Dëshmitarja e Krishtit të Ngjallur, ngatërrohet në shekuj me mëkataren
R. SH. - Vatikan
Maria Magdalenë është ajo, që mori pjesë në tragjedinë e Krishtit. E ndoqi pas, kur e dënuan, kur përshkoi rrugën e Kalvarit, kur e kryqëzuan, kur vdiq në kryq e edhe kur e zbritën nga kryqi. Ajo ishte gjithnjë. Gjithkund. Përkrah Zojës. Ishte e para që e pa Krishtin në Kopshtin e ullinjve, përjashta varrit. Dhe e para që dha lajmin e madh: “Krishti u ngjall”. Prandaj u quajt “Apostulle e Apostujve”
E pikërisht kjo grua ngatërrohet shpesh me “mëkataren anonime”, për të cilën flet Ungjilli i Lukës. Kjo lajthitje u shkaktua nga keqinterpretimi i homelive të Papës Gregori i Madh. Jemi në shekullin XVII. Perandoria romake shembet, popuj të rinj gjermanikë popullojnë tokat brenda kufijve të saj. Shumica të krishterë, por nuk mungojnë as paganët, e as forma të herezisë lidhur me Vetjen e Krishtit. Papa Gregori i Madh ndjen nevojën e një veprimtarie të madhe edukative, nevojën e ungjillëzimit e zgjedh pikërisht Marinë nga Magdala si simbol pajtimi. Nëse ajo, mëkatarja, u fal, atëherë mund të falen të gjithë. Po në rrjedhë shekujsh ky identifikim u theksua negativisht e Maria nga Magdala nisi të ngatërrohej me njërën nga mëkataret e paemër, që e ndoqi Krishtin, mbasi iu falën mëkatet.
Kush ishte Maria?
Maria lindi në Magdala, mbi liqenin e Galilesë. Emri i saj kujtohet nga shtegtarët që në kohët e para të krishterimit e deri në ditët tona. Ata e mbartën emrin e Magdalenës nga Toka Shenjte, në të katër anët e botës. Pastaj është edhe asonanca e emrit. Disa nisën të mendojnë se rrjedh nga fjala migdal, që do të thotë kullë, e se kjo fjalë u shndërrua në Magdalenë, domethënë “zonja, që banon pranë Kullës”. Nuk duhet harruar edhe se Magdala, njëheresh me zonat e tjera rreth liqenit, ishte vend i zgjedhur nga Jezusi për ungjillëzimin. Si arriti në Nazaret, Jezusi e takoi pikërisht këtu për herë të parë Marinë dhe e ftoi ta ndiqte. E Ajo e ndoqi kudo. E gjejmë pranë Zotit në ngjarjen e shumëzimit të bukëve e të peshqve, me emrin Magadàn (Mt 15.39), ose Dalmanuta (Mk 8,10), emër i qytetit më të rëndësishëm pranë liqenit, me 40 mijë banorë, i madh gati sa Jeruzalemi. Zakon ky, i quajtjes së njerëzve me emrin e qytetit, që vijon edhe sot. Gratë nga Tirana, për shembull, a nuk thirren edhe tiranase?
Gërmime arkeologjike, në gjurmë të Magdalenës
Atëherë, kush ishte Maria Magdalenë? Ku lindi? Ku u takua me Krishtin? Pse e ndoqi pas? Këtyre e pikëpyetjeve e të tjerave, po përpiqet t’u japë gjegje dioqeza e Vicencës, e pranishme prej kohe në viset biblike, me meshtarin e saj, arkeologun, biblistin pranë Studium Biblicum Franciskanum të Jeruzalemit, don Gianantonio Urbani. Kisha vincentine (Itali) nënshkroi një marrëveshje me Rojtarinë e Tokës Shenjte, me të cilën u angazhua të hapë një zonë arkeologjike, nën kujdesin e vullnetarëve viçentinë, nismë që u pezullua nga pandemia, por që shpresohet të rifillojë së shpejti, duke e bërë Magdalën vend shtegtimi po aq të rëndësishëm sa Nazareti e Kafarnao, sepse ky vend i përket arkeologjisë së Besëllidhjes së Re.
Pa harruar se këtu gërmuan edhe një sërë arkeologësh të tjerë françeskanë, të gjithë, në gjurmët e Krishtit , por edhe të jetës të asaj, që nuk mund as nuk duhet ngatërruar me askënd tjetër. Gruas që mori pjesë në tragjedinë e Jezusit te Kryqëzuar. Që e ndoqi Zotin Jezus pas, kudo. Kur zbriti në varr dhe kur doli i Gjallë prej varrit. Dhe e para e dha lajmin e madh: “Krishti u Ngjall!”. Duke merituar titullin “Apostulle e Apostujve”.