Cardinale albanese Mikel Koliqi Cardinale albanese Mikel Koliqi

Kardinali Mikel Koliqi nё pёrvjetorin e vdekjes

Kardnali Koliqi, një nga figurat më të ndritura të Kishës katolike shqiptare, u bë simbol i persekutimit të katolikëve dhe popullit shqiptar gjatë regjimit komunist, dëshmitar i gjakut të martirëve, derdhur për Fé e Atdhé në rrethana rrënqethëse e tejet tragjike, nën diktaturën komuniste ateiste në Shqipëri.

R.SH. - Vatikan

Më 28 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së kardinalit shqiptar Mikel Koliqi, i cili ndërroi jetë si sot më 28 janar tё vitit 1997, duke na kujtuar se martirët ishin profetë të çarmatosur të dashurisë së Krishtit.

Kardnali Koliqi është një nga figurat më të ndritura të Kishës katolike shqiptare, njeriu që u bë simbol i persekutimit të katolikëve dhe popullit shqiptar gjatë regjimit komunist,  dëshmitar i gjakut të martirëve, derdhur për Fé e Atdhé në rrethana rrënqethëse e tejet tragjike, nën diktaturën komuniste ateiste në Shqipëri.

Kardinali Mikel Koliqi një jetë kushtuar Zotit e popullit

Nuk është e thjeshtë të përmbledhësh me pak fjalë jetën e kardinalit Mikel Koliqi, një nga figurat më poliedrike në historinë e Kishës katolike të Shqipërisë. Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t'i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos. Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës. U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës "Kumbona e së Dieles". Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.

Papa Shën Gjon Pali II e emëroi prelat nderi (monsinjor) në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shkodër, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994 në Vatikan. Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin "Pishtar i demokracisë", më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997.  Kjo thënë në pak rreshta një jetë të veçantë siç qe ajo e dom Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë e jashtëzakonshme për Fé e Atdhé që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i persekutimit ateist të komunizmit.

Jeta e kardinalit Koliqit testament shpirtëror e kombëtar

E jeta dhe veprimtaria e kardinalit Mikel Koliqi qe dhe është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra, një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar. të bashkuar e në mirëkuptim. për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore e, kulturore e kombëtare

Nga arkivi i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit ju propozojmë intervistën tonë të vitit 1993 me dom Mikel Koliqin, ku rrëfen jetën e tij:

Ju propozojmë intervistën tonë të vitit 1993 me dom Mikel Koliqin, ku rrëfen jetën e tij:
27 janar 2023, 09:52