Kërko

Paraqitja e librit në universitetin katolik Lumsa Paraqitja e librit në universitetin katolik Lumsa 

Ëndrra e Françeskut: ndryshimi i ekonomisë, që të shpëtohet njeriu dhe ambienti

U paraqit në Universitetin Lumsa të Romës “doracaku i vogël (shkencor) i ekologjisë së gjithanshme”, shkruar nga Luca Fiorani, profesor fizike. Në të pasqyrohen konceptet kryesore të enciklikës së Papës Françesku “Laudato sì”, rezultatet e bisedimeve mbi klimën dhe të dhënat shkencore për gjendjen e planetit.

R.SH. - Vatikan

Një doracak i vogël shkencor prej 79 faqesh, që niset nga ekologjia e gjithanshme e Papës Françesku dhe nga temat e enciklikës “Laudato sì”, duke analizuar rezultatet e pamjaftueshme të hapave të njerëzimit në përballimin e çështjeve klimatike. Ky është libri “Ëndrra (e çmendur) e Françeskut”, shkruar nga Luca Fiorani, pedagog i fizikës e punonjës kërkimor-shkencor në Enea (Agjencia italiane për teknologjitë e reja, energjinë dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm), e publikuar nga “Edizioni francescane italiane”, që u paraqit në universitetin katolik “Lumsa”, ku jep mësim Fiorani.

Sassi (Earth Day Italy): drejt kthesës ekologjike

         “Një margaritar i vogël, që e udhëheq lexuesin drejt kthesës së vërtetë ekologjike”, siç dëshiron Papa. Me këto fjalë e përshkroi librin Pierluigi Sassi, presidenti italian i shoqatës “Dita e Tokës”, i cili shkruan parathënien. Ati i Shenjtë, nënvizoi Sassi, me enciklikën e tij, “e ka kthyer ekologjinë në çështje solidariteti ndërmjet kombeve dhe brezave”, por, fatkeqësisht, konferenca e Madridit për klimën, me rezultatet e saj zhgënjyese, shënuan një humbje të madhe për njerëzimin.

Dashuria që nxit Papën Françesku dhe angazhimin e Gretës

Autori e paraqiti librin e tij, i ndihmuar nga një sërë pyetjesh: “Ç’e shtyn një të moshuar 82-vjeçar (në ekran shihej Papa Françesku - 83 vjeç, në ditën e paraqitjes së librit), udhëheqës shpirtëror i mbi një miliard njerëzve, të gjunjëzohet e të puthë këmbët e krerëve të një kombi si Sudani i Jugut, duke u përgjëruar që të jetojnë në paqe? Çfarë e shtyn një vajzë 15-vjeçare të fillojë një grevë origjinale kundër ndryshimit të klimës (në ekran shihet Greta Thunberg), e ndjekur nga miliona bashkëmoshatarë, dhe jo vetëm, në të gjithë botën?” Përgjigja mund të përmblidhet me një fjalë: “dashuria”.

Ëndrra e një bote solidare, orientuar drejt së mirës së përbashkët

Ëndrra e Françeskut, shkruan fizikani me origjinë nga Padova, është një botë vëllazërore dhe solidare, ku ndërtohen ura e jo mure dhe ku çdo veprimtari njerëzore orientohet kah e mira e përbashkët e gjithë banorëve të planetit dhe kah marrëdhëniet e drejta ndërmjet brezave. Ja ç’thotë Luca Fiorani, në bisedë me Vatikan News, për faktin se nuk ka konsensus të plotë ndërmjet shkencëtarëve për shkaqet e ndryshimit të klimës në botë:

Tashmë, praktikisht të gjithë klimatologët pajtohen me faktin se temperatura e planetit po rritet dhe se shkaku janë gazet serë, prodhuar nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit natyror. Shkencëtarët që thonë se kjo nuk është e vërtetë, në përgjithësi, nuk janë ekspertë të klimës, por të fushave të tjera të fizikës.

A mund ta shpëtojmë akoma planetin?

         Unë mendoj se mund ta shpëtojmë patjetër. Ka një histori shumë të bukur në natyrë: 2.5 miliardë vite më parë nuk kishte oksigjen në atmosferë. Qeliza fare të vogla, cianobakteret, që kanë klorofil, emetuan oksigjen, molekulë pas molekule, për miliarda vite me radhë, prandaj, sot në atmosferë kemi 21 përqind oksigjen dhe ne mund të marrim frymë. Uroj që secili prej nesh, ndoshta pasi ta lexojë këtë libër, të jetë një cianobakter i vogël, që lëshon molekula oksigjeni në shoqërinë tonë, e cila ka shumë nevojë për të.

Rrugëdaljet: të ndryshohet stili i jetës dhe modeli ekonomik

Rrugëdaljet e përcaktuara nga Fiorani në libër janë: të ndryshohet stili i jetesës, të mendohen mirë konsumet dhe vendimet e qeveritarëve, të cilët duhen nxitur përmes manifestimeve të tipit “Friday for future”. E, të ndiqet Papa Françesku, në ëndrrën e tij më të “çmendur”, atë të enciklikës “Laudato sì”, ku kërkon të rimendohet modeli ekonomik i zhvilluar shekujt e fundit, “model grykësie”, siç u tha në maj 2019 industrialistëve të minierave, “i orientuar drejt fitimit”, “i bazuar në iluzionin e zhvillimit të pakufizuar ekonomik”. Vetëm dashuria për natyrën dhe për njerëzit, që jetojnë në këtë planet, sot dhe në të ardhmen, përfundon autori, do t’i japë mundësinë njerëzimit ta kapërcejë vetveten, duke ndryshuar bindjet para kufijve të caktuar nga natyra.

18 dhjetor 2019, 15:06