Bashkëjetesa ndërfetare në Shqipëri, në konferencën e Tiranës mbi Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor
R.SH. - Vatikan
“Mbrojtja e ambientit, lehtësimi i varfërisë, pajtimi i njerëzve dhe i popujve, zhvillimi, bioetika dhe pikësëpari, paqja në nivel lokal e global”: këto janë temat për një dialog të frytshëm ndërmjet feve, siç doli në konferencën “Vëllazëria në Humanizëm”, mbajtur në Tiranë më 10 shkurt 2022 e organizuar nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, në 3-vjetorin e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, në Abu Dabi, në vitin 2019.
Temat e pjesëmarrësit
Përveç paraqitjes së modelit të suksesshëm shqiptar për bashkëjetesën ndërmjet feve, nga pjesëmarrësit u kërkua që bashkësitë fetare, por edhe shoqëria në përgjithësi, të përballojë së bashku sfidat e kohës. Përfaqësuesit fetarë nënvizuan nevojën për të investuar në arsim, për të transmetuar frymë paqësore dhe informacione jo të rreme në media, për t’i përdorur rrjetet shoqërore pa i lënë vend urrejtjes dhe kotësive, për të mos lejuar hyrjen e ekstremistëve në çdo bashkësi, për t’u thelluar më shumë në temat e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, për t’u kushtuar kujdes të veçantë të rinjve, grave e familjes.
Në konferencë morën pjesë krerët e bashkësive fetare, nunci apostolik imzot Luigi Bonazzi, kryetari i Këshillave Ndërfetarë të Europës, Luigi de Salvia, si edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim. Të pranishëm, shumë klerikë të krishterë dhe myslimanë, përfaqësues nga bota akademike, intelektualë dhe studiues, si edhe të rinj e të reja nga të gjitha bashkësitë fetare. Në sallën e konferencës, edhe ekspozita “Harmonia ndërfetare në Shqipëri”, me fotografi marrë nga historiku e veprimtaritë e Këshillit Ndërfetar, si edhe nga bashkëpunimi ndërfetar i departamenteve teologjike në vend.
Por, çfarë e nxiti Këshillin Ndërfetar të organizojë takimin e djeshëm dhe si u zhvillua ai? Si mund ta frymëzojë Këshillin, Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi e, cilat janë nismat që mund të ndërmerren? Pyetëm për këtë Genti Krujën, Sekretar i përgjithshëm i Këshillit dhe zv.kryetar i Këshillave Ndërfetarë të Evropës. Ta dëgjojmë…
Si i shikoni marrëdhëniet aktuale ndërmjet bashkësive fetare në Shqipëri, në dritën e vëllazërimit njerëzor?
Çfarë mund të përmirësohet?