fatimes, duke ia kushtuar kauzën e paqes Mbretëreshës së Paqes. Gjatë vizitës sonë ne themi të njëjtën lutje përpara shtatores së Zojës së Fatimes, duke u bashkuar me ndjetet e Atit të Shenjtë”.

Zoja e Mëshirës në Kopshtet e Vatikanit
Zoja e Mëshirës në Kopshtet e Vatikanit

Mëshira, rruga drejt paqes së qëndrueshme

Duke ecur nëpër Kopshtet e Vatikanit, ndeshim një shembull tjetër të ndërmjetësimit marian në favor të paqes: atë të Zojës së Mëshirës, krijuar nga Renata Minuto në hyrje të Shtëpisë së Leonit XIII, në Vatikan. “Zoja - kujton kryetarja e Zyrës së Veprimtarive Didaktike të Muzeumeve të Vatikanit  - iu duk fermerit Antonio Botta, në vitin 1536. Në atë periudhë Savona po mblidhte të gjitha forcat e saj në luftë kundër Republikës së Gjenovës. Maria u duk për t’i ftuar të dyja palët të punojnë për paqen, jo të luftojnë për luftën, duke i nxitur të përdorin mëshirën dhe jo drejtësinë, e duke i dhënë kështu fund konfliktit. Duke u dukur si Zoja e Mëshirës, ​​Nëna jonë na mëson sesi mund ta sigurojmë paqen e qëndrueshme. E këtë dëshiron që ta kujtojmë sot në botën e në jetën tonë të rrënuar nga lufta. E vetmja mënyrë për ta ndalur luftën, është falja!”.

E, diçka që nuk duhet harruar, nëse e nisim këtë vizitë, nuk duhet harruar se atje do të takojmë Dikënd, që e njohim mirë, Zojen tonë të Këshillit të Mirë, pajtoren qiellore të popullit shqiptar!

Zoja e Rojes, në Kopshtet e Vatikanit
Zoja e Rojes, në Kopshtet e Vatikanit

Përshpirtëria e Kopshteve të Vatikanit

Natyra, burimet, punëdoret e lashta, shtatoret e Virgjërës dhe shenjtorëve krijojnë atë, që mund ta quajmë "përshpirtëria e Kopshteve të Vatikanit", strehë lutjeje dhe soditjeje, e vlerësuar dhe e jetuar nga Pasardhësi i Pjetrit. “Në këtë vend të bukur, Papët, si Gjoni II dhe Benedikti XVI, e kishin zakon të bënin një shëtitje të përditshme si çast pushimi e lutjeje.

Papa Françesku, si paraardhësit e tij, i zbukuroi kopshtet me një shtatore të Virgjëreshës së Lujanit, të bërë nga materiale të ricikluara, për të na kujtuar se asgjë nuk duhet të humbasë, asgjë të flaket tutje, sepse gjithçka ka kuptim brenda veprës madhështore të Zotit. Mund të themi se, figurativisht, kopshtet pasqyrojnë edhe mësimet e Papëve, gjë që na përcjell edhe një mesazh tjetër të rëndësishëm”.

Kopshtet e Vatikanit

Vizitat që shënohen në faqen e internetit të Muzeut të Vatikanit, janë të hapura për të gjithë, duke përfshirë familjet me fëmijë ose personat me aftësi të kufizuara shqisore, motorike dhe intelektuale, të cilët mund të përfitojnë nga rezervimi në adresën e emailit Education.musei@scv.va.

02 maj 2024, 11:33