Don Dominik Qerimi: GJERGJ KASTRIOTI - SKËNDERBEU E ÇËSHTJA FETARE
R.SH. - Vatikan
Në kuadrin e Vitit Jubilar të 550-vjetorit të vdekjes së heroit të kombit shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, po propozojmë një shkrim-reflektim të salezianin shqiptar don Dominik Qerimi mbi një aspekt të veçantë, atë të çështjes fetare në jetën e veprën e Gjergj Kastriotit.
Don Dominik Qerimi: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu dhe çështja fetare
Një nga parimet themelore të të bërit histori është të mos gjykohet dhe interpretohet e kaluara me mentalitetin dhe kategoritë e së tashmes, por duhet bërë gjithmonë ‘sitz in Leben’ të çdo çështjeje, ngjarjeje, apo personi historik, që me fjalë tjera do të thotë: të vendoset çdo ndodhi, teksti apo objekti, në kontekstin dhe rrethanat e kohës në të cilën ajo gjë ka ndodhur, është thënë, shkruar apo krijuar.
Në hapësirën dhe kohën në të cilën jetojmë, jemi të mësuar në mënyrë të natyrshme të bëjmë dallimin e qartë mes pushtetit politik dhe fesë. Megjithatë ne e dimë se gjatë historisë kjo çështje ka qenë shumë e ndërlikuar dhe në shumë vende të botës kjo çështje ende nuk është e qartësuar në tërësi edhe pse sot jemi në shek. XXI (shih. botën islame në përgjithësi dhe shumë vende të botës ortodokse).
Edhe kontinenti Evropa, që është pioniere në këtë fushë, është dashur të presë shekullin XVII që të mbërrijë një teori të plotë të ndarjes mes Shtetit dhe Kishës: Në Letrën mbi tolerancën (1689) të filozofit anglez John Lock dallohet Shteti si “shoqëri e njerëzve e themeluar për të ruajtur dhe zhvilluar vetëm të mirat shoqërore” siç janë jeta, liria, prona, etj.; ndërsa Kisha si “shoqëri e lirë e njerëzve që mblidhen në mënyrë spontane për të nderuar publikisht Zotin dhe për të mbërritur shpëtimin e shpirtit”.
Ndarja e këtyre dy pushteteve ka mbërritur nderi në atë pikë sa, në Revolucionin Francez ka mbërritur kulmin e saj, duke e vënë Shtetin dhe Kishën si dy pushtete armiqësore mes tyre. Ide e mbështetur dhe e çuar në ekstrem në kohën e regjimit komunist. Pavarësisht ekstremeve që ka mbërritur interpretimi i këtyre dy pushteteve dhe dëmeve të pariparueshme që janë bërë në emër të këtij dallimi, prapë se prapë në shoqëritë dhe kulturën Perëndimore, të ndërtuar mbi themelet e historisë, filozofisë, botëkuptimit dhe qytetërimit të krishterë, sot ekziston një ide mjaft e qartë e kësaj ndarjeje, megjithëse çdo shtet e ka të rregulluar në mënyrë të ndryshme marrëdhënien e ‘institucioneve dhe pushtetit fetar dhe civil/laik’, përmes kushtetutave përkatëse.
Megjithatë duhet të kemi të qartë se për botëkuptimin e një epokë, siç ishte ajo e fundit të mesjetës një dallim i tillë është i pamundur dhe i pakuptimtë. Në periudhën në të cilën ka jetuar dhe vepruar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu (GjKS) çështja e fesë ishte pjesë e pandashme nga çështjet tjera të jetës së çdo të perandorive, mbretërie, principate, fisi, familjeje dhe çdo personi në jetën e tij private. Andaj, bëhet fjalë për një kohë, në të cilën feja dhe marrëdhënia e njeriut me Zotin ishte pjesë e pandashme e jetës së përditshme, qoftë asaj individuale qoftë asaj shoqërore dhe politike.
Në lidhje me çështjen fetare në jetën dhe veprën e GjKS, do doja të filloja duke bërë një ‘excursus’ (përshkim) të shkurtër historik, për të parë se si në periudhat e ndryshme të historisë është trajtuar çështja fetare në jetën dhe veprën e tij. Jeta dhe vepra GjKS gjatë historisë, është trajtuar në mënyra të ndryshme në kohë dhe hapësira të ndryshme:
1. Gjatë kohës në të cilën ai ka jetuar dhe vepruar - çështja fetare është parë nga tre këndvështrime themelore: këndvështrimi vendor (arbëror), osman dhe i krishterë.
a. Sipas këndvështrimit vendor (arbëror) jeta dhe vepra e GJKS ishte në të njëjtën kohë mbrojtje e tokës/pasurisë; mbrojtje e popullit, lirisë e kulturës dhe mbrojtje e fesë, meqë vendi dhe kultura e popujve ‘shqiptar’ ishte e ndërtuar tashmë katërmbëdhjetë shekuj mbi botëkuptimit, filozofinë, kulturën e krishterë. Andaj, për popullin e arbrit, pavarësisht cilës hapësirë dhe cilës principatë i përkisnin, të mbrosh atdheun/tokën, të mbrosh lirinë, kulturën dhe gjuhën dhe të mbrosh fenë e krishterë ishte e njëjta gjë, sepse në atë kohë besimi islam ishte një element tërësisht ‘alien – i huaj’ për ta dhe si i tillë do mbetet, deri pas mesit të shekullit XVII kur fillojnë konvertimet e mëdha në popullin shqiptar.
b. Sipas qëndrimit osman ndaj çështjes fetare në jetën dhe veprimtarinë e GjKS ai shihej si: ‘Iskenderi sojkeq’ (siç e quan atë kronisti osman Hoxha Sadeddini); ai që “i verbuar nga krenaria e gaboi rrugën e tij”; “armiku i përbetuar i Allahut”, “bukëshkalë”, apostaz - femohues dhe epitete tjera përmes së cilave theksohej mosmirënjohja dhe tradhtia që GjKS i kishte bërë pushtetit të sulltanit, perandorisë osmane dh fesë së vetme të vërtetë, siç ishte sipas tyre feja islame. Se si ishte parë GjKS nga osmanët më së miri na e ilustron historiani Kinross në shkrimin e tij sipas të cilit Sulltan Mehmeti II, me të marrë vesh se GjKS kishte vdekur shpreh kështu mendimin e tij: “Më në fund Evropa e Azia janë të miat tani. I mjerë krishterimi! Sot ka humbur shpatën dhe mburojën e tij!” Andaj nuk ka asnjë mëdyshje se GjKS nga ana e osmanëve, shihej njëkohësisht si mbrojtës i Evropës dhe krishterimit në të njëjtën kohë dhe në mënyrë të pandashme.
c. Nga ana tjetër, bota e krishterë, qoftë ajo e Kishës Perëndimore me qendër në Romë, qoftë ajo e Kishës lindore e pranishme veçanërisht te popujt sllavo dhe grek, por me qendër në Kostandinopojë (edhe për disa vite) e shihnin GjKS, jetën dhe veprimtarinë e tij si një “Atleta Christi - atlet i Krishtit” (ushtar, mbrojtës, luftëtar i Krishtit), “gjeneral i guximshëm”, mbrojtës i Evropës, mbrojtës i fesë së krishterë dhe i qytetërimit evropian në të njëjtën kohë, që në atë kohë do të thoshte qytetërim i krishterë katolik.
Edhe në këtë pikë mendoj se disa citate na ndihmojnë të qartësojmë më shumë këtë çështje: Më 12 korrik 1447, papa Nikolla V, dërgoi Antonio de Oliveton si nunc apostolik bashkë me bulën papnore në të cilën porosiste që të përpiqej për të bindur besnikët e krishterë që t’i jepnin “birit të dashur, burrit fisnik, Gjergj Kastriotit, zot në Shqipëri përkrahje dhe ndihmë kundër turqve.” Në letrën e tij të shkruar më 28 dhjetor 1457, papa Kalisti III e quan kështu GJKS “Mbrojtësi i krishterimit dhe kapiten i përgjithshëm i Selisë së shenjtë!” Ndërkohë që pasardhësi i Kalistit II, Piu II kështu shpreh bindjen e tij për GJKS: “Georgius Scanderbechius… qui aetatem paene omnem in armis pro Christi nomine consumpsit… - Ai, (Skënderbeu) konsumoi gjithë jetën e vet duke luftuar për kauzën e krishterë!” (Noli, 74)
Mendoj se në atë kohë ishte krejtësisht e natyrshme që mbretëritë Evropiane të identifikoheshin në mënyrë të natyrshme me krishterimin, sepse të tillë ishin, dhe ishte krejtësisht e natyrshme të identifikoje Perandorinë osmane me islamin, sepse e tillë ishte: edhe njëra edhe tjetra kishin ndërtuar botëkuptimin e organizmit shtetëror, shoqëror, familjar dhe individual të mbështetur njëra në parimet e krishterimit e tjetër në parimet e islamit.
Andaj të luftosh një mbretëri evropiane do të thoshte të luftosh një mbretëri të krishterë dhe anasjelltas, të luftosh perandorinë osmane do të thoshte të luftosh një perandori islame. Duke kujtuar se perandoritë dhe mbretëritë e asaj kohe nuk mbështeteshin vetëm në elementin etnik – e aq më pak kombëtar, meqë çështja kombëtare ende nuk kishte lindur – dhe se perandoritë, mbretëritë dhe principatat e asaj kohe shumë herë përbëheshin nga popuj me gjuhë, racë dhe etni shumë të ndryshme nga njëra tjetër (mjafton të kujtojmë këtu ‘konglomeratin e etnive dhe popujve të panumërt që përbënin perandorinë osmane). Elementi fetar, bashkë me atë ekonomik, territorial dhe fisnor ishin elementet më të forta unifikuese asaj perandorie, mbretëri apo principate.
Në këtë prizëm mendoj se duhet parë edhe gjestin e zhvarrimit të GJKS në vitin 1478, pas pushtimit të Lezhës. Është e sigurt se zhvarrimi i trupit të tij nuk ishte për t’i bërë një nderë (siç theksohet shumë herë duke e nxjerrë nga konteksti shkrimin e Barletit dhe rastin e marrjes së eshtrave të tija për t’i mbajtur si amulet/hajmali), por për ta përdhosur atë, që për 25 vite nuk i ishte nënshtruar perandorisë osmane dhe fesë islame në të njëjtën kohë.
2. Pas vdekjes së GJKS
a. Nga njëra anë në Evropë, në atë që për shekuj është quajtur Imperium Christianum (nga viti 800, kurorëzimi i Karlit të madh deri në vitin 1806, luftërat e Napolonit) kanë filluar të shkruajnë për të dhe ta paraqesin atë si shembull dhe nxitje për të mbrojtur qytetërimin evropian, qytetërimin e krishterë. Kjo gjë është theksuar edhe më shumë në fundin e shek. XVII. Me afrimin e Sulejmanit të mardhërishëm dhe gjeneralit të tij të famshëm Kara Mustafë Pashës, pranë dyerve të Vjenës (krh. Betejën e rrethimit të Vjenës, viti1683), interesi për jetën dhe veprimtarinë e GjKS është rritur gjithnjë ndjeshëm, aq sa në mbarë botën janë shkrua biografi, drama, romane, tragjedi, komedi, legjenda, gojëdhënë... Janë kompozuar poezi, këngë, opera... Janë punuar piktura, skulptura, monumente... Janë emëruar rrugë, sheshe, objekte kulturore... aq shumë sa janë të pakët ato figura historike për të cilat është shkruar dhe krijuar më shumë.
b. Ndërkohë që në hapësirën shqiptare të pushtuar tashmë nga perandoria osmane, populli është munduar ta mbajë të gjallë kujtimin e tij, më shumë në formën gojore, folklor, traditë... ndërkohë që pushteti është munduar ta shuaj çdo gjurmë që do mund të kujtonte atë dhe luftën e tij anti-osmane, andaj anti-islame. Deri në kohën e Rilindjes kombëtare, figura e GJKS në vendin tonë është munduar të mbahet krejtësisht në heshtje, me shpresën se do shuhej në tërësi. Në hapësirën ‘shqiptare’ të mërgatës, në veçanti te arbëreshët e jugut të Italisë, kujtimi i jetës dhe të bëmave të GjKS nuk është shuar kurrë, por është përtërirë me studime, shkrime, krijime, folklor, kremtime liturgjike, etj.
3. Në kohën Rilindjes kombëtare dhe të pavarësisë - ka filluar të kthehet në pah personi dhe veprat e GjKS edhe në vendin tonë, duke filluar nga shqiptarët e mërgatës, por i është dhënë shumë herë theks të veçantë dhe ekskluziv çështjes kombëtare, popullit dhe gjuhës shqipe; mos të harrojmë se rilindja kombëtare ka ndodhur në një periudhë kur ne ishin ende nën pushtimin osman, madje në kulmin e ndikimit të këtij pushtimi, andaj çështja fetare është prekur pak, shumë pak, dhe vetëm nga ata rilindës që kanë jetuar në ‘përtej-det’.
Në kohën periudhën e pavarësisë dhe të tranzicioneve të shumta të pushtetit: figura dhe flamuri i tij janë parë si element thelbësor dhe frymëzues, andaj dikush ka theksuar luftën e pavarësisë së tij nga pushtuesit osman; dikush tjetër e ka theksuar figurën e tij mbretërore, për të mbështetur pushtetin monarkik, etj.;
4. Në periudhën komuniste - është theksuar aspekti popullor dhe gjithë përfshirja e klasës punëtore, popullit të thjeshtë në luftën dhe rezistencën anti-osmane. Aq i madh ka qenë aversiteti ndaj çdo çështjeje fetare, saqë pjesa e madhe e historianëve dhe krijimtarëve e kanë parë si një ‘tabu’ trajtimin e çështjes fetare të çdo lloji, aq më shumë të një figure historike dhe heroike siç ishte GjKS. I vetmi rast në të cilin është trajtuar çështja fetare në jetën dhe veprimtarinë e GjKS ka qenë për të theksuar ‘mungesën e ndihmës nga ana e papatit’ dhe ‘hipokrizinë me të cilën Selia e Shenjtë e ka trajtuar GJKS dhe kauzën e tij, duke i thurur lavde nga njëra anë, por nga ana tjetër duke e lënë në baltë në momentet më të rëndësishme të jetës së tij. Nuk mendoj se ka nevojë që këtu të argumentoj arsyen pse është bërë një gjë e tillë, duke pas para sysh se edhe sot e kësaj dite ne vuajmë pasojat e një ideologjie dhe regjimi i cili ishte sa ateist aq edhe antiteist.
5. Në periudhën pas rënies së komunizmit dhe asaj të pasluftës në Kosovë - me ngritjen e disa çarqeve dhe rrymave me nostalgji filo-osmane dhe me prirje filo-islamike, nga njëra anë janë munduar ta paraqesin GjKS vetëm në aspektin luftës së tij në mbrojtje të krishterimit – me qëllimin e vetëm që të nxiten të gjithë shqiptarët që janë të besimit osman ta refuzojnë figurën e tij si hero kombëtar, duke dashur të bindin të gjithë se GjKS nuk ka luftuar për kombin shqiptar, por vetëm në mbrojtje të krishterimit dhe si armik i islamit. E gjithë kjo, nuk është bërë dhe nuk bëhet për të paraqitur ‘realitetin dhe të vërtetën e motiveve të luftës së GjKS’, por e gjithë kjo është vetëm një ‘preludium - hyrje’ për t’i nxitur shqiptarët e besimit islam, veçanërisht ata të Kosovës dhe të Maqedonisë, që ta mohojnë se GjKS është heroi i tyre. Për ta bërë këtë janë thirrur dhe vazhdojnë të thirren në pretekstin se, GjKS ka luftuar vetëm për shkaqe fetare, për mbrojtën e krishterimit dhe për zhdukjen e islamit: sepse ai ka mohuar fenë islame (andaj është femohues, apostaz që sipas mësimit kuranor dhe ligjit të sheriatit meriton vdekjen); sepse ai ka vrarë mysliman; se në atë kohë nuk ka ekzistuar kombi, andaj nuk mund të ketë luftuar për kombin shqiptar. Nga njëra anë është e vërtetë se nuk ka ekzistuar koncepti i kombit siç e kemi the e njohim sot - por ka ekzistuar gjithmonë koncepti i etnisë, i popullit, i pasardhësisë dhe lidhjes së gjakut, familjes, fisit; i traditës, i historisë së përbashkët, i gjuhës, etj. që janë pjesë përbërëse, thelbësore dhe të pandashme me konceptin e kombit.
Mendimi im, si studiues dhe ligjërues i historisë
Nuk duhet harruar se në kohën kur ka jetuar dhe vepruar GJKS çështja fetare ishte çështje thelbësore e jetës së përditshme qoftë asaj shoqërore, qoftë asaj familjare, qoftë asaj individuale. Sipas J. M. Robert, 177), “Në ato vite të devocionit të thellë fetar, ‘Feja ishte vetë qëllimi i jetës!’” (J.M.Roberts, l77). Në mesjetë perandoritë, mbretëritë, principatat, popujt, fiset, familjet janë identifikuar me një gjuhë, me një territor, me lidhjen e gjakut dhe me një fe. T’i përkasësh një feje nuk ishte një element dytësor apo i parëndësishëm, por në të vërtetë tregonte edhe përkatësinë dhe identitetin e një shoqërie dhe një personi. E dimë mirë se shumë herë njerëzit është dashur të ndryshojnë fenë e tyre për t’u bërë pjesë e një perandorie, mbretërie apo principate. Në këtë periudhë kohore mbizotëronte shumë parimi ‘Cuius regio, eius religio’ – I atij që është pushteti, i atij është edhe feja’. Andaj të thuash se në mesjetë elementi fetar ishte i parëndësishëm për një gjeneral, princ apo mbret, siç ishte GjKS, është një e padrejtë, sa themelore aq qesharake, që i bëhet epokës në të cilën ai ka jetuar, popullit, tokës dhe kulturës që ka mbrojtur.
Nuk duhet harruar assesi faktin se krishterimi ka qenë i pranishëm në trevat shqiptare që nga fundi i shekullit të parë, dhe në shekullin e katërt, në Koncilin e Nikesë (viti 325) dhe të Sardikës (viti 343) ne e shohim kishën shumë të konsoliduar, meqë në këto dy koncile kanë marrë pjesë 8 ipeshkvij iliro/dardan. Nuk duhet harruar se me ardhjen e perandorisë osmane në trevat Arbnore ekzistonin rreth 43 ipeshkvij/peshkopata të krishtera. Të gjitha këto e shumë, shumë tjera, dëshmojnë identiteti i popullit shqiptar, historia, kultura, tradita, arti, politika, ekonomia... ishin të gjitha të lidhura ngushtë me elementi fetar të krishterë (ku me ndikim të Kishës lindore të Kostandinopojës e ku në ndikimin e Kishës perëndimore të Romës) tash 15 shekuj. Megjithatë në shekullin XV, pas luftërave dhe peripecive të mëdha mes principatave me të krishterë katolik dhe atyre me të krishterë ortodoks, në kohën e GjKS pjesa më e madhe e hapësirës dhe principatave arbërore ishin të bashkuar me kishën perëndimore të Romës, me kishën katolike. Andaj, është e pamundur dhe, më lejoni të them ‘paksa qesharake’ - të thuash se për një popull që ka ndërtuar historinë e tij për 14 shekuj mbi kulturën filozofinë dhe konceptin e shoqërisë dhe të individit që ka besimi i krishterë, elementi fetar ishte një element i parëndësishëm. Çdo argument dhe fakt historik e kundërshton këtë gjë.
Ajo që dua të them është se feja në përgjithësi, dhe besimi i krishterë më saktësisht, ka qenë dhe është element jo vetëm i rëndësishëm, por thelbësor i jetës dhe veprës së GjKS. Por kuptohet jo i vetmi element dhe jo i vetmi motivim, sepse jam i bindur se aq sa ka luftuar për të mbrojtur kauzën e krishterë, aq ka luftuar për të mbrojtur edhe tokën dhe pronat e tij, tokën dhe pronat e babait të tij; lirinë e familjes, të afërmeve, principatës dhe popullit të tij; traditën, kulturën, gjuhën dhe historinë e vendit të tij. Është e padrejtë, është e padrejtë historike që të thuhet se GjKS ka luftuar vetëm për një motiv/arsye. Dhe është pothuajse e pamundur që sot të themi me saktësi, siç duan të bëjnë disa pseudo-historian, se cili ka qenë motivi dhe arsyeja kryesore që e ka shtyrë GjKS të jetë ai që ka qenë dhe të bëjë atë që ka bërë.
E gjithë ajo që ne mund të bëjmë është të studiojmë dhe të ri zbulojmë atë pafundësi të dëshmive dhe të dokumenteve që ende gjenden nëpër arkivat e shteteve të ndryshme dhe të paraqesim me objektivitetin më të madh të mundshëm dëshmitë dhe faktet mbi atë që ai ka qenë dhe ka bërë. Pastaj i mbetet çdo personi që të shqyrtojë ato fakte dhe të përcaktohet se, sipas tij, cilat janë argumentet dhe faktet bindëse dhe cilat jo.
Si studiues dhe ligjërues i historisë më duhet të pohoj se një trajtim të vërtetë shkencor duhet paraqitur me objektivitetin më të madh tezën e antitezën e teorive shkencore dhe nga objektiviteti i trajtimit të këtyre dy të parave, mund të arrihet sinteza e vërtetë dhe shkencore. Sa më me objektivitet dhe vërtetësi paraqitet teza dhe antiteza, aq më shumë objektivitet dhe besueshmëri ka sinteza.
Në vijim po paraqes disa të dhëna, disa fakte historike të cilat do doja që kushto të jetë i interesuar për më shumë të shkojë dhe t’i verifikojë dhe përcaktimin apo sintezën përfundimtare ua lë juve. Do përpiqem të përgjigjem në dy pyetje të ndërlidhura dhe të pandashme, për a i përket çështjes fetare në jetën e GjKS: A kishte rëndësi të madhe për të feja, apo ai e ka përdorur/shfrytëzuar çështjen fetare si një mjet të dobishëm për të bëra atë që ka bërë? Dhe: Cilit besim i përkiste në të vërtetë GjKS?
Veçanërisht në dhjetë vitet e fundit, jemi duke asistuar në disa debate mediatike të atyre që si kundërpërgjigje kanë kaluar në tre ekstreme, për sa i përket rëndësisë së fesë në jetën dhe veprimtarinë e GjKS:
1. Relativistët dhe sinkretistët - Çështjen fetare në jetën e GjKS janë munduar ta minimizojnë deri në atë pikë, sa ta anashkalojnë krejtësisht në trajtimin që i kanë bërë atij. Një grup studiuesish kësaj çështje i kanë dhënë aq pak hapësirë dhe rëndësi, sa nuk e trajtojnë aspak si çështje, apo në disa raste e trajtojnë atë nganjëherë në mënyrë shumë të përciptë, e shumë herë në mënyrë përbuzëse. Andaj sipas qëndrimit të tyre, çështja fetare në jetën e GjKS nuk ekziston dhe nuk duhet t ekzistojë fare. Sipas tyre janë të tjerët ata që GjKS, jetës dhe veprave të tij, i kanë dhënë ngjyra fetare e jo ai vetë. Janë të gjithë ata që relativizojnë rëndësinë e fesë në jetën e GjKS, sepse ata relativizojnë çështjen fetare dhe në jetën e tyre.
Në po të njëjtën rrymë ecin edhe sinkretistët - ata njerëz të cilët përpiqen që në çdo mënyrë të bëjnë një shkrirje të të gjitha feve në një dhe të krijojnë një lloj bindje fetare të përgjithshme, të krijojnë një fe universale që bashkon dhe barasvlerëson të gjitha besimet. Janë ata të cilët kanë slogan të tyre ‘të gjitha fetë janë njësoj’.
2. Çmitizuesit – një grup ‘studiuesish’ që kanë shpallur për mision të tyre shkencor çmitizimin e figurës së GjKS, duke u thirrur në një shkencë moderne të historisë dhe historiografisë dhe duke u shitur si ata që po i bëjnë një nderë popullit tonë dhe figurës së GjKS. Në emër të metodave moderne/bashkëkohore të studimit të historisë dhe në emër të pastrimit të figurës së GjKS nga ‘mitet’ që janë ndërtuar në të kaluarën, në të vërtetë nuk është bërë tjetër, veçse është shpërfytyruar figura e tij, duke shndërruar gjithçka në një mit, andaj duke vënë në dyshim edhe vetë ekzistencën e tij si person dhe figurë historike.
3. Mbrojtësit e “status quo-së” - nga ana tjetër një grup studiuesish, por më shumë publicistësh dhe analistësh mediatik të cilët, në emër të mbrojtjes së vlerës së çmueshme të harmonisë fetare, me çdo kusht duan që GjKS ta zhveshin nga çdo petk dhe aspekt fetar. Në emër të ruajtjes së status quo-së, në emër të mbrojtjes së harmonisë ndër-fetare në popullin tonë, e kanë theksuar dhe vazhdojnë ta theksojnë vazhdimisht faktin se GjKS paskëshe qenë: së pari ortodoks, pastaj është bërë, mysliman dhe në fund ka vdekur si katolik. Madje ka të tillë që thonë se ai të tre këto bindje i ka jetuar në të njëjtën kohë.;
Mendoj se qëndrime të tilla janë fryt i një mentaliteti të dyfishtë: nga njëra anë janë pjellë e një elite studiuesish që, ndonëse nuk janë gjithmonë nxënës të drejtpërdrejtë të komunizmit, bartin në vete rrënjë të thella të mentalitetit të atij regjimi. Nga ana tjetër janë ata të cilët shohin si një rrezik të madh rrymën filo-islamike dhe tentativën e tyre për të shkatërruar historinë (duke hequr së pari figurat kryesore të historisë së popullit tonë), të shkatërrojnë gjuhën (duke u munduar të bindin botën se ekziston një gjuhë kosovare, kur në të vërtetë ajo që flasim në Kosovë nuk është tjetër veçse një “tallava” e gjuhës shqipe, me theks gegë, rregulla toskë dhe me një serë barbarizmash të pafund: turq, sllav, italian, etj.) Më befasojnë disa historian, veçanërisht të këtij grupit të dytë, të cilët për të ruajtur ‘status quo-në’ e harmonisë fetare në të cilën gjendemi dhe në emër të luftës kundër kësaj rryme filo-islame, shkojnë në ekstremin tjetër duke u munduar që ta asgjësojnë çështjen fetare nga jeta e GjKS.
Në lidhje me pyetjes së dytë, atë të përkatësinë fetare të GjKS, është hapur një debat i gjerë: a ka qenë ai katolik, ortodoks, mysliman, asnjërën prej tyre apo të gjitha së bashku.
1. Një grup, edhe pse shumë i vogël dhe me pak argumente bindëse GjKS e kanë parë si mysliman:
a) Ka shkuar fëmijë në oborrin mbretëror, andaj nuk ka pasur kohë të edukohet në fenë e krishterë: këtu dallojnë bindjet në bazë të argumenteve mbi të cilat thirren se GjKS ka shkuar në oborrin mbretëror në moshën 9, 15 apo 18 vjeçare;
b) Ka marrë edukim të mirëfilltë islam andaj ka mësuar, ka besuar dhe ka jetuar islamin si shumica e fëmijëve të tjerë të dhënë peng dhe i edukuar në perandorinë oborrin e sulltanit sipas sitemit të gulamit (sistemi iç-oğlan, çuna nderi);
c) Fakti, paksa qesharak, se sipas dikujt “nuk ekzistuaka asnjë dëshmi dhe asnjë dokument që asnjë dëshmi se GjKS e ka mohuar apo braktisur fenë islame”;
d) Madje mbështeten edhe te disa interpretimet nga perëndimi, kur disa ambasador të dukës së Milanos flasin për GjKS, duke e quajtur turk;
e) Disa përmendin faktin se Gjon Kastrioti paska thënë se nuk marr përgjegjësitë për djalin tim që është bërë turk, ndërkohë që e dimë mirë se ishte Stanishi ai që ishte kthyer në fenë islame, të emërtuar atëherë fe muhamedane.
Në lidhje me këtë ide: Pa dyshim se gjatë kohës që ai ka qëndruar në oborrin e sulltanit si peng dhe gjatë shkollimit të tij ai është trajtuar dhe edukuar si mysliman: ndërrimi i emrit, dhënia e detyrave titujve, p.sh. Beg apo udhëheqës ushtarak, nuk mund t’i jepej një personi që nuk do trajtohej si mysliman; fakti se sulltani e trajton si femohues, që do të thotë se më parë ai është trajtuar si mysliman.
Megjithatë nuk ekziston as edhe një fakt i vetëm: një fjali, një dokument, një shprehje, një interpretim i çfarëdo lloji që dëshmon se GjKS e ka zgjedhur, e ka dashur, apo e ka mbajtur me dëshirë besimin islam, përveç faktin se ka qenë i detyruar të jetoj dhe të shkollohet në një vend dhe në një sistem të tillë, ku përkatësia politike/shtetërore/laike ishte e lidhur ngushtë me përkatësinë fetare.
Të ishe pjesë e perandorisë osmane dhe të ishe mysliman ishte e njëjta gjë; siç ishte e njëjta gjë të ishe pjesë e perandorive perëndimore dhe të ishe i krishterë katolik, duke marrë para sysh gjithmonë mentalitetin e epokës mesjetare për të cilën bëhet fjalë.
4. Një grup studiuesish GJKS e kanë paraqitur si të krishterë ortodoks të mbështetur në disa argumente:
a) Në etimologjinë e emrave të familjarëve të tij; një logjikë që i ka shtyrë ta paraqesin njëkohësisht edhe si jo shqiptar, apo si sllav;
b) Argumenti i dytë është ai i hapësirës ku ka jetuar familja e tij dhe vijës së ndarjes mes Kishës lindore dhe Kishës perëndimore;
c) Argumenti i tretë është ai i dhuratës për manastirin e Hilandarit në malin Atos, aty ku supozohet se ka jetuar si murg dhe është varrosur edhe Reposhi, njëri prej tre vëllezërve të tij;
d) Të mbështetur mbi interpretimin e historianëve dhe studiuesve grek dhe serb, të cilët gjatë gjithë historisë janë shquar në përpjekjen e tyre për të përvetësuar çdo figurë historike me vlerë, deri në atë pikë sa edhe Gonxhe Bojaxhiun, Nënë Terezë janë munduar të ‘shesin’ si të tyre;
Patjetër se GjKS ka pasur lidhje, madje shumë të ngushtë me botën ortodokse: shih manastiri, martesa, emrat, lidhjet e krushqive, klerikë ortodoks në oborrin e tij, duke mos harruar edhe faktin se mes princave dhe principatave arbërore kishte princa, ushtarë dhe popullsi ortodokse.
Për sa i përket çështjes së ortodoksisë, do doja të citoja Jeriçekun sipas të cilit: “Nga pikëpamja kishtare një pjesë e vendit (të Kastriotëve) shkonte me peshkopatën katolike të Arbnit, pjesa tjetër me kishën serbe, ndaj dhe Ivan Kastrioti i pati dhuruar prona manastirit të Hilandarit, në malin Athos, themeluar prej Nemanjave serb! (krh. Jeriçek, Albanien..., fq. 81); “Që Iwan (sic) Kasrioti t’i ketë bërë dhurim një manastiri të Kishë lindore nuk është aspak gjë e jashtëzakonshme duke marrë parasysh luhatjen e dinastive arbër mes dy Kishave! (krh. Thalloczy dhe Jeriçek: Zwei Urkunden, fq. 144)
5. Megjithatë, pa përjashtuar aspak lidhshmërinë e tij familjare me botën ortodokse; pa përjashtuar aspak faktin se në kohën e qëndrimit të tij në ‘oborrin e sulltanit’ dhe shkollën e içogllanëve ai është rritur, trajnuar dhe trajtuar si mysliman, dëshmi e së cilës është edhe ermi ti tij i ri: Skënderbe... megjithatë është një grup historianësh i vështirë për t’u numëruar dhe përcaktuar, por me siguri pjesa dërrmuese e studiuesve të jetës dhe çështjes së tij që, me fakte dhe dokumente historike, mbështesin idenë se: pavarësisht prejardhjes së tij familjare dhe lidhjes që familja e tij mund të ketë pasur me botën ortodokse; pavarësisht nga fakti se është rritur dhe edukuar në një ambient mysliman, GjKS me jetën dhe veprën e tij ka dëshmuar se ka qenë një i krishterë katolik i devotshëm dhe besnik, një person që ka flijuar tërë jetën e tij për të mbrojtur fenë e krishterë, kishën katolike dhe Selinë e shenjtë, botën perëndimore dhe qytetërimin evropian të krishterë/katolik.
Edhe Noli, që vet ishte ortodoks, madje kryepeshkop ortodoks, në Biografinë e GjKS, versionin e tij 1947, shkruan se “Shqipëria në kohën e Skënderbeut ishte e ndarë në principata, ose më mirë në kantone malore, të ndara, por banorët i bashkonte gjuha, feja dhe ndjenja e përbashkët klase. Ata ishin fshatarë të lirë, katolikë shqiptarë ishin gati të bashkoheshin e t’i bënin ballë skllavërimit, që u sillnin zotërit e jashtëm feudalë.” PTH fq. 1041)
Nëse në çështjen e fesë kujtojmë faktin se elementi parësor nuk është ai i prejardhjes së gjakut, as i detyrimit për të mësuar apo pranuar një fe, por se feja dhe besimi në Zotin janë përmbi të gjitha një përzgjedhje personale, atëherë pa asnjë mëdyshje mund të themi se të vetmet argumente për bindjen fetare të GJSK, janë ato të një të krishteri katolik, besnik ndaj fesë së tij, besnik ndaj traditës katërmbëdhjetë shekullore të krishterë të popullit të tij, besnik ndaj Selisë së shenjtë dhe kishës katolike.
Ndonëse ai ka pasur momente në të cilat, është zhgënjyer thellë nga ‘mos marrja e ndihmave që i nevojiteshin’ nga Selia e shenjtë dhe mbretëritë e krishterë, megjithatë nuk ekziston asnjë argument i vetëm, asnjë që pohon të kundërtën: që pohon se ai me fjalë, me shkrime, apo me vepra ka thënë, shkruar apo bërë diçka që të pohojë se nuk ishte i krishterë, apo nuk ishte besnik ndaj Selisë së shenjtë dh e kishës katolike.
Andaj po ju paraqes këtu disa fakte që mendoj se janë të rëndësishme për t’u kujtuar në lidhje me këtë temë.
a) Mbështetur nga fakti se ndarja e ndikimit të Kishës lindore nuk ka qenë një ndarje e prerë dhe me një kufi të qartë dhe dallues; Se hapësirat e popullit shqiptar nuk janë ndarë asnjëherë definitivisht nga Selia shenjtë edhe atëherë kur ata kanë qenë të krishterë të ritit Lindor; Koncili i Ferrarës dhe Firencës, “koncili i bashkimit”: çështja e uniatëve dhe i ‘organizimit të një kryqzate antiosmane’. Më 5 korrik 1439 në Firence u nënshkruar dekreti i “bashkimit të Kishave. Në këtë koncil, përveç papa Eugjenit IV, të pranishëm ishin e dhe perandori i Bizantit Joan VII Paleologu dhe vëllai i tij Dhimitri; patriarku i Kostandinopojës Josifi, që do vdiste në Firencë, Peshkopi i Nikesë Visaroni, si dhe shumë klerikë dhe përfaqësues të të gjitha patriarkave të tjera të lindjes.)
b) Lidhja e ngushtë e GjKS me botën e krishterë perëndimore, me mbretër, princa, gjeneral e udhëheqës shtetëror, por mbi të gjitha lidhja e ti e ngushtë me Selinë e Shenjtë, si partnerin e saj më të afërt dhe më besnik, pavarësisht interpretimeve që u janë bërë në kohë;
c) Ndërhyrja e papëve për mbështetje të GjKS nga ana e mbretërive të krishtera: Eugjeni IV (...-1447); Nikolla V (1447-1455), Kaliksti III (1455-1458) që e ndihmoi GjKS me të holla (edhe pse Selia e shenjtë në atë kohë gjendej në një situatë shumë të vështirë), dërgoi nuncin Giovanni Navarro për të mbledhur para për GjKS; pas betejës së Albulenës, më 28 dhjetor 1457, i dha Skënderbeut titullin e “kapitenit të përgjithshëm të Selisë së Shenjtë”; , Piu II (1458-1464), Pali II (1464-...). Padyshim se sipas pjesës më të madhe të historianëve që janë marrë me këtë çështje pohojnë pa asnjë mëdyshje, të mbështetur në faktet e dokumentuara se ndihma e papëve ndaj Skënderbeut ishe më e madhe se e çdo shteti tjetër të veçantë: Farlati, Marinesco, Cungnoni, Pastori, Gegaj dhe Noli... për të përmendur vetëm disa prej tyre, por këtë çështje e ka trajtuar në mënyrë të hollësishme edhe Kristo Frashëri në monografinë e tij;
d) Rëndësia e Silvio Picolomini-t, papës Piu II në jetën (1458-1464), diplomacinë dhe luftën e GjKS
e) Plani për të shpallë GjKS mbret të Shqipërisë dhe gjeneral/udhëheqës të ofensivës përfundimtare për të përzënë ‘turqit’ nga hapësira Evropiane: e interpretuar si një kryqëzatë; vendosja e Piut II në krye të kësaj ekspedite dhe vdekja e tij në Ancona, më 1464;
f) Ndikimi i Kostandinopojës si shtet dhe si kishë në atë kohë ishte shumë i dobët, duke mos harruar se më 1453 Kostandinopoja bie në duar të Mehmetit II;
g) Në atë kohë (shek. XV) pjesa më e madhe e popullatës dhe principatave arbërore ishin katolik; të lidhur në marrëdhënie të ngushtë dhe nën tutelën e Selisë së shenjtë dhe mbretërive tjera të krishtera/katolike të Evropës perëndimore.
h) Personat më të afërt dhe më besnik, që kanë mbuluar detyrat më të rëndësishme në organizimin shtetëror të GjKS kanë qenë klerik katolik: arkën Dhimitër Frangu; i dërguari i posaçëm në Romë, pas rënies së Kostandinopojës, që mori ndihma nga Papa, Pal Gazulli (ai që e quanin mendja e Kastriotit) dhe vëllezërit e tij Gjini dhe Andreu, të cilën ishin të specializuar në marrëdhëniet e GjKS me Raguzën, shtetin e Papës dhe Mbrtetërinë e Hungarisë; arqipeshkvi i Durrësit dhe diplomati i ‘politikës së jashmte të GjKS, Pal Engjëlli; ipeshkvi i Pultit, Drivasti; Martin Segoni i Novobërdos, Marin Becichemi; Gjergj Pjetrin (PTH fq. 889) (???); nunci i papës Giovanni Navaro, 1457 shkoi për të mbeldhur në Shqipëri dhe vendet fqinje ndihma në të holla për GJKS; Antonio de Oliveto, një françeskan me detyrën e nuncit apostoik në viset e Shqipërisë dhe të Skllavonisë (Dalmacisë) të caktuar nga papa Nikolla V, posa e mora emërimin e tij si papë (1447); ai u zëvendësuar më 21 shtator 1451 nga një françeskan tjetër shqiptar Eugjen Suma; Gjergj Pelini benediktin i Novobërdos, ambasador i GjKS pranë Republikës së Venedikut (krh. Jahja Drançolli); Pjetër Perlati, prifti katolik matjan, që drejtonte garniznonin e Sopotnicës (Sfetigradit);
i) Pavarësisht nga interpretimet që mund t’u bëhen çështjeve si traditës së familjes Kastrioti, emrave me etimologji bizantine, çështjes së manastirit në Malin e shenjtë dhe vëllait të tij të varrosur aty; megjithatë nuk duhet harruar një çështje tjetër shumë me rëndësi, që për mendimin tim është më e rëndësishmja: jo si e kanë perceptuar të tjerët atë, por si e ka konceptuar ati veten; sepse elementi i pëlqimit dhe përcaktimit personal në fushën fetare është elementi thelbësor pa të cilin nuk ka përkatësi të vërtetë fetare: nuk ka dyshim se nga të gjitha dokumentet që zotërojmë gjer tani, GjKS e ka trajtuar gjithmonë veten si i krishterë katolik, ‘bir besnik i Selisë së shenjtë’ dhe atyre që e udhëhiqnin atë;
j) Perëndimi i ka trajtuar si mbrojtës të krishterimit dhe në këtë rast mbrojtës të krishterimit ‘katolik’: kështu papët; kështu Alfonsi V dhe biri i tij Ferdinandi II; kështu Hunjadi, princ Vladi, Venediku, ejt.;
k) Perandoria osmane e ka trajtuar si ‘femohues’ dhe si të tillë si të krishterë (katolik) dhe e ka luftuar atë si të tillë;
l) nuk ekziston pothuajse asnjë shenjë e marrëdhënies së tij me patriarkun e Kostandinopolit, apo të ndokujt tjetër për të;
m) Marrëdhëniet ndërkombëtare i kishte pothuajse në tërësi të përqendruara me botën e krishterë/katolike: Romën, Venedikun, Napolin, Budapestin (Hungarinë), Burgonjën e Francës; shteti i Raguzës.
Andaj:
1. Ai veten e ka quajtur dhe e ka trajtuar si të krishterë katolik;
2. Pasardhësit e tij kanë vazhduar të jenë të tillë (përveç vëllait të tij Stanishit)...
3. Selia e shenjtë dhe Papët e Romës e kanë trajtuar si të tillë;
4. Sulltani dhe gjeneralët e tij e kanë trajtuar si të tillë;
5. Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe aleatët perëndimor e kanë trajtuar si të krishterë dhe katolik;
6. Është quajtur ‘atlet i Krishtit’ dhe është vendosur që të shpallej mbret dhe të udhëhiqte ‘kryqëzatën e fundit’ anti-osmane të udhëhequr nga vetë Piu II;
7. Letrat e tija, librat; vulat, numizmatika, armët; dokumentet... të gjitha flasin në favor të faktit se GjKS ka qenë jo vetëm i krishterë katolik, por që është identifikuar me ‘mbrojtësin e krishterimit’;
8. Rrethi i tij më i ngushtë, përveç gjeneralëve ushtarak, kanë qenë klerik katolik;
9. Biografët e tij të parë kanë qenë klerik katolik: Barleti, Frangu, Anonimi i Tivarit (Pal Engjëlli);
10. Përfaqësuesit diplomatik kanë qen kler katolik: Pal Engjëlli, Pal Gazulli, Dhimitër Frangu...
11. Kuvendin e Lezhës dhe besëlidhjen e ka bërë në një katedrale katolike;
12. Trupi i tij është varrosur në një katedrale katolike;
13. Familjen dhe farefisin e tij, bashkë me një popullsi të gjerë e ka shpërngulur në një tokë/mbretëri të krishterë katolike;
14. Gjatë shekujve është trajtuar si mbrojtës i krishterimit perëndimor, i katolicizmit;
15. Ka marrë titullin ‘Atlet i Krishtit dhe kapiteni i përgjithshëm i Selisë së shenjtë’ nga vetë papët e Romës (Kalisti III);
... dhe prapë se prapë, ka njerëz që vazhdojnë ta pyesin veten a ka qenë katolik, ortodoks apo ndoshta edhe mysliman, apo asnjëra nga këto. Kjo çështje më tingëllon disi si jehonë e traditës popullore, një ndër të cilat thotë: “Unë të them: ‘Ja ujku!’ Ndërsa ti më thua: ‘Ja ku i ka gjurmë!’
Që lufta e GJKS ka pasur një karakter fetar, madje shumë të fortë, kjo nuk ka asnjë dyshim as më të vogël. Megjithatë të përpiqesh që arsyen e luftës së tij ta ngushtosh vetëm në petkun fetar, mendoj se është një e padrejtë e madhe që i bëhet GjKS, veprës së tij, bashkëluftëtarëve të tij dhe popullit shqiptar qoftë të kohës së GjKS qoftë të kohës së mëvonshme duke na përfshirë edhe ne që jemi këtu të pranishëm.
Në mbështetje të pohimit të parë po përpiqem të theksoj edhe një fakt që mendoj se pjesës dërrmuese të historianëve dhe atyre që janë marrë me këtë çështje u ka ikur: çështja e 28 nëntorit, nëntorit të parë të Krujës, meqë, siç e thotë filmi i famshëm, ai i vitit 1912 ishte ‘Nëntori i dytë’ ai i Vlorës. Por, për hir të së vërtetës historike, ekziston edhe një ’28 nëntori’ tjetër, ai I PARI, që ka ndodhur katër shekuj para 28 nëntorit të Krujës dhe që për mendimin tim ka lidhje të ngushtë me 27-28 nëntorin e GJKS.
Prej nëntorit 1443 deri më 27 nëntor, GJKS kaloi kohën duke e organizuar ‘pushtimin e Krujës’, duke bashkuar rreth vetes dhe kauzës që po mbronte prijës, gjeneral dhe ushtarë tjerë, bashkë me 300 kalorësit që kishin përcjellë atë në rastin e braktisjes së fushëbetejës pranë lumit morava, nën muret e Nishit mes ‘truparve’ të Hunyadit dhe ushtrisë osmane, por mendoj se është një pyetje shumë e rëndësishme që duhet t’i bëjmë vetes: Përse e zgjodhi GJKS 27 nëntorin për të hyrë në Krujë dhe 28 nëntorin për të ngritur flamurin e lirisë? Tre janë përgjigjet: Rastësisht! I kishte bërë përgatitjet e duhura andaj kishte ardhur koha! Apo ngjarjet e tilla kishin edhe një porosi! Ishte një ditë ë përzgjedhur përmes së cilës dëshironte të përcjelltë edhe një porosi!
Nuk i përjashtoj dy arsyet e para, por unë personalisht mbështes arsyen e tretë!
Koncili i Ferrarës dhe Firencës (1438-1439), “koncili i bashkimit” (çështja e uniatëve, dekreti i nënshkruar në Firencë më 5 korrik 1439 dekreti i “bashkimit të Kishave: përveç papa Eugjenit IV, të pranishëm ishin e dhe perandori i Bizantit Joan VII Paleologu dhe vëllai i tij Dhimitri; patriarku i Kostandinopojës Josifi, që do vdiste në Firencë, Peshkopi i Nikesë Visaroni, si dhe shumë klerikë dhe përfaqësues të të gjitha patriarkave të tjera të lindjes.) dhe i ‘organizimit të një kryqzate antiosmane’. Ky bashkim, edhe pse mbeti mjaft formal në rrafshin fetar, u jepte shpresë të gjithë princërve të krishterë për t’i dëbuar përfundimisht turqit osmanë nga kontinenti. Pikërisht në atë vit (1439) ishte paraqitu edhe një projekt i cili përshkruante mjetet dhe mënyrën e organiziit të një ‘ofansife definitive anti-osmane’, të një kryqëzate me anë të së cilës Fuqitë e krishtera evropianë mund t’u jepnin turqve goditjen përfundimtare; në këtë projekt të një “fushate të gjatë’ antiturke Jank Hunyadi ishte elementi kyç, por arbrit, krahas me popujt e tjerë të krahinave përreth llogariteshin si potenciale të rëndësishëm të realizimit të këtij projekti.
Andaj lufta e Hunyadit ishte në të vërtetë një reagim konkret në Bullën e Eugjenit të IV (Bulla qarkore e Eugjenit IV e lëshuar në Firence, më 1 janar 1443, për thirrje “ad cruciatam”) në të cilën ai u bënte thirrje Mbretërrisë së Hungarisë, Republikës së Venedikut, Dukatit të Burgundit dh Qytetit të Raguzës për të bërë një “aleancë të krishterë” një kundër pushtimit turk. Njëri ndër kushtet me të cilat ishte realizuar “bashkimi i Kishave në Koncilin e Ferrara-F?irencës pati qenë premtimi i dhënë perandorit Joan VII Paleolog për organizimin e një kryqëzate, si aksion i dyfishtë ushtarak për tokë e për det. Vetëm një nevojë e tillë pati shtrënguar perandorin dhe “klerin ortodoks” të venin në Romë e ta pranonin këtë “bashkim.
Madje historiani Raffaele Maffei, pohon dhe dokumenton se Eugjeni IV, me anë të nuncëve dhe letrave të fshehta, ishte vënë në lidhje ehde me Gjergj Kastritotin, Skënderbeun dhe e kishte nxitur të shëputej nga sulltani për t’iu bashkuar “frontit të krishterë”. Prej letërkëmbimeve që njihen tanimë del që me siguri marrëdhënie të tilla me papën Eugjen IV ka mbajtur Gjergj Arianinti, i cili i kishte kërkuar atij ndihmë pikërisht në vitin 1443 dhe papa i ishte përgjigjur me ndihmë financiare. Të njëjtën gjë e pohojnë dhe e mbështesin edhe historianët Ludwig von Patori dhe Steven Runciman
Më 27 nëntor 1095, papa Urbani kishte shpallur në Koncilin e Clermontit fillimin e Kryqëzatës së parë me thirrjen “Deus vult! – Zoti do!”, përmes së cilës i përgjigjes kërkesës së perandorit të Kostandinopojës, Aleksit I Komnen, që krishterimi perëndimor, në krye me Papën e Romës t’i shkonte në mbrojte të krishterëve të tokës së shenjtë kundër pushtimit, shkatërrimit dhe rrezikut fetar, politik dhe kulturor që u vinte atyre nga turqit selxhukë. Një kryqëzatë që u nis në mënyrë paqësore për lirimin e tokës së shenjtë, e udhëhequr nga Pjetri eremit dhe e përbërë nga një lëvizje popullore e njerëzve të thjeshtë dhe besimtar, por që përfundoi në tragjedi të madhe në tetor të po të njëjtit vit pasi kishin sulmuar nga ushtria turko-selxhuke.
Andaj marrja e Krujës më 27 dhe ngritja e flamurit të Kastriotëve, një flamuri të krishterë, më 28 nëntor, nuk ishte tjetër veçse fillimi i një ‘kryqëzate të re’ kundër pushtuesit osman.
I kujt është GjKS?
I çdo personi që atdheun, tokën dhe vendin e vet!
I çdo personi që e çmon dhe e don lirinë!
I çdo personi që e do dhe e çmon identitetin e popullit dhe të familjes së tij.
I çdo personi që nuk turpërohet, por krenohet me paraardhësit e tij!
GjKS është i çdo shqiptari!
Po aq sa është i një shqiptari katolik, është edhe i një shqiptari ortodoks, mysliman, relativist, sinkretist, ateist, etj.
Duke kujtuar ‘klithjen’ e Voltairit, që po komentonte rënien e Kostandinopojës në duart e Mehmet pushtuesit: “O po të kishte pasur Bizanti një Skënderbe, siç e pati Shqipëria!” do dëshiroja që këtu të bëja një parafrazim: “O po të kishte populli i Kosovës, i Shqipërisë, i Evropës dhe i botës sot një GjKS!”
Mr.sc. Don Dominik Qerimi, sdb