Kërko

Takimi i Romës Takimi i Romës

Vend i sigurtë në Evropë: Shqipëria shpëtoi hebrenj gjatë Luftës II Botërore

Shpëtimi i hebrenjve në trevat shqiptare, në qendër të një Takimi, organizuar në Romë, në Universitetin Roma Tre. Ekspertë e përfaqësues të institucioneve shpjeguan pse Shqipëria konsiderohet “e drejtë ndër kombe” nga izraelitët. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, paraqiti projektin e Muzeut Hebraik në Vlorë

R.SH. - Vatikan

Ditë e veçantë sot në Romë, në Universitetin Roma Tre, ku u paraqit qëndrimi i popullit shqiptar ndaj hebrenjve, gjatë Luftës II Botërore. Popull “i drejtë ndër kombe”, siç përmendet në Muzeumin izraelit Yad Vashem, ai shqiptar nuk i dorëzoi hebrenjtë tek nazifashistët italianë e gjermanë, por i mbrojti dhe i fshehu, madje, edhe në nivelin institucional. Në takimin e organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Itali dhe nga Fondacioni Muzeu i Shoahut, prezantuar nga futbollisti i njohur Lorik Cana, që me Fondacionin e tij u impenjua aktivisht për vënien në jetë të kësaj veprimtarie, studiues dhe përfaqësues institucionalë vunë në dukje se numri i hebrenjve në Shqipëri, në fund të Luftës, ishte më i madh se në fillim të saj.

Takimi i Romës me Ministren e Kulturës, Elva Margariti e ambasadoren e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri
Takimi i Romës me Ministren e Kulturës, Elva Margariti e ambasadoren e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri

Dokumentet e prof. Federico Goddi-t, nga Universiteti i Romës “La Sapienza”, nxorrën qartas në pah se atë, që s’bënë vendet fqinjë, ku hebrenjtë u persekutuan, e bënë trevat shqiptare, që edhe në nivelin shtetëror, e konsideruan çështjen e hebrenjve si të brendshme, duke i pajisur ata me çertifikata për “qëndrim të mirë” e duke i vonuar listat e kërkuara nga autoritetet e pushtimit. Që në kohën e mbretit Zog, vërejtën edhe studiues të tjerë, si prof. Alberto Basciani i “Roma Tre”, prof. Blerina Suta e Universitetit “L’Orientale” të Napolit, e cila paraqiti punimin e prof. Shaban Sinanit, i pamundur për të qenë i pranishëm, si edhe të tjerë, hebrenjtë ftoheshin në Shqipëri, duke u siguruar pasaporta e dokumente shqiptare. Në këtë mënyrë, kaloi edhe Albert Ajnshtajni në Durrës, ku qëndroi tri ditë, para se të nisej për në Amerikë.

U përmend edhe kontributi i klerit katolik, i cili, përmes nunciaturës apostolike, që atëherë ishte në Shkodër e, përmes kryedioqezës Durrës-Tiranë, bëri ç’ishte e mundur për t’u siguruar dokumente e kalim të lirë hebrenjve, të cilët strehoheshin nëpër familje, duke u identifikuar nga pushtuesit si shqiptarë. Edhe myslimanët patën rol në këtë operacion shpëtimi: ndërsa në Kroaci, ustashat i mbysnin hebrenjtë me gaz e në Malin e Zi, kryebashkiakë kolaboracionistë ua dorëzonin hebrenjtë gjermanëve, sipas dokumenteve të paraqitura gjatë takimit, në Kosovë, xhamia e Prizrenit i fshihte dhe i niste për në Shqipëri. Vetëm në Berat, u shpërngulën nga Kosova 350 hebrenj. Dokumentari 11 minutësh “The Albanian Code”, i regjizorit Yael Katzir, me dëshmi nga hebrenj të shpërngulur nga Shqipëria pas komunzimit, e përforcoi edhe më shumë atë, që thanë studiuesit.

Gazetarja Klaudia Bumçi me Ministren e Kulturës, Elva Margariti
Gazetarja Klaudia Bumçi me Ministren e Kulturës, Elva Margariti

Projekti i Muzeut hebraik

Siç shpjegoi Ministrja shqiptare e Kulturës, znj. Elva Margariti, në Vlorë do të ngrihet së shpejti një Muze Hebraik. Shpëtimi i hebrenjve, nënvizoi ajo, u bazua në institucionin e “Besës”, pasi hebrenjtë ishin në besën e shqiptarëve, prandaj, u mirëpritën dhe u mbrojtën. Por “Besa” do të jetë edhe në qendër të një projekti më të gjerë. Ministrja shqiptare e Kulturës, znj. Elva Margariti nё mikrofonin e Klaudia Bumçit. Të dëgjojmë vetë ministren në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican News…

Ministrja shqiptare e Kulturës, znj. Elva Margariti nё mikrofonin e Klaudia Bumçit
11 nëntor 2022, 14:45