Më 16 shtator kalendari kishtar kujton Shën Çiprianin, ipeshkëv e martir

Shën Çipriani, ipeshkvi afrikan i shekullit III, tejet human e plot me shpirtin ungjillor, i nxiti të krishterët t’i ndihmonin vëllazërisht paganët gjatë epidemisë së murtajës; u kujtoi besimtarëve se jeta e vërtetë dhe pasuritë e vërteta nuk janë të kësaj bote; luftoi pa kompromis kundër zakoneve të korruptuara e mëkateve që minonin jetën morale, posaçërisht kundër koprracisë e egoizmit.

R.SH. - Vatikan

Shën Çipriani, afrikan nga Kartagjena, që u kthye në fenë e krishterë në moshën 35 vjeçare, u shugurua më pas ipeshkëv e, 30 vjet më vonë, dha dëshminë e gjakut për Krishtin, duke u martirizuar nën perandorin Valeriani.

Shën Çipriani ishte tejet human e plot me shpirtin ungjillor, i nxiti të krishterët t’i ndihmonin vëllazërisht paganët gjatë epidemisë së murtajës; u kujtoi besimtarëve - që nuk donin t’i humbnin pasuritë tokësore – se jeta e vërtetë dhe pasuritë e vërteta nuk janë të kësaj bote; luftoi pa kompromis kundër zakoneve të korruptuara e mëkateve që minonin jetën morale, posaçërisht kundër koprracisë e egoizmit.

Për Çiprianin e ri dimë se lindi pagan në Kartagjenë rreth vitit 210 pas Krishtit. Qe pagëzuar në vitin 245, në vitin 249 zgjidhet ipeshkëv i Katragjenës.  Ipeshkvi afrikan i shekullit III, shën Çipriani, e pati shumë për zemër unitetin e Kishës e i pranoi plot mëshirë edhe ata që fillimisht e mohuan fenë, të tmerruar nga persekutimet kundër të krishterëve.

Kisha është një dhe e bashkuar nën katedrën e Pjetrit e ai që largohet, gënjen veten se bën pjesë në këtë bashkësi. Por, nuk do harruar edhe se i krishteri duhet ta falë me gjithë zemër atë që, pasi e ka braktisur Kishën, kërkon të rikthehet në atë vend ku njeriu i flet Zotit e Zoti e dëgjon njeriun.  Ky, thënë me dy fjalë, ishte stili baritor i shën Çipriani, afrikan nga Kartagjena, që u kthye në fenë e krishterë në moshën 35 vjeçare, u shugurua më pas ipeshkëv e, 30 vjet më vonë, dha dëshminë e  fesë duke derdhur gjakun për Krishtin, ai qe martirizuar nën perandorin Valeriani në vitin 258.

Çipriani nuk qe teolog, por bari

Çipriani nuk qe teolog, por bari, i impenjuar kryesisht për të rivendosur disiplinën ndërmjet radhëve të të krishterëve, të tronditur thellë nga dhuna e nga persekutimi romak. Pas persekutimit të Deçios, në vitin 251, Çiprianit iu desh të përballonte problemin e atyre që u quajtën ‘lapsi’, do të thotë që e braktisën Kishën nga frika e martirizimit, por që, sapo kaloi rreziku, kërkuan të kthehen përsëri në radhët e saj. Bashkësia e krishterë e Kartagjenës u nda në dy grupe: në ‘lasistë’, që ishin gati t’i falnin femohuesit e në ‘rigoristë’, që kërkonin spastrimin e Kishës nga tradhtarët. Si të mos mjaftonte kjo, një epidemi e tmerrshme murtaje e një grindje ndërmjet ipeshkvit të Kartagjenës e Papës Shtjefni e thelluan edhe më keq tensionin. E pikërisht në këto rrethana të vështira, Çipriani tregoi se ishte i pajisur me aftësi të rralla për të drejtuar.

I nxiti të krishterët t’i ndihmonin paganët gjatë epidemisë

Papa Benedikti XVI pati thënë për Shën Çirpianin: “Qe i ashpër, por jo i paepur me femohuesit, duke u krijuar mundësinë e faljes, pas një pendese shembullore; përballë Romës, mbrojti me vendosmëri traditat e shëndosha të Kishës afrikane; tepër human e plot me shpirtin ungjillor, i nxiti të krishterët t’i ndihmonin vëllazërisht paganët gjatë epidemisë së murtajës; u kujtoi besimtarëve - që nuk donin t’i humbnin pasuritë tokësore – se jeta e vërtetë dhe pasuritë e vërteta nuk janë të kësaj bote; luftoi pa kompromis kundër zakoneve të korruptuara e mëkateve që minonin jetën morale, posaçërisht kundër koprracisë e egoizmit”.

Pavarësisht nga persekutimet e nga kontrastet me Romën, Çipriani na tregon se uniteti me Papën është detyrimi më i lartë që duhet të plotësojë kush dëshiron t’i përkasë Kishës së Krishtit. Ai e dallon Kishën e dukshme, hierarkinë, nga Kisha e padukshme, mistike, por pohon me forcë se Kisha është një e vetme, e themeluar mbi Pjetrin. Nuk lodhet kurrë së përsërituri se kush e braktis katedrën e Shën Pjetrit, mbi të cilën bazohet Kisha e Krishtit, gënjen veten se është në Kishë. Ka një Zot të vetëm, një Krisht të vetëm – qorton Çipriani -, e një e vetme është Kisha e Tij, një e vetme feja, një i vetëm populli i krishterë, i bashkuar në unitet të çeliktë: e nuk mund të ndahet, çka është një e vetme .

Lutja Ati Ynë rrëfen harmoninë e Kishës

Edhe nga lutja themelore e Kishës, Ati Ynë, buron karakteri i harmonishëm e kolektiv i Kishës. Kjo lutje – vëren Çipriani – na u dhurua nga Krishti në numrin shumës, në mënyrë që ai, i cili lutet, të mos lutet vetëm për vetveten. Urata jonë është publike e komunitare.

Si përfundim mund të themi se Çipriani zë vend në zanafillën e asaj tradite të frytshme teologjiko-shpirtërore, që e shikon ‘zemrën’ si vend të privilegjuar për lutjen. E, si për Biblën, ashtu edhe për Etërit e Kishës, është pikërisht zemra njerëzore vendi ku banon Zoti.  Shën Çipriani i ftoi besimtarët t’i hapin zemrat, për të dëgjuar zërin e Zotit, për të cilin flasin Bibla e Kisha, sepse kemi vërtetë nevojë. Vetëm kështu mund ta kuptojmë plotësisht se Hyji është Ati ynë e se Kisha, Trupi mistik dhe i Shenjtë i Krishtit, është vërtetë Nëna jonë.

 Nga vepra e Çiprianit nxitje për paqe

Edhe ti, që deri tani sundoheshe nga xhelozia e nga zilia, largoje nga vetvetja ligësinë që të prangoste e me hapa shpëtimtare kthehu në shtegun e jetës së amshuar. Shkuli nga kraharori gjembat, që fara e Zotit të të pasurojë me një korrje të begatë. Flake vrerin, nxirre përjashta helmin e armiqësisë, pastroje mendjen e sëmurë nga zilia e gjarpërit e gjithë zehëri që të sundonte më parë u ktheftë në ëmbëlsinë e Krishtit. Ushqimi yt e pija jote qofshin në misterin e Kryqit, e ëmbëlsofshin zemrën tënde, që të mos kesh më nevojë të kujdesesh për shëndetin tënd të tronditur.

Mjekoju me atë që të plagosi. Duaje atë që e urreje, pëlqeji ata që më parë i zilepsje e i fyeje. Përpiqu t' u ngjash të mirëve, mundohu të ecësh në gjurmët e tyre; e në se nuk mund ta bësh këtë, gazmohu e përgëzoi ata që janë më të mirë se ti. Bashkoi në dashuri, bëji bashkëtrashigimtarë në vëllazëri. Do të të falen borxhet, kur ti t'ua keshë falur borxhlinjve të tu e flijet do të të pranohen, kur t'ia paraqitësh Zotit në paqe. Kur mendon vetëm çka është hyjnore dhe drejtë, mendja jote e veprimet tua do të drejtohen nga qielli, ashtu si është shkruar: shpirti i njeriut duhet të mendojë drejtësinë, që kështu hapat e tij të drejtohen nga Zoti.

Zoti pranon ata që jetojnë në pajtim e bashkim

Ke mjaft ç'të mendosh: mendo për Parajsën, ku Kaini nuk u kthye, sepsè pati mbytur, për zili, të vëllain. Mendo për mbretërinë e qiellit, ku Zoti pranon vetëm ata që jetojnë në pajtim e bashkim. Mendo se mund ta quajnë veten bij të Zotit vetëm ata që jetojnë në paqe, që, të bashkuar në lindjen shpirtërore e në dëgjesë të ligjit hyjnor, pasqyrojnë figurën e Hyjit Atë e të Krishtit. Mendo se jemi nën sytë e Zotit e se ai e vëren dhe e gjykon sjelljen tonë e gjithë jetën tonë e se do të mund të arrijmë më në fund ta kundrojmë, vetëm në se e gëzojmë, në sa ai kundron veprat tona, në se tregohemi të denjë për hirin e tij e për ndjesën e tij, në se i pëlqejmë në këtë botë, për t'i pëlqyer pastaj përgjithnjë në mbretërinë qiellore.

16 shtator 2022, 09:15