Kalendari kishtar më 9 nëntor kujton shugurimin e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran
R.SH. - Vatikan
Kalendari kishtar, sot më 9 nëntor, përkujton shugurimin e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, Katedralen e Romës, ndërtuar nga perandori Konstantin në kohën e Papës Silvestrit (314-335). Në aktet e martirizimit të Shën Justinit e shokëve të tij, shkruhet: “Pyeti atëherë prefekti Rustiko: ‘Ku mblidheni?”. Justini u përgjigj: “Ku mundemi e ku na pëlqen; ti kujton se ne mblidhemi të gjithë në të njëjtin vend, por nuk është ashtu, sepse Zoti i të krishterëve, që është i padukshëm, nuk mund të mbyllet në një vend të vetëm; ai mbush përplot qiellin e tokën, prandaj nderohet e lumnohet kudo nga ata që besojnë në Të”.
Duke dhënë këtë përgjigje të guximshme, Shën Justini përsëriste para gjykatësit, atë që Jezusi ia kishte thënë Samaritanes: “Më beso mua, grua, po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jeruzalem. Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve. Por po vjen koha – e tani është, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në vërtetësi” (Gjn. 4, 21-24).
Festa e sotme, që na kujton ditën kur Bazilika e Lateranit iu kushtua Shëlbuesit, sigurisht që nuk i kundërvihet dëshmisë së Shën Justinit, e aq më pak Fjalës së Krishtit. Pa harruar se i krishteri e ka për detyrë të lutet kudo e kurdoherë, që në kohët e para të krishterimit u ndje nevoja për t’u mbledhur në vende ku besimtarët mund të luteshin, të shpallnin Fjalën e Zotit dhe të rijetonin së bashku vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, duke vënë në jetë fjalët e Tij: “Merrni e hani të gjithë; merrni e pini të gjithë; bëjeni këtë në përkujtimin tim!”
Fillimisht këto takime bëheshin ndër shtëpi private, edhe sepse Kisha nuk njihej nga autoritet perandorake. Por kjo njohje do të arrihej shumë shpejt e bashkë me të, do të fillonte edhe ndërtimi i vendeve të kultit të krishterë, ndërmjet të cilëve, tempujt më madhështorë të krishterimit: Bazilika e Shën Gjonit në Lateran, e Shën Pjetrit në Vatikan, e Shën Palit në Ostiense dhe e Shën Marisë së Madhe në Eskuilin.
Bazilika Lateranense u themelua nga Papa Melkiadhi (311-314) në trojet e dhuruara nga perandori Kostandin pranë Pallatit Lateranens, asokohe seli perandorake, më pas seli papnore. Lindte kështu ‘Kisha nënë e të gjitha kishave të Romës e të Botës’. Më pas bazilika u shkatërrua disa herë e disa herë edhe u rindërtua. Në këtë Kishë dhe në Pallatin Lateranens (sot seli e Vikariatit të Romës) u kremtuan pesë koncile, përkatësisht në vitet 1123, 1139, 1179, 1215 e 1512.
Bazilika e Shën Gjonit në Lateran, simbol i fesë të të krishterëve të shekujve të parë, që kishin nevojë të mblidheshin në një vend të përbashkët e të shuguruar për të kremtuar Fjalën e Zotit dhe Misteret e Shenjta, mbetet simbol i të krishterëve të të gjitha kohërave, pa harruar se tempulli i gjallë e i vërtetë i Hyjit jemi dhe duhet të jemi ne vetë.