Pjerin Sheldia: “Emër që do të kujtohet sa të ketë ‘elterë’”
R.SH. - Vatikan
Shkodra, Kisha katolike e bota e artit i dhanё sot lamtumirёn e fundit piktorit tё madh Pjetrin Shledija, i cili ndёrroi jetё dje nё moshёn 85 vjeç. Mesha e dritёs u kremtua sot paradite nё Kishёn françeskane, funerali u bё nё varrezat katolike Rrmaj nё Shkodёr
Piktori i shquar Pjerin Sheldia ndërroi jetë duke lënë pas një pasuri të tërë pikturash ndër Kisha e në studion e tij, në shtëpinë e vjetër atërore në lagjen e lashtë të Serreqit, ne Shkoder, të shquar për artistë të mëdhenj.
Sapo e pati marrë vesh, në vitin 1991, se do të hapeshin rishtas Kishat, rroku armën e vet, penelin, e ngarendi drejt dyerve të atyre ngrehinave të shpërfytyruara, ku besimtarët vijonin të shkonin të adhuronin Zotin, para eleterit të madh, shndërruar në skenë enkas për ta mohuar. Ngarendi. E nuk do të kalonte shumë kohë kur mësuesi i vizatimit rifilloi zanatin e vjetër, atë të piktorit. E shkodranët nisën ta shikojnë në maje të skelave, me paletë në dorë, së pari në Kishat Françeskane, në Gjuhadol e Arrë të Madhe një herë, e më pas edhe më larg, në viset e Kosoves, te Malit Zi etj. La pas një pasuri të tërë pikturash: "Zojën Rruzare", në Elterin e Madh të Kishës françekane, te Arra e Madhe; kujtimin e martirizimit të fretënve, në Kishën françekane të Gjuhadolit;" Zojën e Këshillit të Mirë", "Darka e mbramë” në Kishën e Barbullushit etj.
Me talentin e tij, Pjerini i ktheu në identitet pikturat e traditës dhe trashëgimisë së fesë së krishterë, që tashmë i kemi në Kishat e trevave shqiptare . I vetmi shpërblim që kërkoshe ishte: "Atë talent që Zoti më ka dhënë, unë dua ta jap falas e ta lartësoj emrin e Zotit nëpërmjet pikturës". "Asht dora e Zotit, nuk ka si me kenë ndryshe. Unë jam vetëm peneli në doren e të Lumit", pohonte mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija.
Për vite me radhë, derisa mbrëmjen e së hënes së kaluar u lodh nga kjo jetë e u nis për një jetë më të mirë me Zotin, më të ndritur, ku besojmë, do të takohet me mjeshtrat , që i patën prirë në rrugën e artit të madh të pikturës.
Ishte 85-vjeç. Shkodranët u çuditën kur e lexuan lajmërimin e humbjes së Mjeshtrit e Mësusesit, të cilin e kishin parë në Kishën Katedrale duke marrë Kungimin Shenjt. Për ditë! Po ai u nis, duke lënë pas kujtimin si njëri prej piktorëve me të shquar të Shkodrës dhe të Shqipërisë ndër vite. E edhe një trashëgim tejet të pasur: mbi 210 punime, ndërmjet të cilave, pikturën më të preferuar: Zojën e Këshillit të Mirë të veshur me rroba kombëtare shqiptare.
Shkoi, duke lënë gjurmë në 36 Kisha e kuvende në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Itali (ku pati marrë pjesë në një nga ekspozitat më të shquara) e deri në Angli… Nuk punoi kurrë për para. Nuk shiti kurrë, sepse dinte veç me falë. Në gjurmët e Krishtit!
Për ndihmesën që i dha Kishës “me mure të zhveshura”, të cilave u ktheu lavdinë e dikurshme, Papa Benedikti i XVI e nderoi me “ Distinktivin e Kryqit të Shenjtë për Kishën dhe për Papën”, ndërsa shteti Shqiptar, me Urdhrin “Naim Frashëri të klasit I, II e III”.
Nuk mund ta besojmë se do ta lërë shkret penelin, edhe tani, kur e shikon drejtpërdrejt Zotin, të cilin e pikturoi në të katër anët e viseve shqiptare, që ta kemi gjithnjë pranë në udhën tonë drejt Atij të Lumit!