1602593115795.jpg

Lajme nga bota: Covid-19, Nagorni Karabak, Belarus, Donald Trump

Johnson & Johnson pezullon testimin e vaksinës kundër koronvirusit; nuk respektohet armëpushimi në Nagorni Karabak; vijojnë protestat kundër presidentit Lukashenko; presidenti Dondald Trump mbajti mitingun e tij të parë pas shtrimit në spital për Covid-19; akullnaja e Arktikut ka rrezik të zhduket krejtësisht gjatë verës...

R.SH. - Vatikan

Covid-19: pas firmës Astrazeneca, edhe Johnson & Johnson pezullon testimin e vaksinës kundër koronvirusit, pasi njëri nga pacientët paraqet simptoma të një sëmundjeje të pashpjegueshme. Ndërkohë, në Evropë e në vende të tjera të botës, shumëfishohen rastet më Covid-19 dhe shtohen kufizimet. Edhe Shqipëria ka vendosur përdorimin e maskave kudo, ashtu si fqinja e saj Italia, ku që sot, janë shtrënguar masat, që kanë të bëjnë me jetën e natës, janë ndaluar festat private, eskursionet e udhëtimet shkollore e janë vendosur kufizime për sportet amatoriale. Virusi ngre kryet edhe në Kinë. Pas dyshimeve për 6 raste, fillojnë testet për 9 milion banorët e Quingdao-s.

Manifestim në favor të paqes në Nagorni Karabak
Manifestim në favor të paqes në Nagorni Karabak

         Nagorni Karabak: në këtë rajon ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit nuk respektohet armëpushimi i vendosur të shtunën me ndërmjetësimin e Rusisë. Moska dhe bashkësia ndërkombëtare bëjnë thirrje të re për paqe, por ndeshjet vazhdojnë. Armenia dhe Azerbajxhani akuzojnë njëri-tjetrin për bombardime të rënda, pa lëshuar pe. Këto ditë, edhe Papa Françesku shprehu keqardhjen e tij për gjendjen e krijuar dhe u bëri thirrje palëve të ulen në tryezën e bisedimeve.

         Belarus: vijojnë protestat kundër presidentit Lukashenko. Policia kërcënon të përdorë armë zjarri kundër manifestuesve, ndërsa Bashkimi Evropian deklaron se është gati për sanksione, nëse Lukashenko nuk impenjohet në bisedime me opozitën. Dje, u arrestuan 713 vetë e megjithatë, edhe të moshuarit zbritën në rrugë për të kërkuar largimin e Lukashenkos nga pushteti, të cilin po e mban me forcë. Vetëm në Minsk manifestuan rreth 100 mijë vetë.

Presidenti amerikan Donald Trump
Presidenti amerikan Donald Trump

         Shtetet e Bashkuara të Amerikës: presidenti Dondald Trump mbajti mitingun e tij të parë pas shtrimit në spital për Covid-19. Sipas mjekëve të Shtëpisë së Bardhë rezultoi negativ pas testit antigjenik, i cili është gjithsesi, më pak i ndjeshëm, pra, më pak i besueshëm se tamponi molekular rinofaringeal.

         Turqi: Ankaraja dërgon sërish një anije kërkimore në Mesdhe për të gjetur burime me gaz natyror. Anija “Oruc Reis” lundron në ujra ndërkombëtare, por si Turqia, ashtu edhe Greqia, e konsiderojnë rajonin e kërkimit si “zonë ekonomike ekskluzive”. Kështu, pashmangshmërisht, rritet tensioni ndërmjet dy vendeve.

         Kosta Rika: ipeshkvijtë u kërkojnë institucioneve dhe kreut të shtetit hapjen e një dialogu transparent për kapërcimin e tensioneve shoqërore. Jo më larg se dje, një grup protestuesish u përlesh me policinë në afërsi të Pallatit Presidencial, gjatë një manifestimi kundër marrëveshjes së mundshme qeveritare me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), që do t’i shtonte taksat për vendin.

Norvegjia
Norvegjia

         Klima: akullnaja e Arktikut ka rrezik të zhduket krejtësisht gjatë verës. Ky është përfundimi i ekspeditës më të rëndësishme shkencore në Polin e Veriut. Për Kombet e Bashkuara, që sot kremtojnë Ditën Ndërkombëtare për Reduktimin e Fatkeqësive Natyrore, ndryshimi i klimës është shkaku i dyfishimit të katastrofave natyrore në botë që nga viti 2000.

13 tetor 2020, 14:49