Don Gjon Bosko, atë e mësues pranë të rinjve
R.SH. - Vatikan
Mësues “i mbështetur nga besimi i patundur në Zotin, Atë në shërbim të të rinjve, duke nisur nga më të varfrit e më të braktisurit”, që “propozoi një stil edukativ të bazuar mbi arsyen, fenë, dashurinë”. Ky është portreti i don Boskos, i pikturuar nga Papa Françesku gjatë vizitës baritore në “zemrën e jetës dhe veprimtarisë së shenjtit piemontez, në vitin 2015, në Bazilikën e Zojës Ndihmëtare të Torinos. “Shenjt i madh, atë mësues i rinisë” e quajti Françesku edhe dje, natën e festës së tij, “shenjt, që nuk u mbyll në sakresti, por me frymën e tij karakteristike krijuese, doli në rrugë për t’i kërkuar të rinjtë”.
Pali VI e Dom Bosko
Më 20 dhjetor 1971, duke takuar salezianët në përfundim të Kapitullit të tyre të përgjithshëm, Pali VI u shpreh kështu për Pajtorin e të rinjve:
“Njeri i cili i jetoi kërkesat e përshpirtërisë e të shërbimit meshtarak që mbeten të pandryshueshme në shekuj e sot, ashtu si dje, quhen: “Bashkim me Zotin, dashuri për Kryqin, shkëputje nga pasuritë tokësore, shpirt i lutjes, pastri, dëgjesë e kushtim i plotë në shërbim të të afërmit”.
Gjon Pali II: Pajtor i të rinjve
Në figurën e dom Boskos vërejmë “ndërshkëmbimin e edukimit me shenjtërinë”. Kështu u shpreh Shën Gjon Pali II në vitin 1996, duke iu drejtuar salezianëve e duke u shpjeguar se Apostulli i të rinjve “e realizoi shenjtërinë e tij përmes angazhimit edukativ, të jetuar me zell e zemër apostolike e diti ta propozojë, njëkohësisht, shenjtërinë si cak konkret të pedagogjisë së tij”
Benedikti XVI, Shenjt me një pasion të vetëm
“Dom Bosko ia kushtoi jetën e tij shpirtërore dhe apostolike një “programi” të mirëpërcaktuar: “Da mihi animas, cetera tolle”(Më jep veç njerëzit, pasurinë mbaje për vete) – shkëputur nga Libri i Zanafillës. Në këto fjalë, kujton Benedikti XVI në letrën drejtuar më 2008 pjesëmarrësve në Kapitullin e përgjithshëm të salezianëve “përmblidhet i gjithë personaliteti i Shenjtit të madh: njeri me përshpirtëri të thellë, me frymë të rrallë krijuese, me dinamizëm apostolik e aftësi të rralla për punë”. "Shenjt me një pasion të vetëm: 'Lumninë e Zotit e shëlbimin e shpirtrave'”.
Piu XI, Funerali i Tij u duk si triumf
Gjon Bosko vdiq në moshën 72 vjeçare, më 31 janar 1888, në Torino. Salikimet u kremtuan në Kishën e Zojës Ndihmëtare. “Në shoqërimin solemn funebër – kujton Piu XI në ditën e shpalljes së tij Shenjt (1 prill 1934) - mori pjesë një turmë pa fund njerëzish. Ndaj më shumë se funeral, u duk si të ishte triumf. Pas vdekjes ai po gëzon famën e shenjtërisë, të cilën e kishte merituar në jetë”.