Kërko

Papa Françesku me presidentin e Sudanit të Jugut, Salva Kiir Mayardit Papa Françesku me presidentin e Sudanit të Jugut, Salva Kiir Mayardit  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Salva Kiir: të gatshëm për rifillimin e bisedimeve të paqes, në Romë

Në përshëndetjen drejtuar Papës, presidenti i Republikës së Sudanit të Jugut e quajti vizitën "çast historik" Kujtoi, më pas, ushtrimet shpirtërore të vitit 2019, kur Françesku puthi këmbët e liderit të vendit, ndërsa lutej për paqen. Më pas njoftoi gatishmërinë për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkësia e Shën Egjidit me grupet opozitare, që nuk kanë nënshkruar.

Një gjest shtendosjeje, njoftimi zyrtar i gatishmërisë për të rifilluar bisedimet për  paqen, në Romë, me grupin opozitar të Sudanit Jugor (Nsssog). Lajmin e dha Presidenti i Republikës së Sudanit të Jugut, Salva Kiir Mayardit në fjalimin e përshëndetjes drejtuar Françeskut, Papës së parë që po viziton vendin. “Prania e Juaj mes nesh është çast historik”, pohoi kreu i shtetit. Qeveria vendase i pati pezulluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkësia e Shën Egjidit muajt e fundit, duke kujtuar "mungesën e angazhimit" të grupit Nsssog. Salva Kiir Mayardit shprehu dëshirën e mirë që "grupet e rezistencës" “ta shkëmbejnë këtë gjest dhe të angazhohen sinqerisht me qeverinë, për të siguruar paqen në të gjithë vendin".

Rruga drejt paqes

Presidenti kujtoi edhe ushtrimet shpirtërore në Vatikan, në vitin 2019. Ata ushtrime, gjatë të cilave Papa Françesku, për të kërkuar paqen, ia puthi këmbët atij dhe nënpresidentëve të pranishëm, duke përfshirë edhe Riek Machar. Sot, dr. Riek dhe unë jemi ulur këtu duke punuar së bashku për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes, nënshkruar në vitin 2018.

Dialog e sfida

Presidenti i Sudanit të Jugut është i vetëdijshëm se jo të gjithë janë të kënaqur nga zbatimi i marrëveshjes: “Ka rëndësi që ne, palët në marrëveshje, të punojmë së bashku me frymën e dialogut, për të kapërcyer sfidat me të cilat përballemi. E ne do të vazhdojmë të angazhohemi, derisa të vendoset paqja në Sudanin e Jugut!”.

Më tej, kujton se në dëshirën e thellë për të ndjekur një “proces politik gjithëpërfshirës, në të cilin dëgjohet zëri i qytetarëve”, shtatorin e kaluar u realizua “Udhërrëfyesi-2022 që zgjat periudhën e tranzicionit me 24 muaj”, për të pasur kohë “të krijohen institucionet  lidhur me krijimin e kushteve  të zgjedhjeve transparente dhe të besueshme”.

Rëndësia e shtegtimit ekumenik

 Salva Kiir uron që kërkimi i paqes dhe i pajtimit të ndihmohet nga Shtegtimi Ekumenik i Papës, i Kryeipeshkvit të Canterbury-t, Justin Welby dhe moderatorit të asamblesë së përgjithshme të Kishës së Skocisë, Iain Greenshields, në Sudanin e Jugut: "Vizita historike e këtyre udhëheqësve të shquar të krishterë duhet të na nxisë të angazhohemi në një reflektim të thellë mbi historinë tonë të fundit, veçanërisht në lidhje me detyrën fisnike të konsolidimit të paqes, projekteve të rëndësishme të pajtimit dhe të faljes në gjirin e popullit tonë”.

Marrëveshja e rigjallëruar e paqes u nënshkrua më 12 shtator 2018, pas 15 muaj negociatash. Disa grupe opozitare nuk morën pjesë. Bashkësia  e Shën Egjidit ndërhyu në vitin 2020 për të ndërmjetësuar, duke nisur të ashtuquajturën "Nisma e Romës". Më 12 janar të po këtij viti këto grupe nënshkruan Deklaratën e Romës, e cila për herë të parë i mblodhi të gjitha partitë politike të vendit në aktin e nënshkrimit të një marrëveshjeje për armëpushimin. Që atëherë, përsëri në praninë e Bashkësisë së Shën Egjidit, u zhvillua raundi i parë i negociatave, nënshkrimi i marrëveshjes politike të Juba-s, rezultat i marrëveshjes së Kiir me Machar, nënshkrim i cili i hapi rrugën një qeverie kombëtare dhe hartimit të Deklaratës Politike të Parimeve. Periudha e tranzicionit, që do ta çonte vendin në zgjedhjet e vitit 2023, u shty 24 muaj në fillim të gushtit, për shkak të mungesës së progresit themelor të shumë dispozitave të marrëveshjes, ndërsa luftimet ndërmjet milicive rivale në shtetet e Nilit të Sipërm dhe Jongleit, rifilluan në të njëjtin muaj. Nëntorin e kaluar qeveria e Juba-s dha njoftimin për "ndërprerjen e pjesëmarrjes së saj në bisedimet e paqes në Romë", duke akuzuar grupet jo-nënshkruese të opozitës sudaneze jugore për "mungesë angazhimi".

03 shkurt 2023, 17:10