Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Final (Tema Russo) - Andante - Allegro con spirito
Programe Podcast
Imzot Preng Doçi, Abati i madh i Mirditës Imzot Preng Doçi, Abati i madh i Mirditës 

Imzot Preng Doçi, Abati i madh i Mirditës, në përvjetorin e vdekjes

Ato pak vepra që kemi, flasin qartë për ndjenjat e forta njerëzore, fetare, atdhetare e kulturën e gjerë që kishte Abati i Oroshit, imzot Doçi. Një nga veprat e tij është edhe “Shqipëria nën zgjedhën turke”, dhe “Shqipëria në robni”. Për imzot Doçin Rilindja Kombëtare qe një program , për t’i dhënë një hov të ri me shkolla e dije Shqipërisë e në mënyrë të posaçme zonës së Mirditës.

R.SH. - Vatikan

Më 22 shkurt kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Abatit të Oroshit të Mirditës, imzot Preng Doçin.

Abati i madh imzot Preng Doçi lindi më 2 shkurt të vitit 1846 në fshatin Bulgër, ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917 . U shkollua në Shkodër e në Romë. Më 25 tetor të vitit 1888, Papa Leoni XIII me dekretin “Supra montim Mirditarum” e rimëkëmbë Abacinë e Oroshit në Mirditë dhe për Abat emëron imzot Preng Doçin. Përtëritja e kësaj Abacie Kishtare e Mirditës e sidomos ardhja e imzot Preng Doçit në udhëheqje, ndikuan shumë në jetën fetare, kulturore dhe politike të Mirditës e të mbarë Vendit e kombit shqiptar.

Jeta dhe vepra e Abat Doçit, ndahet në disa periudha. Periudha e parë i përket kohës kur dom Preng Doçi ishte meshtar i ri dhe plot vrull. I frymëzuar nga meshtarët e zellshëm dhe atdhetarë, që në rini vihet në ballë të punës meshtarake dhe atdhetare; periudha e dytë kur ai, si i pjekur kalon nëpër burgje dhe në mërgim; periudha e tretë kur mori detyrën e Abatit,  detyrën e bariut të një Kishe të veçantë në Mirditë e jo vetëm, dhe si prelat i lartë e diplomat i pjekur udhëhoqi Abacinë, dhe këshillonte mendjen shqiptare të rilindasëve; periudha e katërt, kur abati me mençurinë e vet i bëhej krah Qeverisë Shqiptare, e cila gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore gjendej në sprova të rënda qeverisje.

Në fushën e jetës fetare kishtare, imzot Doçi punoi shumë për përhapjen e Ungjillit, për përforcimin e vetëdijes kombëtare e fetare të shqiptarëve dhe për pjesëmarrjen e besimtarëve në Sakramente. Po kështu imzot Doçi derisa punonte për kultivimin e vlerave shpirtërore e kombëtare, në anën tjetër luftonte për dukuritë e këqija që ekzistonin ndër shqiptarë, si vrasjet, hakmarrjen, konkubinatin (martesat joligjore), e dukuritë tjera që pengonin përparimin e rritjen e vlerave tek populli.

Në fushën e jetës kulturor, imzot Preng Doçi në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi” me qëllim të zgjidhjes së çështjes së alfabetit në bazë të shkronjave latine dhe për përhapjen e shkollave e botimin e librave në gjuhën shqipe, që asokohe ishin pak e shumë të luftuara nga armiqtë e popullit shqiptar, sidomos turqit.

Ishte kjo një nevojë e madhe e për imzot Doçin qe një program për Rilindjen Kombëtare, për t’i dhënë një hov të ri me shkolla e dije Shqipërisë e në mënyrë të posaçme zonës së Mirditës. Nga ato pak vepra që kemi, flasin qartë për ndjenjat e forta njerëzore, fetare, atdhetare e kulturën e gjerë që kishte Abati i Oroshit. Një nga veprat e tij është edhe “Shqipëria nën zgjedhën turke”, dhe “Shqipëria në robni”.

Në fushën e jetës kombëtare politike, imzot Preng Doçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, e bashkoi Mirditën dhe i dha një njësi të vetme. Në “relacionin e tij mbi gjendjen e Abacisë së Shën Llezhdrit të Mirditës”, imzot Doçi mes tjerash shkruan se Mirdita është “si një shtet i vogël autonom” popullsia e së cilës është krenare për lirinë e vet. Për këtë arsye Mirdita duhet të jetë një nukleus - qelizë e një shteti shqiptar. Kjo ëndërr e tij qe kohëshkurtër, sepse turqit e shuan kryengritjen e mirditorëve të cilën e organizoi ai.

Për këtë arsye turqit e internuan në Stamboll, nga ku me ndërmjetësimin e kardinali armen Azarian lirohet dhe shkon në Romë, ku Selia e Shenjtë e dërgon me misionin diplomatik në SHBA e vende tjera, derisa me ndërmjetësimin e kardinajve të Vatikanit Aliardi e Jakobini, më 1888 u kthye në Shqipëri si Abat i Mirditës. Më 1911 - 1912 udhëhoqi kryengritjen e Mirditës kundër osmanlinjve. Pa e prekur kurrë misionin e tij fetar, nën ndikimin e zgjimit kombëtar të popullit dhe të ngjarjeve të mëdha politike të kohës, ai u bë një nga paraardhësit e letërsisë së Rilindjes në Shqipëri.

Dy nga poezitë më të rëndësishme të tij janë "Një kushtrim shqiptarëve" dhe "Shqipnia nën zgjedhën turke", shprehin shqetësimin, dhimbjen për gjendjen e mjeruar të popullit, të vendit dhe krenarinë e Abatit Doçi për të kaluarën. Duke gjykuar me mprehtësi situatën politike, nuk mungon të bëjë edhe thirrje të zjarrta për luftë kundër turkut pushtues:

N'qafë ma zgjedhën kush e bán?
Kambëve prangat lidhë na i kanë,
Osmanllia edhe na shán,
Na pin gjakun, mishtë na e han.
Shqyptár trima, zgjedhën lshoni
Kputni prangat e luftoni!

Abati i madh i Mirditës hyri në histori si meshtar i zellshëm, atdhetar i flaktë, mbrojtës i popullit e vendit, si poet, studiues e prijës trim. Ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917. Së bashku me imzot Gaspër Krasniqin nga Kosova, imzot Preng Doçi u angazhua me mish e shpirt në luftën kundër pushtimit të turqve dhe për përparimin kulturor e të gjithanshëm të popullit shqiptar e Vendit.

22 shkurt 2019, 13:46
Prev
February 2025
SuMoTuWeThFrSa
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728 
Next
March 2025
SuMoTuWeThFrSa
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031