Kërko

Shën Shtjefni, martiri Parë i krishterë Shën Shtjefni, martiri Parë i krishterë

Më 26 dhjetor Kisha kujton Shën Shtjefnin, martirin e Parë të krishterë

Rrëfimin mbi martirizimin e Shën Shtjefnit e gjejmë në ‘Veprat e Apostujve’, ku mësojmë se ai ishte thirrur për t’u shërbyer nxënësve të Krishtit e se u mbyt me gurë, në praninë e Palit të Tarsit (Saulit), para se të kthehej në fe të Krishtit

R.SH. - Vatikan

Kremtimi liturgjik i Shën Shtjefnit është caktuar gjithmonë më 26 dhjetor, menjëherë pas Krishtlindjes, sepse në ditët pas manifestimit të Birit të Zotit, u vendosën " comites Christi ", d.m.th. ata që ishin më afër udhëtimit tokësor të Jezu Krishtit dhe të parët që do ta dëshmoni atë me martirizim. 

Martir i parë, njeri plot me hir, diakoni Shtjefën punoi, foli e vdiq i frymëzuar nga Shpirti Shenjt, duke e dëshmuar dashurinë e Krishtit deri në flijimin e jetës. Realizoi, kështu, plotësisht premtimin e Jezusit, sipas të cilit besimtarët e thirrur për ta dëshmuar në rrethana të vështira e të rrezikshme, nuk do të jenë kurrë të braktisur e as të pambrojtur. Shpirti i Zotit do të flasë me ta.

Ditën kur Kisha kremton festën liturgjike të Shën Shtjefnit, martir i parë, kujton edhe numrin shumë të madh të njerëzve, që vijojnë të persekutohen në të katër anët e botës për shkak të fesë së tyre të krishterë.

Kështu më 26 dhjetor është Shën Shtjefni, martiri i parë i krishterimit, i pasuar më 27  dhjetor nga Shën Gjon Ungjilltar, i preferuari i Jezusit, autori i Ungjillit të dashurisë, më pas më 28 nga Shenjtët e Pafajshëm, fëmijët e vrarë nga Herodi me shpresën për të eliminuar edhe Foshnjën e Betlehemit; shekuj më parë, kremtimi i apostujve Shën Pjetrit e Palit, binte gjithashtu në javën pas Krishtlindjes, dhe më vonë u transferua më 29 qershor

Shtjefni, i nderuar si nga Kisha katolike, ashtu edhe ajo ortodokse, është martiri i parë i krishterimit, i pari që dha jetën për të dëshmuar fenë në Krishtin dhe për përhapjen e Ungjillit. Rrëfimin mbi martirizimin e tij e gjejmë në ‘Veprat e Apostujve’, ku mësojmë se ai ishte thirrur për t’u shërbyer nxënësve të Krishtit e se u mbyt me gurë, në praninë e Palit të Tarsit (Saulit), para se të kthehej në fe të Krishtit.

Sipas një gojëdhëne, në vitin 415 një meshtar me emrin Luçian, deklaroi se kishte gjetur trupin e shenjtit pranë Jerusalemit, pasi i qe treguar në ëndërr vendi i varrosjes. Tradita u përhap me shpejtësi në botën latine e greke, ashtu si edhe reliket e Shenjti të parë martir, shumë nga të cilat nuk kishin të bënin fare me të. Gjithsesi kjo ndikoi shumë mbi përhapjen e kultit. Historitë e ndryshme, që kanë të bëjnë me gjetjen e trupit të tij, rivarrosjen në Kostandinopojë e më pas në Romë, tregohen me hollësi në ‘Legenda Aurea (kap. CXII).

Shën Shtjefni, me shembullin e tij të jashtëzakonshëm, i kujton secilit nga ne se martirizimi i krishterë është thjeshtë akt dashurie për Hyjin e për njeriun.
U mbyt me gurë në portat e qytetit e vdiq, si Jezusi, duke iu lutur Zotit t’i falte vrasësit e tij, duke dëshmuar se është dashuria hyjnore ajo që e lidh Krishtin me martirin e tij të parë. Po ajo dashuri që e shtyu Birin e Hyjit të bëhej njeri e të bindej derisa vdiq në kryq. Po ajo dashuri – që i shtyu më pas edhe Apostujt e martirët të japin jetën për Ungjillin.

Duhet vënë gjithnjë në dukje kjo karakteristikë dalluese e martirizimit të krishterë, si akt dashurie për Hyjin e për njerëzit, duke përfshirë edhe persekutorët. Prandaj të krishterët i luten Zotit t’i mësojë për t’i dashur edhe armiqtë, sipas shembullit të Shën Shtjefnit që, duke vdekur, u lut për persekutorët e tij. Sa bij e bija të Kishës, në rrjedhë shekujsh e ndoqën hap pas hapi këtë shembull. Është një dëshmi që nis gjatë persekutimit të parë në Jerusalem e vijon me radhët e gjata të martirëve, deri në ditët tona.

Shpesh herë edhe sot nga vise të ndryshme të botës vijnë lajme që flasin për misionarë, meshtarë, ipeshkvij, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë të persekutuar, të burgosur, të torturuar, të privuar nga liria ose të penguar në ushtrimin e saj, vetëm e vetëm pse janë nxënës të Krishtit e apostuj të Ungjillit; nganjëherë njerëzit vuajnë e vdesin edhe për shkak të bashkimit me Kishën universale e të besnikërisë ndaj Papës, duke aktualizuar fitoren e dashurisë mbi urrejtjen e mbi vdekjen.

Festa e Martirit të parë të krishterimit kremtohet më 26 dhjetor, do të thotë menjëherë pas Krishtlindjes. Shën Shtjefni është Pajtor i shumë qyteteve, katedraleve e kishave nëpër botë. Vetëm në Shkodër i kushtohen dy katedrale: katedralja e Qytetit të Veriut e katedralja historike në Kështjellën Rozafa, ku çdo vit më 26 dhjetor, Mesha përkujtimore, në praninë e një numri të madh besimtarësh, kremtohet mbi rrënojat e lashta. Këto rrënoja na kujtojnë se shqiptarët luftonin nga këto ledhe kreshnike, duke shpalosur flamujt me figurën e Shenjtit Pajtor, Shtjefnit martir, në sa edhe ata vetë ishin shumë pranë martirizimit për mbrojtjen e Shqipërisë e të Evropës së krishterë. Shën Shtjefnit i kushtohen edhe një mori veprash arti, që e paraqesin duke pësuar martirizimin aq dramatik. Ndërmjet tyre njihet botërisht një nga kryeveprat e Gjotos kushtuar pikërisht Shën Shtjefinit.

26 dhjetor 2023, 09:57