Ukrainë, lutja për vendin dhe dëshira për paqe në vizatimet e fëmijëve
R.SH. – Vatikan
“Disa nga këto vizatime janë bërë në strehime pa dritë. Shumë prej fëmijëve, që i kanë realizuar, janë pa shtëpi, të tjerët jetojnë akoma në Kharkiv, Mykolaiv e në qytete të tjera të bombarduara. I dërgojnë vizatimet në Lviv, ne i fotografojmë e, pastaj, i çojmë në qytete të ndryshme të botës”. Më këto fjalë, piktori i Kharkiv-it, ukrainasi Serhiy Hrichanok, përshkruan ekspozitën me vizatime fëmijësh, që pasqyron ç’po përjetojnë ata gjatë luftës aktuale me Rusinë. Para konfliktit, ai vetë jepte mësim arti në një nga licetë artistikë të qytetit, që ndodhet në lindje të Ukrainës. Lufta ia ndryshoi krejtësisht jetën atij dhe nxënësve. Serhiy iku nga Kharkiv për t’u vendosur në Lviv, në një kuvend bashkë me të shpërngulur të tjerë e, megjithatë, nuk e humbi pasionin për pikturën dhe dëshirën për të ndihmuar fëmijët e të rinjtë ta shprehin pikërisht përmes vizatimit, çfarë ndiejnë në zemër në këtë përiudhë të vështirë.
Konkursi “Stafeta e Paqes”
Piktori është bërë kryetar jurie i konkursit “Stafeta e Paqes”, organizuar nga Forumi Ndërkombëtar i Arteve të Bukura “Kavaleti i artë” (Ukrainë), një platformë kulturore dhe edukative, që ofron programe formuese dhe hapësira reale e virtuale për fëmijë e të rinj, duke u dhënë mundësinë t’i publikojnë veprat e tyre në një sërë galerish virtuale. Nisma mbështetet edhe nga Dikasteri vatikanas për Kishat Lindore. Nisur shkurtin e kaluar në Lviv, konkursi “Stafeta e Paqes” ka si objektiv “të kontribuojë në zhvillimin e mendimit krijues në piktorët e rinj dhe t’u shërojë shpirtin fëmijëve e të rinjve, që ëndërrojnë paqen jo vetëm për vete, por edhe për botën mbarë”. Deri tani, në të janë regjistruar më se 2000 fëmijë nga i gjithë globi. Vizatimet e publikuara, që zgjidhen nga organizatorët, vijnë nga rreth dhjetë vende si Norvegjia, Bullgaria, Hungaria, Sllovakia, Japonia, SHBA-të. Rreth 40 riprodhime të vizatimeve të të rinjve ukrainas mund të shihen edhe në Romë, në Shtëpinë e Etërve Bazilianë, në lagjen Aventino, ku janë ekspozuar që nga 27 nëntori.
Të kapërcesh traumën duke vizatuar
“Nganjëherë mendojmë se fëmijët nuk dëgjojnë, nuk i kushtojnë vëmendje ngjarjeve përreth tyre, – pohon Iryna Zorina, njëra nga organizatorët – mendojmë se prindërit duhet t’i mbrojnë me krahët e tyre. Por ata i dëgjojnë bisedat e të rriturve, i ndjekin lajmet në televizion, i lexojnë, i dëgjojnë në shkollë dhe shqetësohen. Shqetësimi i tyre ka peshë të rëndësishme, ua përshkon krejt qenien, prandaj mbrojtja, ndihma dhe kujdesi ynë për ta është i domosdoshëm”. Serhiy Hrichanok shpjegon se shumë të rinj pasqyrojnë tmerret e luftës. “Fëmijët e Kharkiv-it vizatojnë ç’kanë përjetuar – nënvizon ai – disa vepra kanë një ngarkesë emocionale të madhe dhe mund të konsiderohen si shembuj të stilit ekspresionist”. Shprehja e ndjenjave dhe e përvojave të jetuara përmes artit është e rëndësishme për të kapërcyer traumën, por artistët e rritur përpiqen t'i nxisin të rinjtë të shfaqin, përmes pikturës, edhe dëshirën e tyre për paqe, dritën, shpresën, duke i shtyrë të mendojnë për të ardhmen.
Dëshira e fëmijëve për paqe
Natalya Flyak, piktore dhe drejtuese e një studioje arti në Lviv, shpjegon kuptimin e simboleve të paraqitura nga piktorët e rinj: “Shumë fëmijë pasqyrojnë engjëj, ndërmjetësit e Zotit mes njerëzve. Shumë të rinj përdorin ngjyrat verdh-e-blu në veprat e tyre, pasi janë ngjyrat e flamurit tonë ukrainas. Shihen motive të ndryshme etnike ukrainase, veçanërisht simboli i yllit me tetë cepa. Përsëritet shpesh simboli i pemës së jetës; ka edhe kallinj, simbol i fushës ukrainase me grurë. Shumë fëmijë vizatojnë zogj e zogu është simbol i lutjes, që lartohet drejt Zotit”. Për Át Polikarp Martselyuk, i Urdhrit Bazilian të Shën Jozafatit, i cili ndihmoi në organizimin e ekspozitës së të rinjve ukrainas në Romë, është themelore të dëgjohet zëri i të vegjëlve, të cilët “përmes pikturës, përmes harmonisë së ngjyrës dhe formës, përpiqen të përçojnë dëshirën e tyre për paqe”. “Dëshira e tyre që Zoti të na shohë nga qielli dhe të na japë paqen, duhet të arrijë në të gjitha qytetet”, përfundon Át Martselyuk, duke falënderuar Dikasterin vatikanas për Kishat Lindore, në veçanti, ish-prefektin e tij, kardinalin Leonardo Sandri, për mbështetjen e punës së këtyre fëmijëve.