Me 18 tetor 1685 botohej "Çeta e profetëve" e imzot Pjetër Bogdanit

Me botimin e kësaj vepre “Çeta e Profetëve” me 18 tetor të vitit 1685 në Padovë, imzot Pjetër Bogdani zë një vend të dorës së parë në letërsinë shqipe të vjetër. Vepra zgjoi një interes të madh jo vetëm në trojet shqiptare po edhe në Itali e më gjerë, sikur dëshmojnë edhe dy botimet e kësaj vepre në vitet 1691 e 1702. Interesi i zgjuar nga kjo vepër është në radhë të parë teologjik, sepse bënë fjalë për jetën e Jezu Krishtit, por edhe letrar e shkencor.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, kujtojmë 18 tetorin e vitit 1685, si datën e botimit të kryeveprës së ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdani “ Cvnevs prophetarvm de Christo salvatore mvndi et eivs evangelica veritate” e njohur me titullin shqip “Çeta e Profetënve” shkruan në gjuhën shqipe dhe italiane.

Ja edhe titulli i plotë origjinal i veprës: “Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore Mundi, et eius evangelica veritate, italice, et epirotice contexta, et in duas Partes divisa”. Kjo vepër teologjike e ipeshkvit imzot Pjetër Bogdanit, shkruar për të ndihmuar besimtarët e krishterë shqiptarë në njohjen dhe thellimin e të vërtetave të fesë së krishterë, të të vërtetave ungjillore e në mënyrë të posaçme të figurës së Shëlbuesit të Botës, Jezu Krishtit, cilësohet edhe si libri i parë i prozës origjinale shqipe dhe mbetet një nga monumentet e teologjisë shqipe, të kulturës e posaçërisht të gjuhës e letrave shqipe.

Siç dihet, në saje të botimit të kësaj vepre “Çeta e Profetëve”  me 18 tetor të vitit 1685 në Padovë të Italisë, imzot Pjetër Bogdani zë një vend të dorës së parë në letërsinë shqipe të vjetër. Me botimin e parë, vepra zgjoi një interes të madh jo vetëm në trojet shqiptare po edhe në Itali e më gjerë, sikur dëshmojnë edhe dy botimet e kësaj vepre në vitet 1691 e 1702. Interesi i zgjuar nga kjo vepër është në radhë të parë teologjik, sepse bënë fjalë për jetën e Jezu Krishtit, por edhe letrar e shkencor. Pranë të dhënave biblike, të vërtetave ungjillore, shtjellimeve teologjike, doktrinore e katekistike, në këtë vepër  të imzot Pjetër Bogdanit gjenden edhe disa interpretime shkencore mbi dukuritë e natyrës, të bazuara në astronomi.

Rëndësia gjuhësore e kryeveprës së imzot Pjetër Bogdanit “Çeta e Profetënve”, është origjinaliteti, shkruar shqip e italisht, sepse botimi i fundit dhe më interesant, midis botimeve tjera të lashta në gjuhën shqipe, që kemi qysh, nga dom Gjon Buzukut me ‘Mesharin’, Lekë Matranga, Frang Bardhi, Pjetër Budi e tjerë. Veprat e këtyre autorëve ishin kryesisht përkthime të latinishtes e të italishtes me disa shtojca origjinale të vetë autorëve, ndërsa vepra e imzot Pjetër Bogdanit “Çeta e Profetënve” është krijimtari e tij teologjike, filozofike, historike e shkencore.

Në këtë vepër, shohim përgatitjen e lartë e të thellë teologjike e kulturore të imzot Pjetër Bogdanit, shohim vetëdijen që ai ka për situatën e rëndë në të cilën ndodhët populli dhe grigja e tij shqiptare nën zgjedhën otomane, dhe luftën që ai bën për ta “mposhtur errësirën e injorancës, për të ndriçuar njerëzit me anë të diturisë e jetës, që buron nga Bariu i Mirë, Shëlbuesi i botës, Jezu Krishti. Ky është ideali që e frymëzoi imzot Pjetër Bogdanin gjatë veprimtarisë së tij në shërbim të Popullit e të Kishës, sikur dëshmon vepra “Çeta e Profetëve” .

Kjo vepër doli si një kërkesë e kohës që përjetonin trevat shqiptare dhe Evropa. Në vitin 1639 kryengritësit shqiptarë të Kelmendit kishin vënë në ikje një ushtri të madhe turke, ndërkohë që osmanët ishin kthyer përpara Vjenës vetëm dy vjet para daljes së veprës së imzot Pjetër Bogdanit. E pikërisht dëshira dhe urgjenca për të ungjillëzuar e riungjillëzuar shqiptarët, që kishin përqafuar fenë e pushtuesit turk, e shtynë imzot Pjetër Bogdanin që t’i kërkonte kolegjit të Propagandës së Fesë të Vatikanit botimin e një vepre ku të shpjegoheshin themelet e doktrinës së krishterë katolike.

Vepra e shkruar nën dritën e qiriut në kushte të vështira, ku imzot Bogdani strehohej që mos ta kapnin turqit, nxirrej mbasi libra të tillë në gjuhën shqipe mungonin e botimet në gjuhën shqipe përndiqeshin e ndëshkoheshin, me shpresën se duke e ndriçuar kombin shqiptar, të tjerë Gjergj Kastriota do të dilnin në mbrojtje të vlerave e të vet popullit.

18 tetor 2022, 13:53