Kërko

Vdiq Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli, një jetë mes gazetarisë e politikës

Vdiq sot presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli. Qe shtruar në spital në Itali për ndërlikime të rënda, për shkak të mosfunksionimit të sistemit imunitar. Von der Leyen: "Italian e evropian krenar, pusho në paqe". Do të kujtohet posaçёrisht pёr angazhimin, pasionin dhe ëndrrën e tij për një Evropë gjithnjë e më kohezive.

R.SH. – Vatikan

Ndërroi jetë sot presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli. Qe shtruar në spital në Itali për ndërlikime të rënda, për shkak të mosfunksionimit të sistemit imunitar. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e shprehu me këto fjalë keqardhjen e saj: "Italian dhe evropian krenar, pusho në paqe". David Sassoli ishte 65 vjeç. Lajmi i shtrimit të tij në spital nё Itali, pas një ndërlikimi të rëndë, për shkak të mosfunksionimit të sistemit imunitar u mor vesh vetëm dje.

Sassoli - njoftoi zëdhënësi i tij Roberto Cuillo - ndërroi jetë nё orёn 1.15, më 11 janar, në Qendrën Onkologjike të Avianos (Pordenone), Itali. Tre mandate si eurodeputet, i fundit prej të cilëve kulmoi me zgjedhjen si president i asamblesë së Strasburgut, pas një karriere nё gazetari plot me çmime dhe arritje. Sassoli lindi në Firence më 30 maj 1956. Gazetar profesionist që nga viti 1986, pati kryer detyrën e zëvendësdrejtorit të Tg1 Rai, nga viti 2006 deri më 2009. 

Sassoli dhe Papa Françesku, pёrkim pikëpamjesh

Temat e rëndësishme të shprehura në fjalimin e parë u bënë busull për veprimin e tij politik. Pati shumë pika përkimi me rekomandimet që Papa Françesku i jep shpesh Evropës. Më 17 dhjetorin e kaluar, me rastin e ditëlindjes së Papës, Sassoli shprehu urimet e tij në mikrofonin e Radio Vatikanit, duke nënvizuar se papnia e Françeskut është "magisterium që i flet botës". Një Evropë mikpritëse për emigrantët, mjet për të mbrojtur më të dobëtit dhe njerëzit në vështirësi: këto perspektiva u ripohuan qershorin e kaluar, pas takimit të tij me Papën. Në Vatican News, ai e bëri tё vetën thirrjen e Françeskut për shpërndarjen e vaksinave në të gjitha vendet.

David Sassoli qe flamurtar i një Evrope të mirë, të hapur dhe të drejtë. “Ne jemi shpresë, kur nuk i mbyllim sytë para nevojtarëve, kur nuk ngremë mure në kufi, kur luftojmë çdo lloj padrejtësie”: këto janë fjalët e kryetarit të Parlamentit të BE-së, të shqiptuara në pragun e Krishtlindjes për t'iu uruar evropianëve festat. Sassoli lë pas një trashëgimi fjalësh dhe veprash, që ndihmojnë për ta kuptuar Evropën e sotme dhe - ndoshta - edhe për të parë atë të së nesërmes. Do të kujtohet posaçёrisht pёr angazhimin, pasionin dhe ëndrrën e tij për një Evropë gjithnjë e më kohezive.

11 janar 2022, 09:33