“Ikona e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (Nga historia te miti: shekujt XV-XVIII)”,  vepër e re e Prof. Lucia Nadin, botuar nё kuadrin e vitit jubilar tё 550-vjetorit tё vdekjes sё Gjergj Kastriotit Skёnderbeut “Ikona e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (Nga historia te miti: shekujt XV-XVIII)”, vepër e re e Prof. Lucia Nadin, botuar nё kuadrin e vitit jubilar tё 550-vjetorit tё vdekjes sё Gjergj Kastriotit Skёnderbeut 

Lucia Nadin:“Ikona e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut”

Autorja kishte idenë e një vepre komplekse, që zuri të merrte formë dhe të tematizohej më mirë në proces të përgatitjes për botim, me shënime shpjeguese dhe referenca që sqaronin më mirë qëllimin e saj për t’i shërbyer rindërtimit hap pas hapi të një imazhi që jetoi në shekuj mbi Skënderbeun në Venedik dhe rrethinat e tij.

R.SH. - Vatikan

Doli nga shtypi “Ikona e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (Nga historia te miti: shekujt XV-XVIII)”,  njё vepër e re e Prof. Lucia Nadin, botuar nё kuadrin e vitit jubilar tё sapopёrfunduar tё 550-vjetorit tё vdekjes sё Gjergj Kastriotit Skёnderbeut, pёrkthyer nё gjuhen e shqipe e përgatitur pёr botim nga Prof. As. Dr. Evalda Manovi Paci, botuar nga Akademia e Studimeve Albanalogjike, Tiranё 2018.

Studiuesja Lucia Nadin, nё kёtё vepёr tё re tё saj, tregon edhe njё herё përkushtimin e saj të veçantë ndaj Shqipërisë dhe historisë sё popullit shqiptar, në veçanti ndaj figurës sё heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, imazhi i të cilit jeton dhe përmes kësaj vepre qё sjell elemente tejet me vlerë.

Lucia Nadin, veneciane, tashmë e ka njohur nga afër Shqipërinë, ku ka kaluar periudha të ndryshme. Më parë ka botuar "Statute e Shkodrës" duke nxjerrë në dritë tekstin nga Biblioteka e Muzeut të Venecies: një "monument" i historisë mesjetare të Shqipërisë. Përmes librit "Shqiptarët në Venedik, mërgim e integrim 1479 – 1552", aa rindërtuar dukurinë e emigrimit shqiptar në krahinën e Venetos mes shekujve XV e XVI. Ka studiuar traditën ikonografike të Skënderbeut në anijen e dukëve të Venecies, të famshme Bucintoro. Ka punuar mbi mërgimin e klerit katolikë shqiptarë në tokat e Republikës së Përndritur mes shekujve XV dhe XVI. Në vitin 2010 ka marrë titullin e qytetares së nderit të Shkodrës.

Për veprën e  Lucia Nadin: Ikona e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (Nga historia te miti: shekujt XV-XVIII)Prof. As. Dr. Evalda Paci shkruan:

 

Përmbledhja studimore e realizuar së fundi nga studiuesja e mirënjohur Lucia Nadin e titulluar Ikona e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (Nga historia te miti: shekujt XV-XVIII), erdhi në një vit domethënës e në një kuadër historik përkujtimor që përkon me 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Një figurë kaq komplekse si ajo e Kastriotit tërhoqi për shekuj me radhë vëmendjen dhe interesin e biografëve, historiografëve, kronikanëve, dokumentuesve të ngjarjeve më të lavdishme e njëkohësisht më mbresëlënëse për një kontinent që u shënua ndjeshëm nga tradita e krishtërimit dhe ndikimi i kulturës fetare të krishterë, së cilës i përkasin figura shenjtorësh dhe martirësh, luftëtarësh ekzemplarë që bënë ideal të vetin mbrojtjen e një ideali të rëndësishëm që nuk ka të bëjë vetëm me krishtërimin, por dhe me koncepte të integritetit territorial dhe etnik për popuj e vise të tëra, gjithashtu dhe të vendit tonë.

Studiuesja Lucia Nadin dëshmon sërish se pasioni dhe përkushtimi ndaj gjurmimit të marrëdhënieve shekullore mes dy vendeve dhe popujve që jetuan në to, hulumtimi i burimeve arkivore që vijojnë të ofrojnë hapësira kërkimi për shumë prej nesh, përforcojnë në një aspekt mjaft pozitiv një kontekst historik që nuk përmbyllet me shekullin që lidhet drejtpërdrejt me Gjergj Kastriotin dhe me emblemacitetin e figurës dhe personalitetit të tij. Siç dhe mund të shihet nga konsultimi i krerëve kryesorë të kësaj vepre, Lucia Nadin ka bërë pjesë të këtij punimi disa sprova të cilat janë maturuar në vite, duke u bërë kështu pjesë të një korpusi studimesh që e gjejnë fillin që i bashkon në një botim si ky i sotmi, duke u bërë njëkohësisht dhe përforcuese të pistave të kërkimit që studiuesja ndjek prej vitesh, duke shpresuar në gjetje të reja dhe në përfundime po aq të denja për të zgjuar kuriozitetin shkencor, në veçanti në lidhje me variante veprash me rëndësi për kohën kur u botuan dhe për një aktualitet që ka të bëjë drejtpërdrejt me studimet albanologjike, me historinë e letërsisë së shkruar shqipe, por dhe me historinë e mesjetës së vonë, duke qenë thirrur në kauzë kësisoj disa linja: historia e shkrimit, historiku i librave të veçantë në të cilat bëhet fjalë shprehimisht për vise dhe figura të rëndësishme për studimet tona në veçanti, bibliofilia si traditë në viset evropiane dhe atyre më afër kontekstit shqiptar, e mjaft elemente të tjera që shtjellohen gradualisht me ecurinë e vetë përmbajtjes që ndërton këtë botim të veçantë. 

 Veprat e para në të cilat u memorizua jeta dhe bëmat e heroit tonë kombëtar dhe që kanë lidhje të pamohueshme me arealin kulturor veneto-padovan që mbështeste personalitete në rritje në pikëpamje formimi janë bërë objekt trajtimi nga ana e studiueses Nadin, duke u gjurmuar në lidhje me to një kontekst konkret që ka të bëjë me rrethanat e përvijimit të secilës dhe me kuadrin historik që bëri të mundur që të realizohej dalja në dritë të shtypit e secilës prej tyre. Është më se e drejtë që kur flitet për këta autorë që janë njëkohësisht dhe shkrimtarë e biografë të Gjergj Kastriotit, të analizohet dhe pas sa kohësh një kontekst i tërë që reflektohet dhe në rrethanat e realizimit konkret të tyre. Sjell në ditët tona ky këndvështrim i studiueses Lucia Nadin një vizion të ri që propozohet së pari në pikëpamje metodologjie për gjurmuesit e ditëve të sotme në disa disiplina, mbi të gjitha për historianët dhe studiuesit e teksteve të mëhershme në pikëpamje filologjike. Pjesë të një përmbledhjeje të tillë janë bërë disa trajtesa, të cilat ishin inicuar nga studiuesja Nadin vite më parë, ndërkohë që dhe i ka pasqyruar në fillesat e veta dhe në revista të rëndësishme shkencore shqiptare dhe evropiane.[1]

Me pjesëmarrjen e saj në tubime e konferenca shkencore të rëndësishme e që lidhen në pikëpamje tematike me argumentet që studiuesja ndjek e shtjellon prej dekadash të tëra, ajo ka risjellë në vëmendjen tonë rëndësinë që paraqesin gjurmimet arkivore dhe kërkimet ndaj një dokumentacioni të ruajtur prej shumë vitesh e që hedh dritë dhe mbi të kaluarën e Shqipërisë, mbi marrëdhëniet mes popujve dhe mbi figura të rëndësishme që përfaqësojnë vendin tonë me kontributet e tyre.[2]

Vëmendja e saj drejtohet prej kohësh dhe ndaj gjetjes së të dhënave konkrete mbi personalitete të historisë së shkrimit, të historisë së letërsisë së shkruar dhe një fakt të tillë e dëshmojnë dhe shkrimet e kohëve të fundit mbi Mesharin e vitit 1555 dhe mbi identitetin e autorit të tij.[3] Këto kërkime përbëjnë kontribute konkrete që pasurojnë një hapësirë që duhet plotësuar prej vitesh e që pikërisht në rastin e letërsisë së vjetër shqipe paraqitet me vështirësi të konsiderueshme që mund të kapërcehen vetëm falë hulumtimeve të thelluara në arkiva të posaçme evropiane e në të cilat ruhet një dokumentacion që lidhet veçanërisht me Shqipërinë dhe të kaluarën e saj. Në proces të kërkimeve të saj studiuesja Lucia Nadin vlerëson një sërë indicesh dhe hollësish që me shumë mundësi na shpien më afër të vërtetës që lidhet dhe me historinë e realizimit të një prej librave më të trajtuar në historinë e gjurmimeve filologjike shqiptare. Një fakt të tillë e përforcon jo vetëm këmbëngulja për të shfrytëzuar gjithnjë e më shumë burime që lidhen me tematikën e këtij libri, por dhe njohja e mirë e një konteksti që ka të bëjë me zhvillime të dijes mbi librin dhe kulturën e bibliofilisë që në kohë më të hershme, në të cilat ka parë dritën e shtypit dhe Meshari ynë. Nuk është rastësi që Lucia Nadin sjell të dhëna mbi tipografë e shtypshkronja të kohës, gjithashtu dhe mbi mecenët që kanë mbështetur dhe përkrahur botimin e librave të tillë, njëkohësisht dhe vetë daljen në dritë të shtypit të një vepre po aq themelore si Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut e Marin Barletit. Me të tilla pikëpamje shtrohet për t’u konsideruar një tjetër metodë e të trajtuarit të njërit prej argumenteve më me interes që lidhen me momente dhe elemente me rëndësi në historinë e letërsisë së vjetër shqipe dhe me vetë historinë e shkrimit shqip, të rimarrë e të trajtuar prej kohësh dhe në traditën e studimeve albanologjike në vendin tonë.[4]

Në vëmendjen e studiueses Lucia Nadin vijnë prej kohësh dhe elemente që lidhen me çështje teknografike të realizimit të veprave të rëndësishme që lidhen dhe me historinë e jetës dhe bëmave të Skënderbeut dhe një fakt i tillë pasqyrohet dhe në interpretimet që ajo sjell mbi aspekte të realizimit tipografik të veprave të Marin Barletit, njërit prej biografëve më të shfletuar dhe më të njohur nga tradita historiografike skënderbeiane. Siç dihet, vepra e Marin Barletit ka tërhequr përherë vëmendjen e studiuesve të periudhës së Skënderbeut dhe me gjithë vërejtjet dhe korrigjimet që janë mëtuar të bëhen në pikëpamje të të dhënave që sillen në përpilimet e tij, ajo ka mbetur vazhdimisht burim referencialiteti për jetëshkruesit e Gjergj Kastriotit dhe për hulumtuesit e periudhës në fjalë.

Dhe në këtë përmbledhje sprovash të paraqitura në variant të shqipëruar dhe që kanë në qendër të vëmendjes figurën e Gjergj Kastriotit të pasqyruar në një areal të afërt me tonin në pikëpamje jo vetëm gjeografike, Marin Barleti mbetet sërish një prej autorëve më të ndërmendur e që citohet dhe në pikëpamje të paragrafeve që kujtojnë episode të rëndësishme të jetës së këtij heroi, por dhe mundësi ndërlidhjeje me momente të historisë së Republikës së Venedikut, një faktor politik që ndikoi dhe në ngjarje të rëndësishme që kanë përfshirë dhe viset arbërore, ndër të cilat dhe Shkodrën e Drivastin.

Një linjë e tillë hulumtimi është pasqyruar dhe në punime të mëparshme të kësaj studiueseje e që kanë parë dritën e shtypit dhe në botime pak më të hershme në gjuhën shqipe e që në të vërtetë karakterizohen nga një linjë e ngjashme tematike. Migrimi i popullsive shqiptare dhe i familjeve nga Shkodra e Drivasti që vijuan të kenë rol dhe në jetën qytetare venedikase pas vendosjes së tyre në viset tej Adriatikut, është trajtuar gjerësisht në studimet e Lucia Nadin, duke bërë të mundur të vilen dhe të dhëna me vlerë jo vetëm biografike mbi personalitete klerikësh dhe laikësh që lanë gjurmë në historinë e qyteteve italiane të kohës.[5] Në këtë linjë gjurmimesh mund të sigurohen të dhëna mbi personazhe të caktuara dhe mbi qarqe të rëndësishme kulturore që bënë të mundur të spikasin figura me rëndësi dhe gjithashtu të përvijoheshin vepra të një rëndësie parësore për historinë e kombit tonë.

Në këtë përmbledhje studimesh edhe Rrethimi i Shkodrës risillet në vëmendjen e lexuesit dhe përmes burimesh më të veçanta siç janë “kantaret” e periudhës në fjalë, në të cilat flitet për rrethanat në të cilat gjinden të rrethuarit brenda kufijve të kështjellit të tyre dhe trimërinë e tyre përballë një rreziku të egër që konkretizohet dhe nga shifra të stërmëdha të armikut. Bëhet e mundur kësisoj të kemi një tjetër referencë në lidhje me këto ngjarje që pasojnë vdekjen e Gjergj Kastriotit dhe kësaj here përmes një gjinie të veçantë rrëfimi që ofrohet përmes tekstesh që janë transmetuar dhe që ruhen në dokumente të hershme të konsultuara dhe të interpretuara me hollësi nga studiuesja Nadin.

 Rindërtohet dhe në këtë pjesë të punimit e duke iu referuar kësaj gjinie të krijimtarisë njerëzore një ngjarje me rëndësi të madhe historike e që është bërë objekt trajtese dhe në studimet mbi vetë Marin Barletin dhe veprat e tij.[6]

Një pjesë të rëndësishme të kësaj përmbledhjeje e përbën trajtesa përmbyllëse mbi armaturën e Skënderbeut dhe pikërisht tërheqja e vëmendjes ndaj mundësisë së vendndodhjes së një pjese të saj, me shumë gjasa dhe në Venecia. Analizohen nga autorja tekste dhe manuale përkatëse, bashkë me burime në të cilat ndërmenden si figura e Skënderbeut, ashtu dhe armatura që ai duhet të ketë ngjeshur në kohë të tij. Në të vërtetë, një syth i tillë në përbërje të tërësisë përmbajtësore të këtij korpusi sprovash përbën një prej trajtesave më të pasura dhe në pikëpamje të të dhënave që sillen nga autorja, e cila ka konsultuar muzeume, pavione kulturore dhe botime specifike e mjaft të vyera që lidhen drejtpërdrejt me argumentin e sipërcituar. Përbën një trajtesë e tillë një prej pjesëve më interesante të kësaj përmbledhjeje, gjithnjë në perspektivën e mundësisë së mbërritjes në rezultate të reja të kërkimeve në vijim.

Në përmbledhjen e sipërcituar janë sjellë dhe vjelë jo pak burime bibliografike nga fusha të ndryshme të dijes, dëshmi e mbështetjes serioze dhe shkencore të autores në një pasuri të dhënash që lidhen në pikëpamje tematike me argumentet që ajo ka bërë objekt vëzhgimi dhe trajtimi në këtë vepër të sajën. Studimet që pasojnë njëri-tjetrin në këtë botim kompleks qëndrojnë më së miri në ecurinë e përcaktuar nga vetë autorja dhe bëjnë të mundur të ndiqet dhe në pikëpamje disiplinash një shtjellim njohurish që kanë të bëjnë me historinë e artit kishtar dhe arkitekturën përkatëse në krahinat që ajo vetë ka eksploruar prej shumë vitesh, historinë e urdhrave të caktuara fetare në të njëjtat vise dhe të veprave të artit që u realizuan në të njëjtat periudha të trajtuara prej saj, historinë e përpilimit të veprave të rëndësishme që lidhen me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun etj.

Mbetemi të mendimit se një përmbledhje e tillë sprovash dhe trajtesash nga ana e autores Lucia Nadin, me prirje të qartë ndaj pasqyrimit të aspekteve më pozitive të marrëdhënieve mes popujve në kohë më të hershme, me një përmbajtje që synon të reflektojë dhe jetëgjatësinë e një figure lapidare si ajo e Kastriotit në kulturën librore, në historinë e artit dhe të muzikës, në historinë kishtare të viseve tej Adriatikut, do të përfaqësojë një prurje mjaft me vlerë në traditën e botimeve albanologjike që përqendrohen në trajtimin e argumenteve që lidhen me historinë e hershme të viseve tona dhe atyre të afërta me to në pikëpamje gjeografike.

Përmbledhja me studime të shkruara kryesisht vitet e fundit nga studiuesja Lucia Nadin që sot ka titullin përfundimtar Ikona e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut (Nga historia te miti: shekujt XV-XVIII), erdhi në dorën time para afro nji viti, ndërkohë që kishte filluar a ishte shpallur zyrtarisht viti i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Autorja kishte idenë e një vepre komplekse, që zuri të merrte formë dhe të tematizohej më mirë në proces të përgatitjes për botim që nënkuptonte përkthimin në gjuhën shqipe, por dhe pajisjen me shënime shpjeguese dhe referenca që sqaronin më mirë qëllimin e saj për t’i shërbyer rindërtimit hap pas hapi të një imazhi që jetoi në shekuj mbi Skënderbeun në Venedik dhe rrethinat e tij. Në këtë vështrim, çdo kapitull që e përbën këtë vepër i shërben një filli tematik që përveç se shtjellohet në disa linja në krerët e parë të saj, merr rrjedhë mjaft interesante në pjesët që i kushtohen rrethimit të Shkodrës, por dhe armaturës së Skënderbeut që radhitet në përfundim të  shtjellimit të saj. Çdo kapitull shtyn të kihet kujdes ndaj përdorimeve që duhet të sjellin më qartë në gjuhën shqipe një kuadër që autorja e ka kujdesuar me jo pak lodhje, duke pasur prioritet të sqarohet më mirë historia e Venedikut në shekuj pasues, historia e kishës dhe e objekteve të kultit në të cilat pasqyrohen imazhe që kanë të bëjnë me shembëlltyra dhe episode biblike. Tematizimi përkatës bëri të mundur që në përfundim të kishim në dorë një vepër të plotë që besojmë do ketë interesin dhe kureshtjen e duhur shkencore nga studiues dhe lexues të kohëve tona.

Për këdo që do të shfletojë librin e sipërcituar do të jetë më se e qartë që ky i fundit përmban një pasuri të pamatë referencash dhe citimesh që shprehin dhe skrupulozitetin shkencor të studiueses për të pasqyruar një traditë studimesh që meriton të ndërmendet dhe të konsiderohet në proces të trajtimit të argumenteve që janë bërë pjesë e kësaj vepre.

Nuk mund të mos nënvizoj sërish përkushtimin e veçantë të autores Lucia Nadin, që dhe një herë shprehu me profesionalitet të rrallë afërsinë e natyrshme me vendin tonë dhe historinë  e tij, në veçanti me figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, imazhi i të cilit jeton dhe përmes kësaj vepre që shpresojmë të jetë jetëgjatë dhe e mirëpritur.

Prof. As. Dr. Evalda Paci

Tiranë, shtator 2018

03 mars 2019, 19:36