Kërko

Assisi, Economy of Francesco presentazione Assisi, Economy of Francesco presentazione 

Lëvizjet popullore, takim online: në botë ndjehet një defiçit i rëndë i dinjitetit njerëzor

Pas takimeve botërore në Vatikan (2014 e 2016) dhe në Bolivi (2016), me Papën Françesku, lëvizjet popullore organizojnë një seminar, për t’iu përgjigjur letrës së Papës për Pashkë dhe sfidës së pandemisë, e edhe për t’u përgatitur për “The Economy of Francesco” të 19-21 nëntorit. Kardinali Turkson: Dikasteri i Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor do ta mbështesë projektin për Universitetin Latinoamerikan të periferive.

R.SH. - Vatikan

Në sistemin aktual ekonomik e politik “ndjehet fort një mungesë e madhe e dinjitetit njerëzor, që duhet korrigjuar”, prandaj lindën lëvizjet popullore  e prandaj Papa Françesku, në Enciklikën “Fratelli tutti” bën thirrje për kthesë politike, që “mund të favorizohet shumë nga edukimi”. Me këto fjalë kardinali Peter Turkson, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, e përfundon webinarin - apo seminarin - e takimit botëror të lëvizjeve popullore me dikasterin e tij, përfaqësuar edhe nga zëvendës-sekretari, kardinali Michael Czerny, që moderoi  pjesën e parë të takimit.

Udhë e nisur me Papën, në vitin 2014

Pas takimeve botërore të 2014-tës në Vatikan, atij të Bolivisë, mbajtur në Santa Cruz de la Sierra, më 2015, e përsëri në Vatikan, më 2016, gjithnjë në praninë e Papës  Françesku, si dhe shtegtimit në Temuko të Kilit, në vitin 2018, përsëri për t’u takuar me Atin e Shenjtë, që po vizitonte vendin, lëvizjet popullore  mblidhen online, në një botë, që vijon të goditet rëndë nga pandemia e Covid-19.

Pandemia e vë edhe më shumë në dukje mungesën e dinjitetit njerëzor

Jetojmë në një kohë emergjence shëndetësore dhe ekonomike - nënvizon kardinali Turkson - që e thellon më tej mungesën e dinjitetit njerëzor  në botë, me vëshirësitë që ndeshin të varfërit për të siguruar mjekimet e duhura. Defiçit që, siç na e kujton enciklika “Fratelli tutti”, nuk përputhet me natyrën tonë të përbashkët si vëllezër, që jetojnë në gjirin e së njëjtës histori. Prefekti përshëndeti projektin e Universitetit latinoamerikan  të periferive (Ulpe), që do  konkretizojë edukimin e gjithanshëm emancipues, paraqitur gjatë seminarit nga atë Charly Olivero dhe nga Curas villeros,   famullitarët e periferive argjentinase, dhe siguroi se dikasteri i tij  do ta mbështesë edhe financiarisht.

Ambasadorja e Almendras: sistem  ekonomik, që duhet ndryshuar

Para fjalimit përfundimtar të kardinalit ganez, që përmblodhi arritjet e takimit, koordinuar nga Union de trabajadores de la economia popular (Argentina) me pjesëmarrjen edhe të  Via campesina braziliane (Brazil), të Slum Dwellers (Jugu i Afrikës), të Legës italiane të punëtorëve të krahut dhe Lëvizjes botërore të punëtorëve të krishterë (Mmtc), Maria del Carmen Almendras, ish-ambasadore e Bolivisë, kujtoi se ky sistem kapitalistik  nuk u përgjigjet  nevojave shëndetësore dhe mirëqenies të të gjithë banorëve të planetit”. Pandemia, në vijim, vetëm sa po i vë në dukje pabarazitë e thella  shoqërore e prandaj, kujtoi Almendras, Papa Françesku  kërkon të krijohet një sistem i shëndetësisë publike botërore.

Letra e Papës drejtuar lëvizjeve në Pashkët 2020

Videokonferenca e lëvizjeve popullore, transmetuar drejtpërdrejt në You Tube e Facebook, u nis nga përgjigjja e asaj, që Françesku, në Letrën drejtuar lëvizjeve, e quan “ushtri e padukshme”, e armatosur me solidaritet. U ripohua angazhimi i tri T-ve për të gjithë: Tokë, Çati, Punë (që në spanjisht nisin me “T”) dhe lufta  për pagë universale, kërkuar nga Françesku për kë nuk mund të punojë, e as t’i bëjë ballë goditjes nga kjo krizë shëndetësore, shoqërore, ambientale dhe ekonomike. Lëvizjet, me ftesën e Françeskut, po studiojnë edhe “projektin e gjithanshëm të zhvillimit njerëzor që dëshirojmë”, pas krizës.

Lëvizjet popullore drejt “The Economy of Francesco”    

Ekonomistët dhe bashkëpunëtorët shkencorë argjentinas, brazilianë e haitianë, po reflektojnë  mbi kontributin  e lëvizjeve popullore  në ngjarjen e madhe të nëntorit “The Economy of Francesco”, online nga 19 deri më 21. Kriza e sotme shoqërore-ambientale, përshkruar nga Françesku  në enciklikën “Laudato si”, për Marina Oliveira, projekt-manager e kryedioqezës braziliane të Belo Horizonte, nuk mund të kapërcehet nga sistemi kapitalist. Duhet një sistem i ri! E trishtuar - vijon - “ të shikosh  se shumëkush kërkon ta zbusë mendimin e Varfanjakut të Asizit”, po ekonomia e Françeskut dhe e Kjarës “është antikapitaliste”. I bën jehonë studiuesja braziliane, e specializuar në lënden e zhvillimit ekonomik, Juliane Forno, për të cilën në Letrën e thirrjes për të marrë pjesë në ngjarjen e Asizit e 1 majit 2019, Papa Françesku i bën një kritikë rrënjësore neoliberalizmit dhe kapitalizmit grabitqar”. E më pas paraqet dokumentin që lëvizjet popullore  do të sjellin në ngjarjen e nëntorit, në të cilën mbështetet ideja se prodhimi, shitja dhe konsumi i të mirave materiale duhet t’u shërbejnë nevojave të njeriut e jo anasjelltas, siç ndodh në modelin e sotëm konsumistik.

27 tetor 2020, 09:40