Kërko

Më 27 dhjetor kalendari kujton Shën Gjonin, Apostull e Ungjilltar

Shën Gjoni Ungjilltar nuk është teorik: e takoi Jezusin, Zot të vërtetë e njeri të vërtetë, e këtë përvojë konkrete dëshiron t’ua komunikojë edhe të tjerëve. Ai është i pushtuar nga dëshira paradoksale për të bërë të dukshme të padukshmen, prandaj nuk mund të heshtë e të mos flasë për ç’ka parë e dëgjuar, edhe përballë atyre që e persekutojnë. Gjoni Apostull është dishepulli që shpalli se ‘Zoti është dashuri”

R.SH. - Vatikan

Shën Gjoni, i biri i Xebedeut, vëlla me Shën Jakun Apostull e nxënës i Shën Gjon Pagëzuesit, është ndër të parët që ndoqën Krishtin.  Shën Gjoni  është autor i Ungjillit të katërt dhe i librit të Zbulesës, dishepull i Jezusit. Ishte i pranishëm në Mundimet e Jezu Krishtit me Marinë. E me të, thotë tradita, jetoi në Efez. Këtu vdiq pas mërgimit në Patmos. Sipas Palit, Gjoni ishte një “shtyllë” e Kishës, me Pjetrin e Jakobin.

Shën Gjoni Ungjilltar qe nxënësi më i dashur i Zotit Jezus, ai që gjatë Darkës së Mbrame mbështeti kokën në kraharorin e Mësuesit. Mik i ngushtë i Jezusit, në Ungjillin e katërt nuk thirret kurrë me emër, por “Ai që Jezusi e donte”. Pajtor qiellor i skulptorëve dhe i piktorëve e i shumë viseve e fshatrave malore shqiptare, ai ishte peshkatar i varfër, me prejardhje nga Betania, ashtu si edhe dy apostujt tjerë: Pjetri e Andreu.

Gjatë jetës publike të Mësuesit, Gjoni bënte pjesë në grupin e zgjedhur të Apostujve, të pranishëm në ringjalljen e së bijës të Gjairit, që kundrojnë Krishtin e shndërruar mbi mal, që e rrethojnë në orën e agonisë në Gjetseman. Në çastin e kapjes së Jezusit edhe Gjoni ikën, por më pas, së bashku me Pjetrin, rikthehet mbrapsht dhe e ndjek Mësuesin deri në fund të fundit, deri te këmbët e kryqit, ku Krishti i lë amanet Nënën e tij.

I thirrur nga Jezusi “biri i bubullimës” Gjoni, me temperament të zjarrtë, ishte armik i kompromiseve e i lëvdatave.  Ai shkroi njërin nga ungjijtë, duke u përqendruar plotësisht tek hyjnia e Krishtit, në të cilin dha përkufizimin më të lartë të Hyjit: “Zoti është dashuri!”. E në Ungjillin e tij, ashtu si shqiponja – simboli i Gjonit – që në rrahjen e parë të krahëve, ngrihet në lartësitë marramendëse të misterit të të Shenjtnueshmes Hyjnore Trini: “Në fillim ishte Fjala, e Fjala ishte pranë Zotit, e Fjala ishte Zoti!”. Shën Gjoni shkroi edhe Librin e Apokalipsit – apo të Zbulesës, libri i fundmë i Besëlidhjes së Re.

Shën Gjoni Ungjilltar e takoi Jezusin, Zot të vërtetë e njeri të vërtetë, e këtë përvojë konkrete dëshiron t’ua komunikojë edhe të tjerëve. Ai është i pushtuar nga dëshira paradoksale për të bërë të dukshme të padukshmen, prandaj nuk mund të heshtë e të mos flasë për ç’ka parë e dëgjuar, edhe përballë atyre që e persekutojnë. Pikërisht kjo çiltërsi në dëshmimin e fesë, mbetet shembull për të gjithë ne e na kujton se duhet të jemi përherë gati për ta dëshmuar burrërisht bashkimin tonë të patundur me Krishtin, duke ia kundërvënë fenë çdo llogarie e interesi njerëzor.

Gjoni, me intuitë shkreptimtare, shpall se Zoti është dashuri, dashuri që Hyji e shprehu konkretisht në Jezusin. E Krishti nuk u mjaftua me fjalë, por kaloi nga fjalët, tek veprat, duke e paguar me kokë, impenjimin e tij, ashtu siç shkruan edhe Shën Gjoni: “Hyji e deshi aq shumë botën, dmth të gjithë neve, sa të dhuronte Birin e tij të vetëm (Gjn. 3, 16). E dashuria e Hyjit për njerëzit konkretizohet e dëftohet në dashurinë e vetë Krishtit. E Gjoni vijon të shkruajë: “Jezusi, pasi i deshi të tijtë që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit”. … Ja deri ku arriti dashuria e Jezusit për ne: deri në derdhjen e gjakut të vet për shëlbimin tonë! I krishteri, duke kundruar këtë provë të dashurisë, nuk mund të mos e pyesë veten se si duhet t’i përgjigjet. Gjoni flet për urdhërimin e ri të Jezusit: ‘Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë. Shën Gjoni apostull e ungjilltar vdiq në Efez në vitin 101.

27 dhjetor 2023, 12:32