Më 14 mars kalendari kujton shën Matildën, mbretëreshë

Matilda, bijë e dukës së Vidukindos, që e vogël iu besua kujdesit të së gjyshes, abateshë e kuvendit të Herfordit, e cila e rriti të shëndetshme, të fortë, të devotshme dhe të mësuar, gjë e rrallë edhe për vajzat fisnike të kohës. Punoi për pajtimin ndërmjet pjesëtarëve të familjes mbretërore.

R.SH. - Vatikan

Më 14 mars kalendari kishtar përkujton Shën Matildën e Gjermanisë, mbretëreshë. Matilda, bijë e dukës së Vidukindos, që udhëhoqi saksonët në betejën kundër Karlit të Madh, lindi aty nga vitet 895 në Engern të Saksonisë, në familjen e Teodorikut e të Rainhildës, bijë e familjes mbretërore daneze.

Që e vogël iu besua kujdesit të së gjyshes, abateshë e kuvendit të Herfordit, e cila e rriti të shëndetshme, të fortë, të devotshme dhe të mësuar, gjë e rrallë edhe për vajzat fisnike të kohës. Sapo mbushi moshën e pjekurisë, u martua me Enrikun, bir i dukës të Saksonisë, që më pas trashëgoi edhe fronin gjerman.

Matilda jo vetëm që dinte shkrim e këndim, por njihte mirë edhe kulturën e politikën e kohës. Prandaj, kur i vdiq i shoqi, duke i njohur mirë edhe të bijtë, deshi të vinte në fron djalin e vogël, Enrikun e jo të madhin, Otonin. Kjo përpjekje shkaktoi ndërmjet dy vëllezërve një konflikt të ashpër, që përfundoi me kurorëzimin e Otonit në Romë (962) dhe me pajtimin ndërmjet pjesëtarëve të familjes mbretërore.

Matilda u mbyll në kuvendin e Nordhauzen ku, si shkriu gjithë ç’kishte për të varfrit e të sëmurët, u sëmur edhe vetë, pas shumë trazirash të përsëritura në familjen mbretërore. Atëherë u transferua në kuvendin e Kuedimburgut në Saksoni, pranë varrit të të shoqit.

I fundmi që e vizitoi, ishte i nipi, Gulielmi i Maincit, i cili e rrëfeu dhe i dha sakramentin e vojimit. E ajo, duke parashikuar se ai do të vdiste së shpejti (Gulielmi vdiq dymbëdhjetë ditë para saj) e duke mos pasur ç’t’i dhuronte, i fali shaminë me të cilën po fshinte djersët e vdekjes. U varros pranë të shoqit e menjëherë nisi të nderohej nga populli si shenjte. Edhe sot e kësaj dite kulti i saj është shumë i gjallë në dioqezat gjermane të Paderbornit, Fuldës e Mynihut.

14 mars 2022, 10:03