Nexhmije Hoxha Nexhmije Hoxha 

Vdiq Nexhmije Hoxha

Në moshën 99-vjeçare, vdiq në Tiranë gruaja e ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha, Nexhmija.

R.SH. - Vatikan

Në moshën 99-vjeçare, vdiq në Tiranë gruaja e ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha, Nexhmija. Se ajo dhe familja e saj nuk janë penduar asnjëherë për errësirën në të cilën e zhytën popullin shqiptar, për persekutimet e klerit, të besimtarëve, të intelektualëve e, edhe të njerëzve të thjeshtë “që nuk ndiqnin vijën e Partisë së Punës”, e tregon qartë mesazhi, me të cilin i biri, Ilir Hoxha, lajmëron vdekjen e komenton: “gjithë jetën e saj ia kushtoi lirisë së Atdheut dhe ndërtimit të Shqipërisë së re, përparimit dhe emancipimit të shoqërisë shqiptare”, duke shtuar se familja do të ndihet gjithnjë krenare për këtë.

Lirinë e atdheut, ish-drejtoresha e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Komitetin Qendror të PPSH-së, së bashku me të shoqin, e mbytën në vrasjen e në burgosjen e mijëra vetëve, që s’kishin bërë faj tjetër, veçse të mendonin ndryshe nga komunistët; e groposën në varret masive të njerëzve, pushkatuar pa gjyq e në qelitë e torturave; e mohuan madje, edhe për vetë shokët e tyre, si për të dëshmuar edhe një herë se “revolucioni gëlltit bijtë e vet” (Pierre Victurnien Vergniaud).

Ndërsa Shqipëria e re, që ndërtuan me zell, e shndërroi njeriun, duke e larguar gjithnjë e më shumë nga ngjashmëria e shembëllimi me Zotin e amshuar, e la popullin pa bukë e të paparë, të ndryrë brenda hekurave të një vendi, që shihte kudo armiq e me këtë ndjesi i edukonte edhe fëmijët, që në djep. Ky qe “përparimi dhe emancipimi” i shoqërisë shqiptare, e cila, edhe pas rënies së shtatores së diktatorit, është ende në kërkim të rrugës për të dalë përfundimisht nga komunizmi.

Nesër, do të varroset në Sharrë ajo, që u dënua me burgim për 30 kafe më shumë, në vend që të gozhdohej para gjyqit për këto krime xhelatësh. Tashmë, përgjigjet para një gjyqi më të madh…

26 shkurt 2020, 18:18