Më 14 dhjetor kalendari kujton Shën Gjonin e Kryqit
R.SH. - Vatikan
Shën Gjoni i Kryqit, mistiku i madh i shekullit XVI, na mëson se të ndjekësh Krishtin, nuk do të thotë të marrësh mbi supe një barrë të rëndë. Të ndjekësh Krishtin, do të thotë të ndjekësh dritën, e cila i ndriçon të gjitha ditët tona.
Shën Gjoni i Kryqit duhet të ketë lindur rreth vitit 1540 në Fontiveros, pranë Avilës, në Spanjë. Ishte ende i mitur, kur i vdiq i jati. S’ ëmës iu desh të lëvizte nga një vend në tjetrin për të fituar bukën e gojës, duke marrë kudo me vete edhe jetimin. Me gjithë kushtet tepër të vështira të jetesës. Gjoni filloi të ndjekë shkollën, por u detyrua edhe të punonte, për të lehtësuar barrën e rëndë që peshonte mbi supe të nënës. Si fitoi pjekurinë, vendosi t’ia kushtonte gjithë jetën Zotit. Për ta realizuar këtë dëshirë, në sa ishte në Medinë, vendosi të vishte zhgunin e karmelitanëve. Ishte viti 1567. Nisi kështu për të rruga e meshtarisë: më 1567, pasi kishte kryer studimet e filozofisë dhe të teologjisë në Salamankë, universitet spanjoll me famë i kohës, u shugurua meshtar.
Në të njëjtin vit u takua me Shën Terezën e Jezusit, e cila sapo kishte marrë nga eprori i përgjithshëm lejën për themelimin e dy kuvendeve të karmelitanëve kundrues, të cilët më pas u quajtën “të zbathur”, me qëllim që t’u ndihmonin rregulltareve në shtëpitë që drejtonte. Më 28 nëntor 1568 Gjoni u bë anëtar i grupit të reformatorëve të Durelos, duke e ndryshuar emrin nga Gjoni i Shën Matisë në Gjoni i Kryqit.
Kreu më pas detyra të shumta e të ndryshme: ndërmjet tjerash, qe rrëfyes e drejtues i kuvendit të Zotit të Mishëruar në Avila. Gjatë punës për reformën, u dëbua nga kuvendi. Më pas u ngarkua gabimisht me një faj që nuk e kishte bërë e kaloi tetë muaj në burg. E pikërisht kur ishte i mbyllur në burg, shkroi pjesën më të madhe të poezive të tij lirike, që u bënë shpejt pronë e thesarit të kulturës botërore, duke u radhitur ndërmjet kryeveprave më të njohura të lirikës.
Iu desh, pra, të mbarte kryqin, që u bë pjesë e pandarë e emrit të tij. E ishin pikërisht vuajtjet, që e ndihmuan të zbulonte misterin e Kryqit dhe të ecte në rrugën e kundrimit më të lartë e të jetës mistike. Etapat e kësaj jete i përshkroi në veprat e teologjisë shpirtërore, të cilën Kisha e konsideron si doktrinë të sigurtë për të gjithë besimtarët e saj.
Ja disa nga titujt: “Ngjitja në malin e Karmelit”; “Nata e errët e shpirtit”; “Këngë shpirtërore”, “Flakë e gjallë dashurie”. Ai e pa thelbin e Kishës në bashkimin e saj jetik me Krishtin, i cili është përherë i pranishëm e veprues në Kishë Gjoni i Kryqit vdiq në moshën 49 vjeçare ndërmjet 13 e 14 dhjetorit të vitit 1591 në Ubedë.
Në sa i shkruante këto tekste mistike, kryevepra të letërsisë spanjolle, Shën Gjoni ecte në rrugën e Kryqit, në rrugën e pastrimit të shpirtit, për të arritur në majën e përsosurisë së krishterë. Simbolikisht, në majën e Karmelit. Një pastrim i tillë paraqitet si shtegtim, të cilin njeriu e nis, duke bashkëpunuar me hirin hyjnor, për ta çliruar shpirtin nga çdo lidhje e çdo dashuri, që i bie ndesh vullnetit të Zotit. Për të arritur në bashkim me dashurinë e Zotit, pastrimi duhet të jetë i plotë, të nisë me jetën e shqisave e të vijojë me atë, që fitohet përmes tri virtyteve teologale: fesë, shpresës e dashurisë, të cilat pastrojnë ndjetet, kujtesën e vullnetin.
Shën Gjoni i Kryqit provoi edhe dhimbjet e papërshkrueshme të natës së shpirtit, për të cilën flet edhe mistikja jonë e madhe, Shenjtja Nënë Terezë Ganxhe Bojaxhiu. Në veprën “Nata e errët”, Shën Gjoni i Kryqit, që eci nëpër jetë duke mbartur vërtet kryqin e rëndë mbi supe, përshkuan aspektin ‘pasiv’, domethënë, veprimin e hirit të Zotit në procesin e pastrimit të shpirtit. Njeriu sado të përpiqet për ta çuar deri në fund këtë proces, është tepër i ligshtë. I vetëm, nuk mund të arrijë kurrë deri tek rrënjët e thella të prirjeve e të zakoneve të këqija njerëzore; mundet vetëm t’i frenojë, por jo t’i shkulë me gjithë rrënjë. Nga ana tjetër shpirti bëhet vërtet i pastër dhe i lirë, vetëm kur ia del mbanësh të çlirohet nga vartësia e veprimeve të parregullta.
Procesi i gjatë dhe i mundimshëm i pastrimit, kërkon, sigurisht, përpjekje vetjake, por protagonisti i vërtetë në këtë proces, është vetë Zoti: njeriu mundet vetëm t’ia hapë zemrën hirit hyjnor, pa i krijuar pengesa. Duke i jetuar virtytet teologale, lartohet e i jep vlerë impenjimit të vet. Ritmi i rritjes në fe, në shpresë e në dashuri shkon hap për hap me veprën e pastrimit e me bashkimin progresiv me Zotin, derisa njeriu arrin të shndërrohet në Të. Kur arrihet në këtë majë shpirti shkrihet me vetë jetën trinitare aq, sa ta dojë Zotin me të njëjtën dashuri, që ka Zoti për të, sepse do në Shpirtin Shenjt. Ja pra pse Shën Gjoni i Kryqit ngulmon se nuk mund të ketë bashkim të vërtetë dashurie me Zotin, në se kjo dashuri nuk arrin kulmin në bashkimin trinitar.
Përvoja e Shën Gjonit të Kryqit është model për të gjithë, e jo vetëm për pak shpirtra të zgjedhura. Në se shpirti i njeriut është përplot me dashuri, kjo dashuri i jep krahë, ia lehtëson barrën e përditshme, e ndihmon t’i përballojë më lehtë shqetësimet e jetës, sepse ia mbush shpirtin me një dritë të madhe. E kjo dritë është feja: është ndjesia e jashtëzakonshme që provon njeriu, kur kupton se Zoti e do e se është gati ta lëshojë plotësisht veten në krahët e Tij, nëpër Jezu Krishtin.