Kërko

2023.12.02 COP28 - Cardinale Parolin discorso 2023.12.02 COP28 - Cardinale Parolin discorso

Dubai, nga Cop28 nevoja e kthimit në multilateralizëm për të shpëtuar tokën

Mirëpriten ngrohtë në Samitin e Klimës fjalët e Papës Françesku, të lexuara nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, i cili kryeson delegacionin e Vatikanit në Emiratet e Bashkuara Arabe. Nesër, 3 dhjetor, përurohet Pavioni i Fesë, realitet që simbolizon angazhimin e feve në nxitjen dhe mbështetjen e masave të nevojshme për të luftuar krizën globale klimatike

R.SH. / Vatikan

Nuk është vetëm asambleja plenare e mbi 150 krerëve të shteteve dhe qeverive të mbledhura në Dubai, që kërkon zgjidhje konkrete dhe qëndrime të përbashkëta në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Zona Blu e Expo City në Dubai, e cila priti samitin tre-ditor të nivelit të lartë, është përplot me takime jozyrtare, takime dypalëshe, takime të përzemërta ndërmjet delegatëve nga vende të ndryshme... Pikërisht në këtë kuadër lëviz delegacioni zyrtar i Selisë së Shenjtë dhe misioni i nivelit të lartë i Sekretarit Kardinal të Shtetit, Pietro Parolin. Një axhendë shumë e plotë takimesh, ajo e kardinalit, që të kujton vëmendjen e përbashkët për fjalët dhe thirrjet e Papës Françesku lidhur me urgjencën e një "kthese të vërtetë klimatike".

Fjalët e Françeskut në Cop28

Takimi i parë zyrtar i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit ishte mëngjesin e sotëm, 2 dhjetor, në asamblenë plenare, kur ai lexoi fjalimin që Papa Françesku, i pamundur për të marrë pjesë për arsye shëndetësore, do të kishte dashur ta mbante. Çast i shumëpritur nga pjesëmarrësit e COP28 dhe i dëshiruar fort nga presidenca e Emirateve të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike. Në atmosferën e përfshirjes dhe të kënaqësisë së madhe për konkretësinë me të cilën po vijon puna, liderët botërorë  dalin me radhë para mikrofonit duke nënvizuar angazhimet e marra në favor të Fondit për humbjet dhe dëmet, të cilat u bënë realitet pas të enjtes, ditë e parë e punës.

Ndërgjegjësimi për krizën klimatike

Një nga problemet kryesore të përbashkëta, që u ndoqën gjatë ndërhyrjeve të krerëve të shteteve dhe qeverive, ishte ndërgjegjësimi i plotë për rëndimin e krizës së mjedisit në vazhdim dhe nevoja për të nisur ndërhyrje gjithnjë e më konkrete që të mund të ndalet rritja e ngrohjes globale. Një situatë krize e cila, siç dihet, prek realitetet më të brishta ekonomikisht, kryesisht ato me ndikimin më të vogël në ndotjen globale. I zakonshëm është gjithashtu vizioni i krizës klimatike, parë si element i një skenari gjeopolitik shqetësues, i cili ka të bëjë si me konfliktet e vazhdueshme, ashtu edhe me cenimin e sistemit të të drejtave të njeriut.

Rruga shumëpalëshe

Siç u nënvizua fuqishëm në fjalimin e Papës Françesku, e vetmja rrugëdalje kriza, që rrezikon ta çojë botën në katastrofë, është ajo shumëpalëshe si dhe ndërtimi i një sistemi të vërtetë kulturor që respekton Krijimin dhe njeriun. Një aspekt shumëpalësh i bllokuar shpesh nga vendet që ndjekin interesat e tyre pa u shqetësuar për të mirën e përbashkët. “Nuk kanë faj të varfërit - shkruan Papa - dhe as mbipopullimi”.

Ditë feste për Emiratet e Bashkuara Arabe

Dita kryesore e samitit Cop28 u zhvillua në ditën e Festës kombëtare për Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat arritën të organizojnë ngjarjen e madhe të OKB-së duke pritur dhe mirëpritur pothuajse 100 mijë pjesëmarrës e duke e përshtatur në mënyrë të përkryer lagjen e re të gjelbër të Dubait, Expo City. Në mbrëmje, në fund të punimeve, do të zhvillohen kremtimet zyrtare të Ditës së Konfederatës së Emirateve, në të cilën do të marrin pjesë shumë drejtues të pranishëm në COP, përfshirë kardinalin Pietro Parolin.

Nesër, e diel 3 dhjetor, përurimi i Pavijonit të Fesë, realitet që simbolizon angazhimin e feve në promovimin dhe mbështetjen e masave të nevojshme për të luftuar krizën klimatike globale.

02 dhjetor 2023, 15:13