Kërko

hebe de Bonafini hebe de Bonafini 

Vdiq Hebe de Bonafini, prijëse e të drejtave të njeriut, që me Bergoglion rigjeti fenë

U nda nga jeta në moshën 93-vjeçare, themeluesja dhe presidentja e “Mothers of Plaza de Mayo”, shoqatë e grave që për gati pesëdhjetë vjet bënë thirrje për të vërtetën dhe drejtësinë në Argjentinë lidhur me të zhdukurit gjatë diktaturës ushtarake. Për vdekjen e saj, tri ditë zije kombëtare. Vite me radhë ajo e pati kritikuar Jorge Mario Bergoglion, pastaj u afrua gjatë një takimi në Santa Marta, më 2016, pas të cilit gruaja i kërkoi falje. Që aty filloi shkëmbimi i letrave dhe mesazheve.

R. SH. - Vatikan

Të enjten e ardhshme, për herë të parë në gati pesëdhjetë vjet, ajo nuk do të jetë e pranishme në një nga "rondat" në Plaza de Mayo, me shaminë simbolike të bardhë lidhur në kokë, që të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë për bashkëshortët e zhdukur, fëmijët dhe familjarët e tjerë  desaparecidos gjatë luftës së ndyrë në Argjentinë (1976-1983). Pati humbur dy djemtë, Jorge Omar dhe Raul Alfredo, e edhe nusen, të zhdukur pa lënë gjurmë, si shumë kundërshtarë të tjerë të regjimit.

Zi kombëtare në Argjentinë

Hebe de Bonafini, themeluese dhe presidente e Madres de Plaza de Mayo, shoqatë e formuar nga gratë dhe nënat e të gjithë atyre që u zhdukën gjatë diktaturës ushtarake, vdiq dje në moshën 93-vjeçare. Do të kishte mbushur 94 vjeç më 4 dhjetor. Në gjysmën e parë të tetorit u shtrua për tri ditë në spitalin La Plata për analiza, që nuk nxorën në pah ndonjë patologji të veçantë. Nxitëse e nismave të shumta, duke përfshirë edhe Universitetin e të Drejtave të Njeriut, në Argjentinë konsiderohej si institucion, aq sa qeveria e Presidentit Alberto Fernandez, pasi mori vesh lajmin për humbjen e saj, dekretoi tri ditë zije në të gjithë vendin.

Lidhja me Papën

Lidhja me Jorge Mario Bergoglio, Papën Françesku, ishte  pikë themelore në historinë personale të Bonafinit. Në të kaluarën, gruaja e kishte kritikuar ashpër dhe vazhdimisht kryeipeshkvin e atëhershëm të Buenos Ajres. Më pas u takuan, fillimisht përmes letrave dhe shkëmbimeve të tjera, pastaj personalisht në Shën Martë, në vitin 2016. Pikërisht pas këtij takimi, Hebe Bonafini pohoi se e kishte rigjetur fenë e humbur:

“E kisha humbur plotësisht besimin, që është aq i nevojshëm, por kur filloi lidhja, Papa ma ktheu … Pa besim nuk mund të jetohet dhe falë këtij besimi flas me fëmijët e mi çdo natë”

 Në një intervistë për Radio AM-530, gruaja pohoi:

“Papa Françesku më kishte ftuar shumë herë në Vatikan. Mendoja se nuk duhej të shkoja, sepse kisha debatuar shumë herë me të. Derisa një ditë dërgoi në shtëpinë time një ipeshkëv, me të cilin fola dhe pranova ftesën për ta vizituar”.

Takimi më 2016, në Shën Martë

Bonafini kishte mbërritur në Shtëpinë e Vatikanit, ku banon Papa, mëngjesin e 28 majit 2016. Takimi ishte i gjatë, mbi dy orë dhe i këndshëm, sipas asaj që vetë Hebe pohoi gjatë një takimi me një grup gazetarësh: “U prekëm dhe u përqafuam”. Me Papën trajtuan edhe situatën dramatike në Argjentinë, me njerëz të papunë, gjithnjë në luftë për të mbijetuar. Mbi të gjitha, Papa e kishte “dëgjuar” me shumë vëmendje – siç pohoi aktivistja, duke pranuar publikisht se kishte gabuar për Bergoglion, se nuk e njihte përkushtimin e tij ndaj të varfërve, se i kishte kërkuar falje.

Në një intervistë me gazetaren Elisabetta Piqué në La Nacion, në korrik 2016, Papa e pati komentuar këtë kërkesë për falje, kur foli për audiencën e majit:

“Ishte një gjest faljeje. Ajo më kërkoi falje e unë nuk ia mohova. Nuk ia mohoj askujt. Ajo është grua së cilës i janë vrarë dy fëmijët. Përkulem, gjunjëzohem përballë kaq shumë vuajtjeve. Nuk ka rëndësi se çfarë tha për mua. Dhe e di që ka thënë gjëra të tmerrshme në të kaluarën”.

Letrat dhe mesazhet

Marrëdhënia ndërmjet Papës dhe prijëses të Madres de Plaza de Mayo vazhdoi në nivel epistolar gjatë viteve në vijim. Në vitin 2017, Hebe i kishte dërguar Papës një letër, ku i thoshte se Argjentina ka nevojë për të: "Po kalojmë një periudhë shumë të keqe, vendi duket si një mal që shembet, kur ka tërmet" – shkruante e, më pas, kujtonte 40-vjetorin e “luftës” së Madresit, “pa humbur as një të enjte në shesh”: “2036 marshime, kemi mbetur pak, por kemi ndërtuar një urë të pathyeshme ndërmjet fëmijëve tanë dhe brezave të rinj, të cilët e kanë marrë seriozisht  Atdheun, ndaj ne nënat do të vdesim të qeta, sepse lufta dhe mbrojtja e jetës është në duart më të mira të atyre të rinjve, që i kushtohen betejës për të tjerët dhe për të tjerat”.

Françesku ishte përgjigjur duke i dërguar një libër dhe një letër, në të cilën përsëriste "atë që kam thënë shumë herë dhe atë që ju kam shprehur kur ishit në Vatikan: përballë dhimbjes së një nëne që humbet fëmijët e saj në një mënyrë kaq mizore dhe të pamëshirshme", në mënyrë të dhunshme, ndjej  respekt të thellë dhe nevojën për ta shoqëruar me afërsinë dhe lutjet e mia. Vetëm ajo e di se çfarë do të thotë të vuash”.

Inkurajimi

Përsëri në shkurt 2018, Hebe Bonafini kishte bërë të njohur gjatë një takimi të Nënave të Plaza de Mayo një mesazh të ri të dërguar nga Papa, në të cilin shkruante: "Lutem për ju dhe për nënat! I lutem Zotit që t'ju mbajë me shëndet, në mënyrë që të vazhdoni të ndihmoni shumë njerëz”. Françesku, me atë rast, e inkurajonte gruan të vazhdojë pa u shqetësuar për shpifjet që qarkullonin për të: ato, shkruante ,"vetëm ndotin ndërgjegjen dhe dorën e atyre që i nisin. Mos harroni të luteni për mua. Përshëndetje për nënat”.

Të njëjtën urim dhe të njëjtin bekim Papa kishte përsëritur disa muaj më parë, me një letër të datës 1 maj 2022, një ditë pas 45 vjetorit të “patrullës” së parë të 30 prillit 1977, kur grupi i grave kishte marshuar rreth Piramidës së majit për të kërkuar ridukjen “gjallë” të fëmijëve të tyre  të burgosur apo të zhdukur. Papa falënderonte për një libër të marrë si dhuratë:

"E lexova me kujdes dhe trajektorja që nënat e Plaza de Mayo kanë ndjekur vazhdimisht në këto 45 vjet është e admirueshme".

Një rrugë, që tani humbet udhërrëfyesen e saj, por që do të vazhdojë.

21 nëntor 2022, 14:10