Kërko

Kosovo marks 15 years of independence from Serbia Kosovo marks 15 years of independence from Serbia

Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë

Më 17 shkurt Kosova feston përvjetorin e Pavarësisë. Ky përvjetor e gjen vendin me shumë hapa përpara por edhe me shumё sfida, të trashëguara e të reja. Nuk ka pasur ndryshime të mëdha, gjatë kësaj periudha të pavarësisë, Kosova ka shënuar edhe arritje institucionale, shoqërore, por mbesin sfidat gjeopolitike ndërkombëtare e situata e rëndë ekonomike

R.SH. - Vatikan

Sot më 17 shkurt Kosova feston 15-vjetorin e pavarësisë. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të vitit 2008 ku merrnin pjesë 107 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën Shtet të Pavarur, Sovran dhe Demokratik. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 107 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Prishtinës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit. Kështu më 17 shkurt të vitit 2008 u kurorëzua ëndrra për pavarësi e një populli që kaloi nëpër vuajtje dhe diskriminim, nëpër një luftë të përgjakshme, e cila ishte vetëm kapitulli i fundit tragjik i një drame me shumë akte, dramë e cila u shtri përgjatë një shekulli. 

Këto vite tё periudhës sё pavarësisë, për Shtetin e Kosovës, janë vite të karakterizuara me shumë ndërmarrje, shpresë, punë, por edhe me shumë sfida të mëdha. Tashmë Kosova ёshtё një vend, i cili, pavarësisht nga e shkuara historike,  po punon pёr njё tё ardhme mё premtuese pёr tё gjithё, për një paqe e stabilitet nё vend dhe në rajonin e Ballkanit, .

Gjatë kësaj periudha të pavarësisë nuk ka pasur ndryshime të mëdha, edhe pse sot Kosova është e njohur nga 117 Shtete në nivelin ndërkombëtar, ajo ende nuk mund të relacionohet vis-à-vis me Bashkimin Evropian në tërësi, sepse ende pesë vende të BE-së vazhdojnë ta konsiderojnë si një provincë të Serbisë. Prandaj lypet një punё e madhe diplomatike e jo vetëm. Koha do të tregojë nëse klasa politike e udhëheqëse e vendit do të mund t’u bëjë ballë sfidave aktuale që ka para e nëse mund t’i kapërcejë vështirësi e mëdha, brenda e jashtë, veçanërisht ato me Beogradin.

Ky përvjetor e gjen vendin me shumë sfida, të trashëguara e të reja, si dialogu me Serbinë, gjendja e rëndë ekonomike, papunësia e madhe, vështirësitë që has zhvillimi shoqëror në vend, i cili është në një gjendje shqetësuese, rënduar nga fenomeni i korrupsionit, synimi i të rinjve, të cilët bëjmë ç’ mos për t’u larguar nga vendi, kujtojmë se kosovarët janë të vetmit evropianë të Jug-Lindjes së Evropës, të cilët ende duhet të kërkojnë një vizë për të hyrë në hapësirën Schengen të BE-së, reformat, marrëdhëniet me vendet dhe institucionet ndёrkombёtare e etj.

Sot, data e 17 shkurtit shënon ditën e shpalljes së Pavarësisë, e qytetarët e kremtojnë festën e Shtetit sovran të Kosovës, si ngjarje dhe arritje historike, me dëshirë dhe synim për një Shtet e një shoqëri demokratike sa më të përforcuar mbi vlera e me një të ardhme më premtuese sidomos për të rinjtë.

 



17 shkurt 2023, 10:01