Kërko

Nostra Signora del Pilar Nostra Signora del Pilar

Më 12 tetor Kisha katolike kujton Zojën e Bekuar të Pilarit

Më 12 tetor, kujtojmë shenjtëroren më të lashtë të Spanjës e ndoshta edhe të mbarë krishterimit, atë të së Lumes Mari Virgjër të Pilar, në Saragozë. Pilar quhet shtylla e alabastrit ku, siç tregon gojëdhëna, mbështeti këmbët Zoja e Bekuar, e prej këndej edhe u quajt “Zoja e Pilarit”

R.SH. - Vatikan

Sot më 12 tetor,  kujtojmë Shenjtëroren më të lashtë të Spanjës e ndoshta edhe të mbarë krishterimit, atë të së Lumes Mari Virgjër të Pilarit në Saragozë. Ndërtesa e shenjtërores e stilit barok, në formë drejtkëndëshi, është e ndarë në tri navata dhe e stolisur me piktura e afreske nga Velasquez, Goya, Ramon e Bayen. E gjatë njëqind e tridhjetë e pesë metra, e gjerë pesëdhjetë e nëntë, ka katër kulla e njëmbëdhjetë kupola, ndërmjet të cilave shquhet kupola qendrore, 80 metra e lartë.

Ardhja e Virgjërës Mari nga Jeruzalemi në Saragozë 

Sipas gojëdhënës, kapela e lashtë qe ndërtuar nga shën Jaku i Madh Apostull rreth vitit 40, në kujtim “të Ardhjes” së mrekullueshme të Virgjërës Mari nga Jeruzalemi në Saragozë për ta ngushëlluar apostullin, që ishte dëshpëruar nga rezultatet negative të predikimit të tij. Pilar quhet shtylla e alabastrit ku, siç tregon gojëdhëna, mbështeti këmbët Zoja e Bekuar, e prej këndej edhe u quajt “Zoja e Pilarit”.

Edhe zanafilla e lashtë e shumë shenjtëroreve ose tempujve të famshëm shpjegohet pikërisht me dukjet e Virgjërës Mari. Kështu, Shenjtërorja e Pilarit, në Saragozë, për shembull, nisi të ndërtohej pasi Zoja iu duk Shën Jakut të Madh, ungjillëzues i Spanjës, në vitin 41 pas Krishtit.

Dukjet mariane në kohë


Dukjet mariane nuk i përkasin vetëm kohëve të vona. Shumë autorë të lashtësisë së krishterë, ndërmjet të cilëve edhe etërit e Kishës, flasin për dukje të jashtëzakonshme të Virgjërës Mari. Lajmin e parë, të vërtetuar historikisht, e gjejmë tek Gregor Niseni (392 pas K.), i cili pohon se Maria iu duk Gregorit Mrekullibërës, në vitin 231 pas Krishtit.

Historiani Sozomeno (450 pas K), në ‘Historinë e Kishës” shkruar prej tij, pohon se dukjet e Nënës së Zotit në Kostantinopojë ishin të shpeshta. E grupi, të cilit i dukej më dendur, ishte ai që mblidhej në një shtëpi të vogël e udhëhiqej nga Gregor Nacianceni. Sulpic Severi (420/ 425 pas K) shkruan se Maria iu duk Shën Martinit të Tur; ndërsa Gregori i Tur (594) flet për vegimin e arkitektit Gjon Mosko, që po ndërtonte një tempull për nder të Marisë. Për dukjet e Zojës shkruajnë edhe Pseudo Teofili i Aleksandrisë, në homelinë kushtuar ikjes në Egjipt; Beda i Nderuar, Gjoni i Salernos, në veprën e tij “Jeta e Shenjtit Odonis” dhe Pseudo Bazili i Çezaresë (shek VII), që tregon se e pa Virgjërën Mari, në sa po i kushtonte një Kishë në Filipi.

Bazilika e Madhe Le Pyi

Edhe zanafilla e lashtë e shumë shenjtëroreve ose tempujve të famshëm shpjegohet pikërisht me dukjet e Virgjërës Mari. Shenjtërorja e Pilarit, në Saragozë, për shembull, sikur kujtuam më lartë, nisi të ndërtohej pasi Zoja iu duk Shën Jakut të Madh, ungjillëzues i Spanjës, në vitin 41 pas Krishtit. Bazilika e Madhe Le Pyi, u ndërtua për të kujtuar dukjet e Nënës së Zotit një gruaje me emrin Vila, e cila u shërua papritmas nga një sëmundje e rëndë. Katedralja e famshme e Shartrë, pastaj, ndërtimi i së cilës nisi në vitin 1028, nën drejtimin e Shën Fulbertit, pikërisht pas një dukjeje të Zojës. E edhe bazilika më e lashtë kushtuar Marisë në Evropë, ajo e Shën Marisë së Madhe u ndërtua në Romë, pikërisht pas dukjes së Zojës, që njihet me titullin “Zoja e borës”.

Në mijëvjeçarin e dytë, sidomos duke u nisur nga shekulli XIX, dukjet e Zojës së Bekuar janë më të dokumentuara. Sipas kërkimeve shkencore, që nga fillimi i shekullit XX e deri në vitin 1990, janë vërtetuar 527 mrekulli e dukje të Zojës së bekuar, në 70 kombe të ndryshme, pa llogaritur mrekulli të heshtura, që njerëzve u pëlqen t’i ruajnë në fshehtësinë e zemrave të veta, siç bënte vetë Maria, para mrekullive që kreu Zoti në të.

Dy autorë gjermanë radhisin kronologjikisht, në një vëllim vigan, më se njëmijë ndërmjetësime të jashtëzakonshme e dukje mariane, që nga shekulli VII e deri në ditët tona, duke shënuar vitin, vendin e kombin ku Zoja u duk ose bëri mrekulli e duke i shoqëruar edhe me një përshkrim të shkurtër ngjarjet e mrekullueshme. Nuk do të mbaronim kurrë, kështu, po t’i kujtonim të gjitha mrekullitë dhe dukjet e Zojës. Do të ndalohemi vetëm tek një nga dukjet më të largëta në kohë, ajo në Karavagjos, e tek më e afërmja, dukja në Megjugorje, që vijon të shkaktojë shumë diskutime.

 

12 tetor 2022, 10:37