Mati Logoreci, gjuhëtar, historian, mësues, veprimtar i Rilindjes Mati Logoreci, gjuhëtar, historian, mësues, veprimtar i Rilindjes 

Mati Logoreci në përvjetorin e vdekjes

Mati Logoreci, gjuhëtar, historian, mësues, veprimtar i Rilindjes, nismëtar për hapjen e shkollës së parë shqipe në Prizren.Më 1916 qe anëtar i ‘Komisisë Letrare Shqype’ themeluar në Shkodër. Mori pjesë edhe në ngjarje të tjera historike, si Kongresi i Lushnjes (1920), por kryesisht iu kushtua zhvillimit të arsimit.

R.SH. - Vatikan

Më 7 shkurt 1941 mbylli sytë Mati Logoreci, gjuhëtar, historian, mësues, veprimtar i Rilindjes, nismëtar për hapjen e shkollës së parë shqipe në Prizren. Mati Logoreci lindi në Shkodër më 10 shkurt 1867. Në moshë të re punoi si shegert në shoqërinë tregtare të familjes së vjetër shkodrane Parruca, emigruar prej kohe në Itali, që e dërgoi si llogaritar në Trieste. Atje, krahas punës, kreu edhe shkollën për mësues. Si u diploma, u kthye menjëherë në Shqipëri.

Veprimtarinë pedagogjike e nisi më 1 maj 1889, duke hapur një shkollë në Prizren. Më 1899 hapi një shkollë të dytë, e cila më pas u shkri me të parën. Shërbeu si mësues në Prizren deri më 1903, kur u transferua në shkollën françeskane në Shkodër, duke u bërë një nga mësuesit më të dashur për brezninë e re të fretërve, që përgatitej në bankat e kësaj shkolle.

Mati Logoreci, që jetoi dhe punoi në Prizren nga viti 1889 deri më 1903, mori pjesë gjallërisht edhe në jetën politike-shoqërore të Prizrenit, me të cilin lidhet një pjesë e mirë e jetës së tij.

Prizreni njihet si një nga qendrat e vjetra të Evropës Juglindore, me kalanë e lashtë dhe objektet e tjera me vlerë. Deri nga fundi i shekullit të kaluar ishte një qytet i zhvilluar, qendra ekonomike e kulturore e Shqipërisë.

Pas një lufte shumë këmbëngulëse, më 1889, u hap shkolla shqipe edhe në Prizren, me mësues Mati Logorecin. Kjo ishte shkollë e tipit të Mësonjëtores së Korçës, me karakter laik, kombëtar dhe demokratik. Hapja e kësaj shkolle ishte një fitore, sepse u kundërvihej synimeve shkombëtarizuese e asimiluese të të huajve. Bashkë me nxënësit e vegjël shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe filluan ta mësonin edhe të rriturit. Në këtë mënyrë Mati Logoreci u bë mësues edhe i të rriturve. Rrethanat e detyruan të hartojë vetë edhe programin e shkollës dhe të përshtatë tekstet që i duheshin. Logoreci me pasionin e tij tërhoqi edhe më shumë nxënës, aq sa nuk mund t’i përballonte dot vetë. Prandaj, përkrah tij, mori detyrën edhe mësuesi kosovar Lazër Lumezi.

Shkolla shqipe e Prizrenit po merrte fizionominë e një shkolle kombëtare, demokratike, ku të gjithë ndjeheshin mirë. Kjo ruante tiparet e një shkolle laike, që tërhiqte nxënës pa dallime fetare, klase, rangu apo fisi, pa dallime gjinie, ku secili gjente ngrohtësinë dhe vëmendjen e mësuesve që formonin me dije, atdhedashuri, identitetet dhe vizion pluralist. Kështu me ideale e vlera, në këtë shkollë gjimnazi u formua gjenerata e parë e nxënësve nga gjithë Kosova dhe Presheva.

Në vitin 1907 Mati Logoreci botoi në Trieshtë fletoren "Dashamiri"; më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë ‘Agimi’, së bashku me dom Ndre Mjedën e, po këtë vit, së bashku me Imzot Lazër Mjedën, hapi një shkollë nate në Shkodër. Njihet si autori i veprave: "Të ndodhmet e historisë së moçme"; “Historia e përgjithshme”; "Abetar", "Plotësimi i Abetarit"; "Fjalor i librit të leximit për moshën e njomë"; "Libri i mësuesit" etj.

Pas pavarësisë shërbeu si mësues në Tiranë dhe si nëpunës i arsimit në Shkodër. Më 1916 qe anëtar i ‘Komisisë Letrare Shqype’ themeluar në Shkodër. Mori pjesë edhe në ngjarje të tjera historike, si Kongresi i Lushnjes (1920), por kryesisht iu kushtua zhvillimit të arsimit. Mati Logoreci vdiq më 7 shkurt 1941 në Tiranë.

07 shkurt 2019, 11:37