Kërko

Logo e NATO-s Logo e NATO-s

Digjet Kurani në Suedi, Turqia bllokon bisedimet për NATO-n

Në Suedi, Rasmus Paludan, lideri i partisë të së djathtës ekstreme Starm Krus, dogji Kuranin para ambasadës turke në Stokholm. Një episod i rëndë, pas të cilit Turqia i shtyu për një kohë të pacaktuar negociatat për anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në NATO

R.SH. – Vatikan

Ministri i jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, kritikoi ashpër ngjarjen e ditëve të fundit në Suedi, ku Rasmus Paludan, lideri i partisë të së djathtës ekstreme Stram Kurs, bëri copë-copë dhe dogji Kuranin para ambasadës turke. Një gjest, që Çavuşoğlu e gjykoi si sakrilegj dhe të vështirë për t’u pranuar. “Paraqitet nën emrin e lirisë së shprehjes një manifestim haptas provokues dhe racist, që vë në shënjestër Islamin dhe vlerat tona. Jemi përballë një krimi, për shkak të urrejtjes, që dëshmon atmosferën e islamofobisë në Evropë”.

Negociatat NATO në krizë

Një episod i rëndë, i cili shkaktoi shtyrjen pa afat të negociatave për anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në NATO: takimi ishte planifikuar për në shkurt. Pasi 92,2 për qind e turqve u shprehën kundër anëtarësimit të Suedisë në NATO, siç doli në pah nga një sondazh i agjencisë zyrtare të lajmeve Anadolu, Suedia bëri thirrje për qetësi, duke kritikuar provokatorët e brendshëm, fajtorë për destabilizimin e kandidaturës suedeze në Aleancën Atlantike. Siç dihet, të tridhjetë shtetet anëtare duhet të miratojnë unanimisht hyrjen e anëtarëve të rinj në NATO.

Të zbuten tensionet

Para vendimit për shtyrjen e negociatave, edhe ministri i jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, në një intervistë, pati deklaruar se Finlanda mund të detyrohet ta vazhdojë pa Suedinë rrugën drejt NATO-s: “Natyrisht, duhet të vlerësojmë situatën, nëse ka ndodhur diçka, që do ta ndalë Suedinë për një kohë të gjatë”. Fillimisht të bashkuar në rrugën drejt anëtarësimit, të dyja vendet bashkëpunojnë prej kohësh në fushën e mbrotjes, me Stokholmin që dëshiron t’i kthehet dialogut me Turqinë, në përpjekjen për t’i zbutur tensionet për hyrjen e Suedisë në Aleancën Atlantike.

25 janar 2023, 15:46