Kërko

Më 14 Nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit

Kongresi i Manastirit u mbajt nga 12 - 20 nëntor 1908, mbi çështjen e ndërlikuar të alfabetit shqip, nën kryesinë e Midat Frasherit, me nënkryetar Gjerasim Qiriasin e me sekretar Luigj Gurakuqin.

R.SH. - Vatikan

Kongresi i Manastirit (Kongresi i Alfabetit) më 14 nëntor – 22 nëntor 1908, takimi i dijetarëve shqiptarë për përcaktimin e çёshtjes së ndërlikuar të alfabetit të gjuhës shqipe.  Historia e alfabetit të shqipes është shumë e gjatë dhe e ndërlikuar: lidhet ngushtë me fillimin e lëvizjes kombëtare shqiptare për çlirim nga Turqia. Nis me alfabete të përdorura nga persona të veçantë, vijon me të tjerë, përdorur nga shoqëritë e para jashtë e brenda atdheut, si Shoqnia e Stambollit, “Bashkimi” e “Agimi” të Shkodrës e, shkon deri më 12 nëntor 1908, kur në Monastir u mblodh Kongresi që kishte për qëllim vendosjen e një alfabeti të përgjithshëm. 

Kongresi i Manastirit u mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908 për të vendosur për çështjen e ndërlikuar të alfabetit . U organizua nga shoqëria Bashkimi dhe u propagandua nga Mid'hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:"... ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar' e papengim të punojmë për mbrodhësin' e lumtërin' e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë."- Kështu shkruante Mid'hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë.

Ndër pjesëmarrësit e shquar në Kongresin e Manastirit qenë At Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri. Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë antarësh nën kryesinë e At Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj frymne qe At Fishta i cili shpjegoi se sido që i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm.

Tre alfabetet kryesorë që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës i propozuar nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës, i hartuar nga Imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine.

U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit.

Të dy mund të përdoreshin në shkolla e në botime. Pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë, por, me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.

14 nëntor 2020, 13:16