Kërko

Situata në Sudanin e Jugut Situata në Sudanin e Jugut 

Sudani i Jugut: 21 të vrarë në jug të vendit

Ndeshjet ndërmjet barinjve të armatosur shkaktuan viktima të reja civile, në një vend ku përleshjet vazhdojnë. Dy të tretat e popullsisë janë në rrezik të vdesin nga uria; katër milionë, të shpërngulur dhe të emigruar

R. SH. - Vatikan

Vizita e Papës Françesku në Sudanin e Jugut si shtegtar i paqes, së bashku me kryeipeshkvin e Canterbury-t, Justin Welby dhe moderatorin e Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë, Iain Greenshields, nuk e ndali dhunën, që vazhdon ende në vend. Pardje, të paktën 21 vetë u vranë nga barinj të armatosur, gjatë një sulmi për rrëmbimin e bagëtive në qarkun Kajo-Keji në shtetin jugor të Ekuatorisë Qendrore. Luftë ndërmjet grupeve rivale, që autoritetet e dënuan "me vendosmërinë më të madhe të mundshme", duke e cilësuar sulmin "akt barbar hakmarrjeje" dhe "masakër të civilëve të pafajshëm".

Ndeshjet vazhdojnë

Edhe pse në vitet e fundit dhuna ndërmjet dy grupeve kryesore etnike, që mendohet të jenë nën ndikimin e presidentit Salva Kiir dhe Zëvendës Presidentit, Rich Machar është pakësuar që nga viti 2019 - në sajë të gjestit historik të Papës, i cili u gjunjëzua para tyre pikërisht atë vit në Vatikan, për të kërkuar paqen – ndeshjet ndërmjet grupeve më të vogla janë në rend të ditës. Shpesh mosmarrëveshjet lindin nga pretendimet për të drejtën e kullotjes së bagëtive ose për kontrollin e ujit a të burimeve të tjera.

Situatë e vështirë humanitare

Muajt ​​e fundit, Kryqi i Kuq i Jubës pati një dyndje të vazhdueshme të të plagosurve rëndë nga i gjithë vendi, shpesh të transportuar me avion drejt kryeqytetit. Vitin e kaluar Komisioni për të Drejtat e Njeriut denoncoi dhunën seksuale të përhapur, të përdorur si armë lufte nga milicitë. Përsëri sipas Kombeve të Bashkuara, pothuajse 9 milionë e gjysmë sudanezë të Jugut nga një popullsi prej 12 milionë e gjysmë kanë nevojë për ndihmë humanitare, që të mund ta vazhdojnë jetën. Ky numër është rritur me gjysmë milioni që nga viti i kaluar, si pasojë e përmbytjeve dhe thatësirave si dhe e mungesës së fondeve nga donatorët, të cilët tani po ndihmojnë Ukrainën dhe vendet e tjera në krizë.

Fazat e konfliktit

I pavarur që nga viti 2011 pas njëzet vjet lufte me Sudanin, Sudani i Jugut rifilloi luftën në vitin 2013. Statistikat na kujtojnë se deri në vitin 2018 viktimat direkte dhe indirekte të konfliktit ishin rreth 400,000, me mbi dy milionë të zhvendosur brenda vendit e po aq refugjatë në vende të tjera.  Marrëveshja e parë në 2015, ndërmjet Kiir dhe Machar dështoi, për të "rifilluar" më 2018, me integrimin e grupeve të tjera luftarake, në Deklaratën e Romës 2020, të ndërmjetësuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Përveç njohjes së Kiir si president dhe Machar si zëvendëspresident, marrëveshja parashikonte integrimin e milicive në një ushtri kombëtare dhe zgjedhjet presidenciale për vitin 2022. Emërimi elektoral u shty për dy vjet. Kjo, situata e vendit, që po viziton Papa!

04 shkurt 2023, 17:00