Më 15 dhjetor, kalendari kujton Shën Valerianin
R.SH. - Vatikan
Për Shenjtin dihet vetëm aq, sa shkruan për të Martiriologu romak: “Shën Valeriani ishte ipeshkëv i Avensanos, në Afrikën veriore. Në moshën tetëdhjetë vjeçare, gjatë persekutimit vandalik, nuk pranoi në asnjë mënyrë t’i dorëzonte orenditë e kishës së tij, gjë që iu kërkua me këmbëngulje nga mbreti Gjenserik. Kundërshtimi i kushtoi tepër shtrenjt.
Mbreti urdhëroi të dëbohej nga qyteti e të lihej në vetmi të plotë. Kush do ta strehonte ose do ta ndihmonte, do të pësonte të njëjtin dënim, si ipeshkvi shenjt. Mbeti, pra, në rrugë të madhe, i braktisur nga të gjithë. Por prelati nuk u pendua për qëndrimin e vet. Vijoi të jetonte për shumë kohë nën strehën e qiellit, mbi tokën e ashpër të fushave të shkreta, rreth qytetit ku kishte qenë bari shpirtërash. Arriti kështu, dalë nga dalë, në fund të jetës së tij të shenjtë, prej dëshmitari të vërtetë të fesë, që pranon të jetojë në rrugë të madhe, për të mos dredhuar rrugë.