Kërko

Nur-Sultan, Kazakistan Nur-Sultan, Kazakistan 

Në Nur-Sultan, Kongresi i krerëve fetarë “për të ndihmuar zgjidhjen e konflikteve në botë”

Takimi, në edicionin e tij të shtatë, filloi në praninë e Papës. Didar Temenov i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kazakistanit: “Vitet e fundit kemi kaluar kriza të shumta, ndërmjet konflikteve, pandemive dhe fatkeqësive natyrore. Fetë duhet të jenë gur kilometrik për shoqërinë, të ndihmojnë në kapërcimin e kohëve të vështira dhe të favorizojnë zhvillimin shpirtëror dhe shoqëror”

R.SH. – Vatikan

Roli i feve në promovimin e paqes, në qendër të edicionit të shtatë të Kongresit të Krerëve të Feve Botërore dhe Tradicionale, që filloi sot në Nur-Sultan të Kazakistanit, në praninë e Papës Françesku e do të përfundojë nesër, më 15 shtator.

Takimi lindi në vitin 2003, me nismën e presidentit të atëhershëm të vendit, Nursultan Nazarbayev, si “përgjigje e drejtpërdrejtë për rritjen e tensioneve fetare dhe të ekstremizmit, pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Mori si model Takimin e Asizit për paqen, organizuar nga Papa shenjt Gjon Pali II në janar 2002. Ato vite, shpjegon për Vatican News, Didar Temenov, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Shumëpalësh në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kazakistanit, qenë të rëndësishme “për t’u krijuar mundësinë krerëve fetarë të punojnë së bashku në parandalimin e përdorimit të fesë për ndarjen e njerëzve, të bashkësive e të kombeve”.

Promovimi i dialogut

“Misioni i Kongresit - vazhdon Temenov - është të përforcojë më tej harmoninë ndërfetare dhe ndëretnike në mbarë botën, veçanërisht në këto kohë sfidash të mëdha”. Aktualisht, njerëzimi po përballet me sprova dhe vështirësi të shumta, shton Temenov, prandaj, “është tejet e rëndësishme që udhëheqësit fetarë të japin kontributin e tyre në promovimin e dialogut ndërmjet feve dhe kombeve”. Fetë, siç dihet, luajnë “rol shumë të rëndësishëm në jetën e miliarda njerëzve”, pavarësisht se nganjëherë, në “mosmarrëveshjet politike përfshihen elemente fetare”. Por, krerët fetarë kanë ndikim dhe autoritet për të ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve në mbarë botën. Kongresi, nënvizon Temenov, “ka për qëllim forcimin e harmonisë ndërfetare dhe ndëretnike në mbarë globin”, duke e çuar atë drejt mirëkuptimit dhe dialogut. Edicioni i shtatë i tij ka pjesëmarrjen më të madhe deri tani. Në Kongresin e parë, rreth njëzet vjet më parë, morën pjesë 17 delegacione, këtë vit janë rreth njëqind pjesëmarrës nga 50 vende, ndër të cilët, spikat Papa Françesku, por edhe Imami i Madh i Al Azharit, Ahmed Al Tayyeb; Mitropoliti i Volokolamskut, Antonij, kryetar i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Patrikanën e Moskës; Kryerabini ashkenazit i Izraelit, David Lau; Kryerabini sefardit i Izraelit, Yitzhak Yosef, dhe Patriku i Jeruzalemit, Theofili III. Me ta e me përfaqësues të tjerë të rëndësishëm, Papa pati sot takime private dypalëshe.

Roli i feve për paqen

Nga Kongresi do të dalë një mesazh i vetëm paqeje për një botë, në të cilën fundamentalizmi fetar është në rritje. Vitet e fundit, shpjegon Temenov, “ka pasur kriza të shumta, konflikte, pandemi dhe fatkeqësi natyrore”, prandaj fetë “duhet të jenë gurë kilometrikë për shoqërinë e të ndihmojnë në kapërcimin e kohërave të vështira”. Që këtej, nevoja që krerët fetarë të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin shpirtëror dhe shoqëror dhe t’i trajtojnë me përparësi çështjet urgjente aktuale. Gjithashtu, Kongresi do të kontribuojë në mirëkuptimin ndërmjet qytetërimeve lindore dhe perëndimore. Në fund të veprimtarisë, pjesëmarrësit do të nënshkruajnë një Deklaratë Përfundimtare, e cila do të lexohet nesër, dita, që mbyll vizitën e Papës Françesku në Nur-Sultan.

14 shtator 2022, 15:10