Don Ndre Mjeda (Mjedja) poeta e sacerdote albanese Don Ndre Mjeda (Mjedja) poeta e sacerdote albanese

Dom Ndre Mjedja, në përvjetorin e vdekjes

Mё 1 gusht, kujtojmё pёrvjetorin e vdekjes sё meshtarit e poetit shqiptar, dom Ndré Mjedjёs. Ai cilësohet si "mjeshtër i fjalës poetike" dhe "poet me një konceptim poetik të mirëfilltë, që solli risi në vargun e poezisë shqipe"

R.SH. – Vatikan

Mё 1 gusht, kujtojmё pёrvjetorin e vdekjes sё meshtarit e poetit shqiptar, dom Ndré Mjedjёs. Ai cilësohet si "mjeshtër i fjalës poetike" dhe "poet me një konceptim poetik të mirëfilltë, që solli risi në vargun e poezisë shqipe".


Dom Ndré Mjedja lindi në Shkodër në një familje të varfër, të ardhur nga fshati Mjedë. Mësimet e para i ndoqi në Shkodër dhe më pas vazhdoi studimet e mesme dhe të larta teologjike në disa vende të Evropës. Kur u kthye në Atdhe, Ndre Mjedja u emërua famullitar në disa fshatra dhe u lidh me lëvizjen patriotike. Në vitin 1901, bashkë me të vëllain, themeloi shoqërinë "Agimi", e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. 

Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit, u zgjodh anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes. Në periudhën e Lëvizjes Demokratike Ndre Mjedja mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratik u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Në vitet e fundit të jetës ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër, ku dhe ndërroi jetë në gusht të vitit 1937.

Veprimtarinë poetike Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema romantike e njohur "Vaji i bylbylit" u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi. Vepra përmbyllet me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917, kur pa dritën e botimit "Juvenilja", Ndre Mjedja shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike "I tretuni", në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit, vjersha "Shtegtari", "Malli për atdhe", "Gjuha shqype", "Bashkonju" etj.

Ndre Mjedja hartoi edhe vepra poetike si "Liria", ku gjeti pasqyrim demokratizimi, që, bashkë me patriotizmin, përbën anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndre Mjedjës, e cila nisi pas Luftës së Parë Botërore, i përkasin poemat "Scodra" dhe "Lissus", ku përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë dhe sidomos periudha e ilirëve. Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës zënë vend edhe vjershat për fëmijë, disa shqipërime të goditura etj, ku tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.

Ndre Mjedja dha ndihmën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua edhe në gramatikë, leksikologji, filologji, duke dhënë ndihmesë të shquar në lëvrimin e gjuhës letrare. Ndré Mjedja është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit dhe të P. Budit, shkroi për dialektin shqiptar të Istries dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV.

Nga poezitë e Dom Ndre Mjedës

Gjuha shqipe
Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.
Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.
................................
Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.
Geg' e tosk', malsi, jallia
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.
Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.
Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.
E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.

Ti ulesh prej Parrizit,
O Zot e Mbret lumnie,
E n’ tokë vjen me u bâ nieri
Vetëm prej dashtënie:
Aq i dashtun je për né
Sa n’ një shpellë ti vjen me lé!
O Zot i lum,
Unë s’e kam dijtë se ti ne
T’ shkretët na don kaq shumë.
Për ty, që rruzullimin,
Gjithmbarë e ke krijue,
S’janë gjetë as shtëpí, as petka
E zjarmi t’ ka mungue.
Tash asht dimën, akull, borë,
Me qindrue njashtu asht zor.
O djalë i shkretë!
Prej së ftoftit ti po dridhe,
Po dridhe e po bërtet!
O Biri i të Naltit Zot,
Ti pate gjithë lumninë,
Por deshtas e ke lanun
E kapë ke vorfëninë;
Pra pse kjanë e pse gjimon,
Kurrkush ty s’ po t’ ankon:
Ti don me m’ m’sue
Se pa durim nuk mundet
Kurrkushi me u shëlbue.
Ne disha gja, ti fshanë
E kján, o bukurí,
Përse si duhet nieri,
S’ ta din gjithë atë dashtëní;
Vesht e mora, unë i ngrati,
Se at’ mundim ta nep ty m’kati;
O m’kat i mallkue!
Por, ti, o Zot, m’ fal!
M’ fal se jam pendue!
Ti flén përmbi atë grazhd,
O i lumi djalë plot hír.
Por zemrës me marrë gjumë
I del fort punë e vështirë.
Zemra e jote pse po l’ngon?
Natë e ditë çka po mendon?
Unë tjetër s’po mendoj
Veçse me dekë për nierin,
Me dekë që ta shëlboj!
Me lé e me dekë për mue,
Dashtënia t’ ka shtërnguemun:
E vetë, pa dashtë, o Jezu,
Si mundemi me rrnuemun?
Shpresa e eme, o Virgjina Mrí,
Me dashtë Krishtin n’se nuk e dí,
Ty t’ kjosha true:
M’ m’so gjithmonë me e dashtun,
Me e dashtë e me e lavdue!

(Krijim i Alfons Maria de Liguorit; përshtatur në gjuhën shqipe nga dom Ndre Mjedja. Marrë në oficen “Visari shpirtnuer”).

Vaji i Bylbylit
Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murlani
Me duhi t'vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.

Gjith fushët e malet
Blerim i mbëloj;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoj.

Ndër pyje e orgaja,
N'ma t'mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjith'kend.

E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth
Nji prrue qi veret
Rrjedh nëpër gjeth.

A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e orgaja,
Bylbyl, shpejto.

Kerkush ma hovin
Atje s'ta pret,
Me zeher haejen
Kerkush s'ta qet.

Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim,
E gjith ku t'rreshket
Shkon fluturim.

Nëpër lamije
Ke me gjet mel,
Për gjith'prendverën
Njajo buk t'del.

E kur t'zitë edi
ndër prroje pi,
Te njato prroje
Qi ti vetë di.

Tash pa frigë çerdhen
E ban ndoj lis;
Nuk je si'i nieri
Qi nuk ka fis

E kur t'vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t'ndie rri;
Prej asi vendit
Dahen me zi.

A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.

Ndër drandofille,
Ndër zamakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Biylbyl i vorfën ,
Pse po gjimon?

Lirija
- I -
O shqype, o zogjt' e maleve, kallxoni:
a shndritë rreze lirie n'ato majë;
mbi bjeshkë t'thepisuna e n'ograjë,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndokush, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj,
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqype, o zogjt' e maleve, kallxoni!
Lirim, lirim, bërtet gjithkah Malcija;
A ka lirim ky dhé që na shklet kamba,
a veç t'mjerin e mblon anembanë robnija?
Flutro, shqype, flutro kah çilet lama,
siellju maleve për rreth që ka Shqypnija,
e vështroje ku i del lirimit ama.
.................................
- VI -
Por nuk u shuejti edhe, jo, Shqyptarija:
Lodhun prej hekrash që mizori i njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënija.
E kqyrë: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t'Atdheut; mshehtas shetiti
kësollë për kësollë rreth buneve e soditi
frymë të re tue shprazun për gjithkahna, hija
e Skanderbegut. Qe ndër djepa rrisin
nanat e Hotit djelmëninë ushtore
e idhnim n'armikun nëpër gji i u qisin.
E nalt, ndër maje, bukuri mbretnore,
hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin,
me thoj t’harkuem shqypeja arbënore!

01 gusht 2022, 10:44