Kërko

Plastikë njëpërdorimshe Plastikë njëpërdorimshe

Në Evropë, s’mund të qarkullojë më plastika njëpërdorimshe

Duke filluar nga dita e sotme, 14 janar 2022, në Evropë nuk mund të qarkullojnë më prodhime jo të biodegradueshme, që nuk shndërrohen në pleh. Shpesh, Papa Françesku ka vënë në dukje pasojat e përdorimit të materialeve plastike për ambientin

R.SH. - Vatikan

Ndotja e ambientit nga materialet plastike ka arritur në nivele të patolerueshme, prandaj, në kuadrin e një strategjie globale, që sot, 14 janar 2022, Bashkimi Evropian ndalon qarkullimin e çdo sendi plastik, që zakonisht, përdoret vetëm një herë. Këtu hyjnë enët njëpërdorimshe, i ashtuquajturi “cotton fioc”, tullumbacet, pipat për të thithur lëngje, qeset, kapakët, tapat e prodhime të tjera, realizuar në plastikë. Ky ndalim përdorimi nuk ka të bëjë me ato sende plastike, që mund të lahen e nuk përdoren vetëm një herë. Për ata, që nuk e zbatojnë rregullën, parashikohet gjobë, e cila mund të shkojë nga një minimum prej 2.500 eurosh deri në një maksimum prej 25 mijë eurosh.

Plastika, që përfundon në ushqim

         Në Evropë prodhohen çdo vit rreth 58 miliardë ton plastikë. Ky material përdoret kryesisht për ambalazhe (40%), por edhe për artikuj të ndryshëm shtëpiakë (22%). Fusha të tjera të përdorimit janë ndërtimet (20%), sektori i automobilave dhe i kamionëve (9%), si edhe ai i aparateve elektrike (6%). Së fundi, në masën 3%, plastika përdoret edhe në bujqësi. Riciklohet vetëm 30% e këtij materiali, që nuk degradon lehtë e duron në kohë, duke ndotur ambientin. Në det, dekompozohet në grimca, që gëlltiten nga peshqit, duke përfunduar në ushqimin e njerëzve.

Përgjegjësia për ambientin

         Papa Françesku i kujton shpesh dëmet, që shkakton plastika në ambient. Në enciklikën “Laudato si’”, nënvizon se “edukimi me përgjegjësi për ambientin mund të inkurajojë sjellje, që kanë ndikim të drejtpërdrejt e të rëndësishëm në kujdesin për të, si shmangia e përdorimit të materialeve plastike, ose të letrës, ulja e konsumit të ujit, diferencimi i plehrave, gatimi për aq sa mund të hahet, trajtimi i arsyeshëm i qënieve të gjalla, përdorimi i transportit publik, ose i së njëjtës makinë nga persona të ndryshëm, mbjellja e pemëve, fikja e dritave të papërdorshme e kështu më radhë. E gjithë kjo është pjesë e një krijimtarie bujare dhe dinjitoze, që tregon anën më të mirë të njeriut”.

14 janar 2022, 13:05