Kërko

Ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim Ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim

Ambasadorja e Kosovës në “La Repubblica”: bëjmë pjesë në botën, që sheh përpara

Në një koment për editorialin “Tani Putini hap frontin ballkanik”, botuar në gazetën italiane “La Repubblica” të datës 3 dhjetor, ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, tregon qëndrimin e Prishtinës ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s. “Pas ideologjive dhe konflikteve të ushqyera me mjeshtëri nga politika... qëndron një botë, që shikon përpara dhe beson në progres, në punë dhe, rrjedhimisht, në stabilitet dhe paqe. Kosova i përket plotësisht kësaj bote”, nënvizon ambasadorja

R.SH. - Vatikan

 Kosova sqaron qëndrimin e saj në rrugën e integrimit në institucionet ndërkombëtare, para përpjekjeve ruse për të shfrytëzuar pansllavizmin e për të hapur një front në Ballkan, që mund ta ndihmojë presidentin Putin në luftën e tij agresive kundër Ukrainës. E bën këtë përmes Ambasadores së Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, e cila komenton editorialin e datës 3 dhjetor, botuar në gazetën italiane “La Repubblica”, me titull “Tani Putin hap frontin ballkanik”. Në atë artikull, hidhej hipoteza se, duke investuar në pansllavizmin ortodoks, Rusia synon një “luftë hibride” kundër Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për të destabilizuar si njërin, ashtu edhe tjetrin. Në bazë, vëren Ambasadorja Haxhitasim në përgjigjen e saj, titulluar “Kosova, bota që sheh përpara”, është e njëjta ideologji me atë, që në vitet ’90, çoi në luftërat jugosllave, në përpjekjen për gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë, me pasojë ndërhyrjen e NATO-s, përfshirë Italinë.

“Për fat të keq – vëren ambasadorja - duket se plani për të ngadalësuar rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian nuk është braktisur”. Pena e saj përshkruan më pas mendësinë evropiane dha hapat e bëra nga Prishtina për të dëshmuar qartë e pa mëdyshje dëshirën për të ecur drejt integrimit të plotë në institucionet ndërkombëtare. Natyrisht, e bën këtë me gjuhën diplomatike, e cila, pranon ajo vetë, “nuk është shumë e përshtatshme për analiza të sinqerta” si ato, që mund të shkruhen në një gazetë.

Ambasadorja e Kosovës përshkruan me pasion jetën e të rinjve vendas, që “nuk njohin kufij kur bëhet fjalë për realizimin e aspiratave të tyre, kjo falë edhe teknologjive të reja dhe aftësive të tyre në sektorin ICT. Fakti që shumica prej tyre janë diplomuar dhe flasin shumë gjuhë, si dhe afërsia gjeografike e Kosovës me vendet e tjera evropiane, janë ndër faktorët që kanë shtyrë kompanitë e shumta ndërkombëtare të zgjerojnë biznesin e tyre në vendin tonë”. Zonja Haxhitasim vë në dukje mbulimin me internet të 100% të territorit të Kosovës, investimet e kompanive të shumta të huaja dhe lehtësirat, që u janë krijuar atyre për taksat. Kujton se këto dhe të tjera u paraqitën në Romë, në maj, në veprimtarinë “Kosova Country Presentation”, në kuadër të Forumit të ardhshëm të Biznesit, shpallur nga Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, i cili do duhet të mbahet në Prishtinë me pjesëmarrjen e kompanive dhe të sipërmarrësve italianë.

Politika e jashtme e Kosovës, vijon Ambasadorja Lendita Haxhitasim, është në linjë me atë euroatlantike. “Ne jemi bashkuar me të gjitha sanksionet kundër Rusisë në përgjigje të luftës së agresionit kundër Ukrainës. Për më tepër, indeksi i lirisë së shtypit në Kosovë është ndër më të lartët në rajon dhe ne marrim pjesë në programin e mbrojtjes profesionale të gazetarëve rezidentë, themeluar nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias e zbatuar nga Shoqata e Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen financiare të Qeverisë. Program në të cilin marrin pjesë mbi 20 gazetarë ukrainas dhe afganë të cilët i mirëpresim në vendin tonë”.

Ambasadroja Haxhitasim përmend me kënaqësi faktin se “nga janari i vitit 2024, më në fund qytetarët kosovarë do të mund të udhëtojnë pa viza në gjithë Evropën”, pa harruar se pritja ka qenë e dhimbshme. Më pas, thekson lidhjet shekullore ndërmjet Italisë dhe Kosovës, 38 mijë emigrantët e kësaj të fundit, që punojnë në shtetin mik italian, si edhe marrëveshjet e fundit ndërmjet Prishtinës e Romës, që shpresohet të nënshkruhen së shpejti.

Duke iu refuar sërish përpjekjes së Rusisë për të shfrytëzuar në favor të vetin pansllavizmin në Ballkan, ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim e përfundon komentin e saj me fjalët kuptimplote: “Pas ideologjive dhe konflikteve të ushqyera me mjeshtëri nga politika, pas projekteve të lashta të hegjemonisë që rikthejnë mbrapa akrepat e historisë, qëndron një botë që shikon përpara dhe beson në progres, në punë dhe, rrjedhimisht, në stabilitet dhe paqe. Kosova i përket plotësisht kësaj bote”.

15 dhjetor 2023, 13:24