30 vjet më parë, heksodi-simbol i shqiptarëve në Itali

Më 8 gusht 1991 bregdeti italian i Mesdheut do të shikonte zbarkimin më të madh të migrantëve ngarkuar mbi një anije të vetme. Ishte një çast kulmor i rebelimit të popullit shqiptar, posaçërisht i të rinjve krahëprerë, që nuk mund ta duronin më regjimin totalitarist të komunizmit, ndërsa ëndërronin brigjet e lira. Udhët e botës së madhe!

R.SH. - Vatikan

Ishte 8 gushti i vitit 1991, kur zemërimi popullor kundër regjimit komunist në Shqipëri, pas viteve të gjata të varfërisë e të mbylljes në kafazin me hekura, pas kalvarit të tmerrshëm, pas një jete larg çdo lidhjeje me botën e madhe, shpërtheu në një mori formash.

Anija ‘Vlora’ e tejmbushur me qytetarë, të mbledhur nga të katër anët e Shqipёrisё komuniste, të vuajtur dhe të varfër, qё thyen barrierat dhe frikën, pasqyron mё sё miri aspiratën e shqiptarëve për liri pas diktaturës komuniste. Ai i anijes tregtare “Vlora” ishte episodi më drithërues, por jo i vetmi për shqiptarët , pas dy heksodeve historike, ai i ambasadave të korrikut ’90 dhe anijeve të marsit ’91.

Ajo që e çuditi më shumë mbarë botën, ishte kalimi i Mesdheut mbi një anije, e cila rrezikohej të mbytej nga pesha e njerëzve, që ikinin me lot në sy nga atdheu, si stërgjyshërit e largët në kohën e pushtimit turk. Nuk ndiqeshin nga hordhitë osmane, po nga hordhitë e të vetëve, që kishin përqafuar ideologjinë komuniste. E kërkonin ndihmë nga të huajtë. Skllevër të diktaturës komuniste, kërkonin të shijonin lirinë njerëzore!

Qytetarët kishin si synim të shijonin lirinë e mohuar

Për t’u çuditur sesi nuk u mbyt ajo anije, e ngarkuar në mënyrë aq tragjikomike! Me vile njerëzish, që vareshin mbi supet e njëri-tjetrit. Me një synim të vetëm: të shijonin lirinë e mohuar: lirinë për të menduar, lirinë për t’u shprehur, lirinë për ta jetuar jetën sipas vullndesës së Zotit; lirinë shpirtërore e materiale, që u kish munguar për tre çerekë shekulli, kur Shqipëria socialiste “ishte e ardhmja e botës”, që lavdi Zotit, shpëtoi nga një rrezik i tillë! Ishte etapë e një procesi historik  të veçantë, kjo që po jetonte Shqipëria.

Telat me gjemba po shembeshin, po hapeshin rrugët e botës

Telat me gjemba po shembeshin. Rrugët e pafundme të botës po hapeshin. Njerëzve, që vareshin tek njëri-tjetri, si vilet në vresht, nuk u durohej, mbasi nuk u besohej se pas pak do të shkelnin në atë që, si e patën njohur nga ekranet e televizorit, edhe ata të ndaluara, e patën quajtur “Bota e lirë”. Nisën, prandaj, të hidheshin nga anija - në det, për të arritur me not në portin aq të dëshiruar.

Etapë e një procesi historik të veçantë

Ishte etapë e një procesi historik të veçantë, ngarkuar edhe me ngjarje të veçanta, deri në atë çast vetëm të ëndërruara. Ndërmjet tyre, ngjarja më fatbardhë, e paharrueshme. Papa Gjon Pali II, njeriu që shembi muret e diktaturave komuniste e që e ndiqte me vëmendje të madhe, duke u lutur,  atë popull të ngratë, shkeli në tokën shqiptare. E kjo ua kalonte të gjitha ëndrrave! Papa, pasi e kishte puthur dheun tonë të braktisur nga shumë bij,  që i kthyen shpinën, i la trashëgim këto fjalë: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt udhëve të solidaritetit”.

Ecja nisi, po krahas saj vijoi edhe fenomeni, që asokohe çuditi Italinë e botën!  Vijoi … e vijon. Me forma të ndryshme, por me të të njëjtat dëshira. Pa pyetur se zhgënjimi endet edhe në brigjet, që shqiptarët i kujtonin si të pasura e të lira…  E që tani u frymëzojnë ëndrrën e kthimit!

Ndoshta prandaj kryipeshkvi i parë i Shkodrës pas diktaturës, Imzot Frano Illia, kur vizitoi shqiptarët e Amerikës, pati bërë një thirrje, që çuditi shumëkënd: “Gra, vajza, ma mbushni Amerikën me shqiptarë të vogjël”. Mendonte, ipeshkvi i mirë, se çdo ikje ka edhe kthimin mbrapa!

08 gusht 2021, 15:59