Gëzuar e Bekuar 28 nëntorin, Festën e Flamurit
R.SH. - Vatikan
Gëzuar e për Shumë Vjet Festën e Flamurit
28 nëntori është ditë patriotësh për shqiptarët. Më 28 nëntor, kudo ndodhen e nga çdo trevë ta kenë prejardhjen, shqiptarët kremtojnë Festën e Pavarësisë, Festën e Flamurit. Dita e 28 nëntorit është dy herë e kremte e madhe. Më 28 nëntor 1912, siç u mësohet të gjithë vogëlushëve shqiptarë në shkollë, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke e bërë Shqipërinë “të pavarme dhe të mëvetme” nga perandoria otomane, e cila e mbajti popullin nën zgjedhë për 500 vite me radhë. Pavarësi, që u deshën të tjera vite, shumë sakrifica e shumë gjak , për t’u njohur nga Fuqitë e Mëdha të kohës. E po më 28 nëntor, por në vitin më të largët 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës.
Për shkak të koronavirusit, si asnjë herë tjetër, 28 nëntori i sivjetëm kremtohet nё mёnyrё tё thjeshtё, nëpër shtëpi. Edhe nismat tjera solemne si koncerti, që zakonisht mbush sheshet e Tiranës, do të transmetohet në rrjetet shoqërore e të gjitha veprimtaritë tjera do të jenë disi nën tonin e zakonshëm. E megjithatë, për çdo shqiptar, pavarësisht se në kushte të veçanta, rreth vatrës së vet familjare, data e 28 nëntorit 1912 mbetet ditë patriotësh e lirie.
28 nëntori nuk është një përvjetor i thjeshtë. Është kremtimi i demokracisë dhe vlerave themelore të jetës sonë të përditshme, i identitetit dhe kulturës sonë. Është kremtimi i të qenit tonë shqiptarë. Prandaj, të gjithëve, Gëzuar e për Shumë Vjet Festën e Flamurit.
Atë Gjergj Fishta : Himni i Flamurit Kombtàr
1 Porsi fleta e Êjllit t’ Zotit
Po rreh Flamuri i Shqypnís
E thrret t’bijt e Kastrijotit
Me u mbledhë tok nder çetë t’ushtrís.
2 Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!
A ngadhnyesë a t’gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
3 Për mbas Flamurit t’vet Shqyptari,
Kúr rrokë armët per t’drejta t’veta,
Atje lufta ndezet zhari,
Atje anmiku vêhet m’t’leta.
Bini, Toskë! etj.
4 Mbi njatë Flamur Perendija
Me dorë t’vet Ai e ka shkrue:
“Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija:
Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”
Bini, Toskë! etj.
5 Shka? a thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,
Qi vetë Zoti na ka dhânun,
Sod me e shkelë kamba e poshtnueme
E nji t’huej’t na kem’ m’ia lânun?
Bini, Toskë! etj.
6 Ah; jo, kurr. Njiqind herë para
Kem’ me u shkrî me grá, me fmi!
Kem’ me mbetë kortar nder ara,
Se me shkelë lâmë t’ huej’n n’ Shqypní.
Bini, Toskë! etj.
7 M’kambë , Sokola të Shqypnís!
Flamri i ynë, qe, n’ajr po shtiellet
Si pol veshet t’Perendís,
Kah na bân hije prej qiellet.
Bini, Toskë! etj.
8 Mâ mirë dekë me u shue nen hije
T’Flamrit t’onë në fushë t’mejdanit,
Se me rrnue nji jetë robnije
Për nen sukuj t’huejë t’Balkanit.
Bini, Toskë! etj.
9 Armët e besën na i njeh bota;
Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,
Luften né na e msoj Kastrjota:
Kê, theu, frigë, do t’ kén Shqyptarët?
Bini, Toskë! etj.
10 Urra! djelm, eh ’u dhashtë e mbara!
Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!
Flamri i ynë, qe, u nis përpara:
Ndihmo, Zot, për Atme e Fé!
Bini, Toskë! etj.