Kërko

Elizabeta II: miqësia me Papët

Mbretëresha e Anglisë dhe e Uellsit Elizabeta II u prit disa herë nga Papët në Vatikan, duke nisur nga Piu XII - deri tek Françesku

R.SH. - Vatikan

Elizabeta II është monarkja britanike më jetëgjatë në histori. U takua, si mbretëreshë me katër  Papë, pesë gjatë gjithë jetës.

Në tri vizitat e mëparshme në Romë si mbretëreshë dhe si kreu i Kishës së Anglisë (kreu institucional, jo shpirtëror), u takua gjithnjë me Papët: me Gjonin XXIII në 1961, Gjon Palin II në 1980 dhe në vitin 2000, me Benediktin XVI. Pati edhe një takim në Edinburg më 16 shtator 2010 gjatë udhëtimit të Papës në Mbretërinë e Bashkuar.

Mbretëresha Elizabeth II i shtrëngoi për herë të fundit duart e Papës më 3 prill 2014, kur Françesku e priti në Vatikan, së bashku me Princin Philip, për një bisedë private, në studion e Sallës Nervi, që zgjati  njëzet minuta. Ndërsa dhurata e fundit që i bëri Mbretëresha Papës, ishte një shportë e madhe me prodhime ushqimore nga krahina të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar. Me humorin e saj të hollë britanik, Elizabeth II e porositi Françeskun t’i mbante të gjitha për vete e të mos ia jepte tjetërkujt. Duke e bërë të vërë buzën në gaz, Papën që di t’i dhurojë gjithçka, gjithkujt, veç vetvetes!

Papa Bergoglio ishte Papa i katërt që takohej me Mbretëreshën Elizabeta II: i pesti, nëse kemi parasysh edhe audiencën me Piun XII, më 1951, në Romë, kur sovrania nuk ishte ende në fron.

Në tri vizitat e mëparshme në Romë, si mbretëreshë e edhe si kreu i Kishës (kreu institucional, jo shpirtëror), u takua gjithnjë me Papët: Me Gjonin XXIII më 1961; me Gjon Palin II më 2000, me Benediktin XVI, në Edinburg më 16 shtator 2010, gjatë shtegtimit të Papës në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjoni XXIII dhe Mbreteresha Elizabeta II
Gjoni XXIII dhe Mbreteresha Elizabeta II

Gjoni XXIII dhe Mbretëresha Elizabeta II

Hera e parë ishte ajo e vitit 1961. Në fronin e Pjetrit ulej Papa Gjoni XXIII, që nuk e fliste shumë mirë anglishten, por e preku në shpirt mbretëreshën e re, duke e pyetur për emrat e fëmijëve: “Unë i njoh - shtoi - por emri i djalit, Charles, shqiptuar nga e ëma, tingëllon krejt ndryshe” Emri Karl - përktheu -  më kujton Shën Karl Borromeon, që e dua shumë”. Më pas, më 17 tetor 1980, u takua për herë të parë me Gjon Palin II. Kishte veshur  fustanin e zi prej kadifeje e kokën e kishte mbuluar dhe velin e hollë edhe ai i zi, në përkim me kërkesën e protokollit të Vatikanit (vetëm disa mbretëreshave katolike u lejohet fustani i bardhë) ndërsa Princi Filip ishte me uniformë.

Gjon Pali II dhe Mbreteresha Elizabeta II
Gjon Pali II dhe Mbreteresha Elizabeta II

Gjon Pali II dhe Mbretëresha Elizabeta II

Më pas, në tetor 2000, audienca e dytë me Wojtilën (me të cilin qe takuar edhe në Buckingham Palace). Gjatë takimit roli i Mbretit Britanik si kreu i shtetit u theksua më shumë se ai si kreu i Kishës së Anglisë, parë si bijë e skizmës së një mbreti, që kishte marrë personalisht titullin Defensor fidei nga Papa Leoni X.

Dy fjalë për skizmën

Ishte viti 1521, kur Henriku VIII i pati shkruar Papës se do t’i luftonte Luteranët “me armë dhe me falje", duke dhënë për këtë edhe prova. Dokumenti ruhet ende në arkivat e Vatikanit.

E nuk është vetëm ai dokument, që të kujton të kaluarën e marrëdhënieve të mbretërve të Anglisë me papatin. Në arkivin sekret, ku ruhen dokumente që nga shekulli i tetë, gjendet edhe pergamena e vetë Henrikut VIII drejtuar Papës Klementit VII. Mbreti kërkoi anulimin e martesës me Katerinën e Aragonës e, për ta bërë kërkesën më të ngutshme, poshtë kërkesës, kishte edhe 85 vula të po aq fisnikëve anglezë. Papa refuzoi, por Henriku VIII u martua se u martua me Anna Bolenën dhe themeloi Kishën Anglikane në vitin 1533, duke e shpallur veten kreu i saj.

Kush e di sesi, ka edhe disa letra nga mbreti për Bolenën, qe cila më vonë humbi Mbretin e kokën. Histori e gjatë, që do shumë kohë për t’u treguar!

Miqësi, pas armiqësive

Benedikti XVI dhe Mbreteresha Elizabeta II
Benedikti XVI dhe Mbreteresha Elizabeta II

U desh të kalonin vite, që armiqësia të shndërrohej në miqësi! Në takimin e Elizabeth II me Papën Ratzinger, në shtator 2010, në Holyrood Palace, selia mbretërore e Edinburgut, zëdhënësi i Vatikanit Atë Federico Lombardi pati folur për një takim jo vetëm “miqësor, të gëzueshëm, të përzemërt”, por edhe “famijar”. Takim i hapur me një shtrëngim të ngrohtë duarsh, me shkëmbimin ritual të dhuratave dhe plot me simbole: simbole të dallimeve të lashta, por edhe të përpjekjeve për afrim, përtej polemikave në marrëdhëniet katolike-anglikane. E ky takim historik mbahej në kështjellën mesjetare, që i përkiste katolikes Maria Stuart përpara se t'i pritej koka nga kushërira e saj, Elizabeth I.

Elizabeta II dhe Papa Françesku

Françesku dhe Mbreteresha Elizabeta II
Françesku dhe Mbreteresha Elizabeta II

Në prill 2014, mbretëresha ishte për një vizitë shtetërore në Itali. Pas takimit me presidentin Napolitano, u prit në Vatikan nga Papa Françesku. Vizita përkonte edhe me 32-vjetorin e fillimit të Luftës së Falklands, ishujve të njohur në Argjentinë.

Ndërsa në ditën e kremtimeve për jubileun e platintë të uljes në fron dhe për ditëlindjen e 96-të të sovranes, Papa Françesku i shkroi një letër mbretëreshës Elizabeth II. Në të i shprehte afërsinë përmes lutjes “që Zoti i Plotfuqishëm t’i dhurojë Mbretëreshës, anëtarëve të familjes mbretërore dhe gjithë kombit bekime, bashkim, prosperitet dhe paqe”.

09 shtator 2022, 12:07