Shenjtorët e javës 13 - 20 nëntor
R.SH. Vatikan
E diel 13 nëntor, Kisha katolike kremton të Dielën e 33-të gjatë vitit kishtar liturgjik, gjithnjë më 13 nëntor, kalendari kishtar kujton shën Nikollën I papë e shën Agostina Pietrantonin, virgjër.
Liturgjia e kësaj së diele evokon ardhjen e mbrame të Zotit Jezus, që është në qendër të rrëfimit të fesë në Besojmë: “ E përsëri do të vijë, për të gjykuar të gjallët e të vdekurit, e mbretëria e tij nuk do ketë mbarim”. Pritja e ardhjes së Zotit paraqitet nga fragmenti Ungjillor i kësaj së diele si plotësim i projektit të tij të shpëtimit e këndej si çlirim nga i keqi dhe vdekja e përjetshme. Kjo shpresë e ardhshme, për të krishterin, domethënë se duhet të kontribuojë për shndërrimin e të sotmes në drejtim të Mbretërisë së Hyjit.
Të hënën më 14 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Serapionin, ipeshkëv i Aleksandrisë. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi na mëson të kënaqemi sepse jemi me Të e jo sepse bëjmë ndonjë gjë. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë, nuk i mungojnë njeriut që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.
Të martën më 15 nëntor, kalendari përkujton shën Albertin e madh, ipeshkëv e doktor të kishës dhe ahën Jozef Pinjatelin, meshtar jezuit. Figurat e tyre na kujtojnë se Jezusi shëroi shumë të gërbulur, po vetëm njëri u kthye ta falënderojë atë, që ka forcë të shërojë sëmundjet e korpit e të shpirtit. I krishteri i vërtetë duhet ta pranojë çdo çast pushtetin e Zotit mbi jetën e tij e duhet të jetë i vetëdijshëm se është Hyji ai, që na prin drejt të mirave të jetës së amshuar.
Të mërkurën më 16 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Margeritën e Skocisë e shën Gjeltruden, virgjër benediktine.Liturgjia e ditës duke folur për ngjarjet e tmerrshme që çuan në shkatërrim Sodomën, na kujton se duhet të jemi gjithmonë gati për ardhjen e dytë të Zotit.
Të enjten më 17 nëntor, kalendari kujton shën Elizabetën e Hungarisë, terciare françeskane. Liturgjia e ditës na kujton se vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën, do të shpërblehet në ditën e mbramë. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës, nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.
Të premten më 18 nëntor, kalendari kujton përvjetorin e Shugurimit të Bazilikës vatikanase (1626) e të Bazilikës ostiense (1854) në Romë. Kjo festë kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjajë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit.
Të shtunën më 19 nëntor, kalendari përkujton shën Barlaamin e Antiokisë, martir, e shën Matildën e Heftës. Dëshmitë e para për Shën Barlaamin fillojnë nga shekulli V, ndërsa Shën Matilda, mistike dhe mësuese e shën Gertrudës, ka jetuar ne shekullin XIII. Drejtoi për shumë vite korin e kuvendit dhe e përdori artin e muzikës për t’i kënduar lavde Zotit, gjë për të cilën shkroi: “Pastaj ai, Këngëtari më i madh, me zërin e tij, jonet e të cilit janë më të lartë se të gjitha harmonitë qiellore, vendosi ta magjepste thëllënzën e tij, që disa herë e kishte bërë për vete Zemrën hyjnore, me devocionin e saj, më shume se me zërin e mahnitshëm”.
Të dielën e ardhshme më 20 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 34-të gjatë vitit kishtar e solemnitetin e Jezu Krishtit, Mbretit të Gjithësisë. Kjo është e diela e fundit e këtij viti liturgjik, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.
Gjithnjë më 20 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Edmondin martir, pajtor i Anglisë. Pas pushtimit të tokave angleze që ishin nën mbretërimin e tij, ushtarët danezë, që e zunë rob, i kërkuan të mohonte fenë në Krishtin, në këmbim të jetës dhe të kurorës mbretërore, por Shën Edmondi zgjodhi kurorën e lavdisë qiellore. Varri i tij gjendet në afërsi të Kembrixhit.