Kërko

Loja për Paqen e Scholas Occurrentes Loja për Paqen e Scholas Occurrentes

Kampionët e futbollit bashkohen për Lojën e Paqes, dëshiruar nga Papa

Nisma, në edicionin e saj të tretë, do të mbahet në Stadiumin Olimpik të Romës në orën 18.00. Do të jetë rast për të theksuar nevojën për paqe, duke pasur parasysh konfliktin në Ukrainë, por edhe për të kujtuar Diego Armando Maradonën. Presidenti i Scholas Occurrentes, José Maria del Corral: "Prania e lojtarëve rusë dhe ukrainas është gjest konkret dhe kuptimplotë”

R.SH. – Vatikan

Gjithçka është gati për edicionin e tretë të Lojës së Paqes, e cila do të zhvillohet pasditen e sotme, në orën 18, në Stadiumin Olimpik të Romës. Veprimtaria organizohet nga Scholas Occurrentes, rrjeti argjentinas për edukimin, i cili është kthyer në Fondacion papnor, me dëshirën e Papës Françesku. Në këtë inciativë marrin pjesë disa yje të futbollit botëror: nga kampionët italianë të botës në vitin 2006, tek lojtarët ndërkombëtarë të kalibrit të Ronaldinho-s, Ivan Rakitic dhe Miroslav Klose.

Përmasa e amatorit

Presidenti i Scholas Occurrentes, José María del Corral, në mikrofonin e Vatican News, kujton fjalët e Atit të Shenjtë me rastin e ndeshjes ndërmjet Argjentinës dhe Italisë, në gusht 2013. "Një sportist, pavarësisht se është profesionist, kur kultivon përmasën e 'amatorit', i bën mirë shoqërisë, ndërton të mirën e përbashkët, duke u nisur nga vlerat e dhurimit pa interes, të miqësisë dhe të bukurisë", pati deklaruar Papa, duke nënvizuar se kjo do të thotë që kampionët mund të ndihen njerëz normalë, bartës të humanitetit.

Scholas Ocurrentes me Papën për "I play for peace"
Scholas Ocurrentes me Papën për "I play for peace"

Futbolli i topit prej lecke

Del Corral nënvizon edhe vlerën e ndeshjes si dëshmi se "futbolli mund të jetë sërish ai i topit prej lecke", duke u kthyer në origjinën dhe vlerat e tij më të përvuajtura. Arritje e madhe në lojën e sotme është prania e lojtarëve rusë dhe ukrainas, “gjest konkret dhe veçanërisht domethënës për njerëzimin e plagosur nga pasojat e konflikteve të shumta, që ende shkaktojnë vdekje dhe shkatërrim".

Dhurata e një bilete

Biletat për ndeshjen, në platformën TicketOne.it, parashikojnë solidaritetin. Ato mund t’u dhuroheshin njerëzve, për të cilët kujdesen shoqata të ndryshme, vullnetarëve, shkollave, ose vetë fëmijëve, për të marrë kështu pjesë në këtë lojë kampionësh.

Scholas Ocurrentes për "I play for peace"
Scholas Ocurrentes për "I play for peace"

Homazh për Maradonën

Në fund të takimit pritet një çast nderimi për Diego Armando Maradonën, gati dy vite pas vdekjes. Ish-kampioni argjentinas e pati promovuar si ndeshjen, ashtu edhe vetë shoqatën Scholas Occurrentes. Gjatë shfaqjes në nder të tij, do të shihet një hologram inovativ, i cili do të projektojë emocione dhe kujtime, që lidhen me jetën e Maradonës. Do të këndojë “live” edhe grupi Opus, kënga e të cilit “Live is Life” u bë e famshme falë një videoje, në të cilën argjentinasi driblonte sipas notave të këngëtarëve austriakë.

14 nëntor 2022, 14:23