Toka digjet e njeriu s’mund të rrijë duarkryq
R.SH. - Vatikan
E kuqe e ndezur: kjo është ngjyra, që bie në sy, në pamjet me të cilat NASA informon për zjarret, që kanë rënë nëpër botë. Falë të dhënave të mbledhura me instrumentin satelitor Modis, mund të shihet se përveç Greqisë, ku vazhdon të digjet ishulli Evia dhe Italisë, ku emergjenca e zjarrit prek në veçanti jugun, digjet edhe një pjesë e madhe e Amerikës Veriore dhe Jugore dhe zona të gjera të kontinentit afrikan, përfshirë Zambien, Angolën, Malavin dhe Madagaskarin. E nuk bën përjashtim as Shqipëria, ku ishte në rrezik Parku i Llogarasë e zona të tjera, sidomos në Mirditë e në Kukës. Deri tani, policia ka arrestuar 15 vetë, që dyshohen se u kanë vënë qëllimisht zjarrin pyjeve dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë këdo shohin të kryejë veprime të tilla, duke u garantuar anonimatin dëshmitarëve.
Në Algjeri, vdekje e shkatërrim
Bilanci më serioz është sigurisht ai i Algjerisë, ku së paku 42 vetë gjetën vdekjen nga flakët, përfshirë 25 ushtarë, që ndërhynë për të ndihmuar popullsinë. Të paktën 17, viktimat civile. Më se 70 zjarre kanë shpërthyer në 14 rajone të veriut të vendit. Dje, ministri i brendshëm, Kamel Beldjoud, tha qartë se “pesëdhjetë zjarre, që shpërthejnë njëkohësisht, mund të jenë vetëm të qëllimshme”. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ushtarët “shpëtuan 110 vetë nga flakët, përfshirë shumë fëmijë”.
Rekord tragjik në Kaliforni
Përhapur në një sipërfaqe prej afro 2.000 kilometrash katrorë, i ashtuquajturi zjarri Dixie është më i madhi i regjistruar ndonjëherë në Kaliforni, duke tejkaluar edhe Creek Fire, që shkatërroi Central Valley vitin e kaluar. Zjarrfikësit arritën të frenojnë vetëm 21% të flakëve, që javën e kaluar e dogjën pothuaj tërësisht Greenville, duke shkatërruar qindra ndërtesa. Ende, flakët nuk lejojnë as vlerësimin e dëmit. Fatmirësisht, nuk pati viktima.
Greqia ka nevojë për ndihmë
Në Greqi, qeveria e Athinës ka caktuar 500 milionë euro për emergjencën e shkaktuar nga zjarri, që filloi më 3 gusht dhe akoma vijon, veçanërisht në ishullin Evia. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i kritikuar nga opozita dhe nga disa administratorë lokalë, i kërkoi falje kombit. “Bëmë gjithçka të mundshme, por në shumë raste nuk ishte e mjaftueshme”, pranoi ai. Greqia i ka kërkuar ndihmë bashkësisë ndërkombëtare, ashtu siç ka bërë edhe Shqipëria, në territorin e së cilës po veprojnë mjete të Bashkimit Evropian e të SHBA-ve.
Zjarret dhe rritja e temperaturave
Duke paraqitur raportin e fundit të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), Sekretari i përgjithshëm i OKB -së, António Guterres, theksoi se është koha e “një kodi të kuq për njerëzimin. Këmbanat e alarmit janë shurdhuese dhe provat, të pakundërshtueshme. Pragu i ngrohjes me 1.5 gradë më shumë në krahasim me nivelet paraindustriale është rrezikshmërisht afër. Prandaj, duhet të veprojmë me vendosmëri tani”. Zjarret e kësaj vere lidhen pjesërisht edhe me valët e jashtëzakonshme të nxehtësisë. Prandaj, kujdesi për klimën dhe shtëpinë e përbashkët është qendror, siç kujton Papa Françesku në fragmente të ndryshme të enciklikës “Laudato si’”, për shembull në pikën 23 të kapitullit të parë:
“Në dekadat e fundit, kjo ngrohje është shoqëruar me rritjen e vazhdueshme të nivelit të detit dhe vështirë të mos e lidhësh me shtimin e episodeve të motit ekstrem, pavarësisht se nuk mund t’i atribuohet çdo fenomeni një shkak i përcaktuar shkencërisht. Njerëzimi është i thirrur të ndërgjegjësohet mbi nevojën për ndryshime në stilin e jetës, në prodhimin dhe konsumin, për ta luftuar këtë ngrohje globale ose, të paktën, shkaqet njerëzore, që e prodhojnë ose e theksojnë atë”.