OKB, shtohet uria në botë, për shkak të Covid
R.SH. - Vatikan
Vlerësimi i parë global mbi gjendjen e të uriturve në botë, në kohë pandemie, nxjerr në dritë rezultate dramatike. Numri i tyre është rritur me 18%. Mbi 2 miliard vetë nuk kanë mundur të ushqehen si duhet gjatë vitit 2020 e ky numër është shtuar me 320 milion, vetëm gjatë vitit të kaluar. Pandemia e ka keqësuar edhe më tej prirjen, e cila vijon prej kohësh, siç shpjegohet në një raport të OKB-së, i cili i referohet vitit 2020. Në të vihet në pah “dobësimi i sistemeve ushqimore, për shkak të faktorëve të rëndësishëm si konfliktet, ngjarjet ekstreme klimatike, ngadalësimet dhe kthimet pas në ekonomi”. Emergjenca shëndetësore, nënvizohet në raport, ka goditur vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme, por pasojat më të rënda i kanë vendet, të cilat vuanin edhe më parë.
Të dhënat alarmuese
Raporti, rezultat i impenjimit të organizatave ndërkombëtare si FAO, Ifad, Unicef, Programi Ushqimor Botëror dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, kujton se gjysma e njerëzve të paushqyer (418 milion) jetojnë në Azi, mbi një e treta (282 milion) në Afrikë, ku statistikat nuk janë aq të besueshme, prandaj, mendohet se gjendja është dyfish më e keqe. E, më tej, 60 milion njerëz vuajnë nga uria në Amerikën Latine dhe Karaibe. Vuajnë seriozisht fëmijët. Në vitin 2020, 149 milion vogëlushë nën pesë vjeç kishin vonesë në rritje, ndërsa për 45 milion prej tyre, gjendja përkeqësohej më tej, duke kaluar në uri kronike. Raporti i OKB-së vë në dukje se po rritet edhe pabarazia ndërmjet burrave dhe grave: në vitin 2020, pasiguria ushqimore preku 11 gra çdo 10 burra.
Fazë kritike
OKB-ja e përcakton kohën që po jetojmë si “fazë kritike”, duke kërkuar ndërhyrje për sigurimin e ushqimit. “Këtë vit, kemi një mundësi të pashembullt për të bërë hapa përpara – shkruhet në raport - përmes transformimit të sistemeve ushqimore falë Samitit të Kombeve të Bashkuara mbi sistemet ushqimore, Takimit “Ushqimi për zhvillimin” dhe falë COP26 mbi ndryshimin e klimës. Synimi “Uria zero” deri në vitin 2030 është larg realizimit, pasi ende, rreth 30 milion njerëz, do të vazhdojnë të vuajnë nga pasojat e pandemisë, që në vendet e tyre, janë bërë të qëndrueshme”.