Shumë britanikë, në rresht për lamtumirën e fundit, ndërsa arrijnë liderët botërorë
R. SH. - Vatikan
Gjithçka përfundon, aty ku nisi. Nesër në mëngjes, trupi i Elizabeth II do të jetë për funeralin në Westminster Abbey ku, më 2 qershor 1953, princesha krejt e re, qe kurorëzuar mbretëreshë. Arkivoli do të lëvizë me procesion nga Parlamenti, mbi një karrocë topash, të tërhequr me kuaj e të shoqëruar me të gjitha nderimet.
Sytë e mbarë botës, në funeralin e Elizabeth
Për pesë ditë, madje edhe gjatë natës, dhjetëra mijëra vetë pritën me orë në radhë durimtare masive, për t’i bërë homazhe sovranes së tyre. Salloni i funeralit, në Sallën e Madhe të Westminsterit, do të mbyllet sonte dhe menjëherë pas dyert e abacisë do të hapen, që të zënë vendet e tyre dy mijë të ftuarit në salikime: familja mbretërore, gjykata, kryeministrat ende gjallë dhe politikanët më të shquar të kombit, pastaj krerët e shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota, krerët e kurorëzuar të gjysmës së Evropës dhe imzot Gallagher që përfaqëson Papën Françesku; ndërsa pritet një turmë e pafund jashtë abacisë dhe miliona njerëz në Mbretërinë e Bashkuar e në mbarë botën do ta shikojnë funeralin shtetëror drejtpërdrejt në TV: një liturgji funebre, që besohet të jetë ngjarje e rëndësishme.
Riti i varrimit
Funeralin do ta krysojë Dekani i Westminsterit; për leximet janë caktuar Kryeministri dhe Sekretari i Përgjithshëm i Commonwealth; dinjitarët e lartë të Kishës Anglikane, të Skocisë dhe të Kishave të Lira do të luten së bashku. Predikimi do të mbahet nga Kryeipeshkvi i Canterbury-t. Në fund të ritit, në Abacinë e lashtë do të bjerë heshtja, dy minuta heshtje në Abbey dhe në të gjithë mbretërinë. Mbretëresha Elizabeth - Mbretëresha Lilibet - do të varroset në kapelën e Shën Gjergjit, në Kështjellën Windsor.