Kërko

Ambasadorja Haxhitasim uron Kosovën, në pesëmbëdhjetë-vjetorin e Pavarësisë

Kanë kaluar 15 vjet nga 17 shkurti 2008, dita kur Parlamenti i Prishtinës shpalli zyrtarisht pavarësinë nga Serbia. Që atëherë, Kosova është rritur dhe zhvilluar, ka si synim BE-në dhe NATO-n, por marrëdhëniet me Serbinë mbesin për t'u stabilizuar. Komuniteti Ndërkombëtar e posaçërisht BE-ja u bëjnë thirrje dy qeverive për një zgjidhje të përbashkët. Po Kosova sot është një festë në Prishtinë e qytete tjera për të kremtuar pesëmbëdhjetë-vjetorin e Pavarësisë së vendit

R.SH. / Vatikan

Kanë kaluar 15 vjet nga 17 shkurti 2008, dita kur Parlamenti i Prishtinës shpalli zyrtarisht pavarësinë nga Serbia. Që atëherë, Kosova është rritur dhe zhvilluar, por marrëdhëniet me Serbinë mbesin për t'u stabilizuar. Komuniteti Ndërkombëtar e posaçërisht BE-ja u bën thirrje dy qeverive për një zgjidhje të përbashkët. Po Kosova sot është një festë në rrugët e Prishtinës e të qyteteve tjera për të kremtuar pesëmbëdhjetë-vjetorin e Pavarësisë së vendit.

Ambasadorja e Republikës së Kosovës pranë Republikës së Italisë, SH.S. znj. Lendita Haxhitasim në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve ANSA flet për synimet e vendit, për kultivimin dhe përforcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Italisë,  për diplomacinë e kulturës në përhapjen e imazhit dhe identitetit të Kosovës në botë dhe në veçanti në Itali, për shtetin e Kosovës si një laborator shembull bashkëjetese multietnike në Ballkan dhe në Evropë, përtej dhe në respektimin e dallimeve fetare e të pakicave etnike të pranishme brenda vendit, si dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare, siç dëshmoi edhe vizita e kohëve të fundit e Presidentes Vjosa Osmani në Itali e Vatikan. Kosova  ka si synim BE-në dhe NATO-n. Në mikrofonin e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News Ambasadorja e Republikës së Kosovës pranë Republikës së Italisë, Sh.S. znj. Lendita Haxhitasim uron 15-vjetorin e Pavarësisë:

Ambasadorja e Republikës së Kosovës pranë Republikës së Italisë, Sh.S. znj. Lendita Haxhitasim uron 15-vjetorin e Pavarësisë

Ambasadorja e Republikës së Kosovës pranë Republikës së Italisë, Sh.S. znj. Lendita Haxhitasim për agjencinë e lajmeve Ansa mes tjerash tha:

"Jemi krenarë që sot Republika jonë e Kosovës feston 15 vjetorin e parë të pavarësisë. Një ngjarje e paharrueshme për historinë e vendit tonë, rezultat i angazhimit dhe sakrificës së të gjithë popullit tonë, i cili nuk u ndal kurrë për të realizuar ëndrrën e shumëdëshiruar dhe të merituar: Lirinë. Pavarësia jonë u arrit edhe falë angazhimit dhe kontributit të të gjithë aleatëve tanë, sot partnerët dhe mbështetësit tanë më të mëdhenj, siç është Italia që ka qenë gjithmonë pranë nesh.

Qeveria jonë është vazhdimisht e përkushtuar për të avancuar vlerat dhe parimet e pavarësisë, brenda dhe ndërkombëtarisht, duke avancuar gjithnjë e më shumë drejt objektivit tonë strategjik të bindur dhe të padiskutueshëm që është bashkimi me familjen evropiane, me të cilën na lidh si historia dhe faktorët gjeografikë. E gjithë kjo reflektohet në hapat e rëndësishëm të ndërmarrë vitin e kaluar, kur Republika e Kosoves dorëzoi kërkesën formale për anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe aplikimin zyrtar për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Për më tepër, ne po ecim paralelisht edhe me objektivin tjetër tonë strategjik, atë të Aleancës Atlantike, me të cilën bashkëpunojmë vazhdimisht dhe dëshirojmë t’i bashkohemi si aleatë dhe kontribues, siç ndodh me pjesëmarrjen e ushtarëve tanë në stërvitjet zyrtare të NATO-s".

 Marrëdhëniet e mira ndëmjet Kosovës e Italisë

Lidhur me marrëdhëniet e Kosovës me Italinë, Ambasadorja Haxhitasim thotë se "ato kanë qenë gjithmonë të mira. Në fakt, më 21 shkurt do të festojmë saktësisht 15 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, të vendosura kur Italia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë tonë. Këtë e konfirmoi edhe takimi i fundit shtetëror mes Presidentes së Republikës Vjosa Osmani-Sadriu dhe Presidentit Sergio Mattarella në Quirinale, ku u rikonfirmuan marrëdhëniet intensive miqësore mes dy vendeve dhe popujve tanë, duke nënvizuar potencialin e mundësive të shumta për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. Më tej, u ritheksua fakti se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Italisë forcohen nga vlerat dhe parimet e përbashkëta të demokracisë, të cilat ngrihen më tej me përkushtimin e ndërsjellë për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor".

Vlerat e idealet në themelin e Kushtetutës së Kosovës

"Garantuesi më i mirë për të gjitha komunitetet që përbëjnë vendin, pasi ajo mishëron parimet, vlerat dhe idealet që janë standardet më të avancuara të të drejtave themelore të njeriut. Për ne, bashkëjetesa paqësore midis feve të ndryshme është një vlerë themelore që pasqyron lidhjen e brendshme që kemi për lirinë. Në këtë front, institucionet tona janë të përkushtuara në vazhdimësi për mbrojtjen dhe implementimin e plotë të karakterit multietnik dhe multifetar të vendit. Këto elemente u theksuan edhe gjatë audiencës së fundit të Presidentes Osmani-Sadriu në Vatikan me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun".

Qeveria e Kosovës e propozimi i fundit evropian për dialogun me Serbinë

Qeveria e Kosovës, siç dihet, e ka pranuar propozimin e fundit evropian, të mbështetur nga SHBA-të, duke e konsideruar atë një bazë të mirë për dialogun me Serbinë drejt njohje reciproke. Zhvillimet e fundit ndërkombëtare kanë nxjerrë në pah dinamikat që ne i njohim shumë mirë në Kosovë për shkak të luftës tragjike që përjetuam në fund të mijëvjeçarit të kaluar, kur bashkësia ndërkombëtare ndërhyri për të ndalur gjenocidin e Serbise ndaj shqiptarëve të Kosovës. Republika e Kosovës është ndër vendet e para që publikisht ka dalë në krah të Ukrainës, duke dënuar me vendosmëri agresionin rus. Qeveria jonë është linjëzuar plotësisht me BE-në dhe SHBA-në, duke miratuar një sërë masash dhe sanksionesh ndaj Federatës Ruse. Për më tepër, kemi miratuar masa konkrete solidariteti dhe pritjeje, siç është ajo e implementuar përmes programit të mikpritjes që u ofrohet gazetarëve ukrainas që ende jetojnë dhe punojnë nga Kosova për Ukrainën.

17 shkurt 2023, 15:33