Kërko

La chiesa cattolica della Sacra Famiglia a Gaza La chiesa cattolica della Sacra Famiglia a Gaza

Gaza, ushtria izraelite sulmon famullinë e Familjes së Shenjtë. Dy viktima

Ushtarët hynë në kompleksin katolik dhe qëlluan mbi njerëzit, që dilnin nga Kisha. Viktimat ishin një grua e moshuar dhe vajza e saj, të dala nga ndërtesa për t’u dhënë ndihmë të kërcënuarve. Izraeli e justifikon sulmin, ende në vazhdim, duke folur për praninë e një raketahedhëseje në famulli

R.SH. / Vatikan

Izraelitët hapën zjarr kundër të krishterëve në Gaza. Pas bombardimeve të rënda dramatike të mbrëmshme në zonën përreth famullisë latine të Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës, me dhjetëra të vdekur, në këto orë të krishterët duhet të jenë nën zjarrin e snajperëve izraelitë.

Nga lajmet e mbërritura, të konfirmuara nga Patriarku Latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, dy gra, me siguri nënë e bijë, mbetën të vrara, e dyta u vra teksa përpiqej të ndihmonte nënën e saj të moshuar, goditur nga gjuajtësit. Mbetën edhe pesë të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje shumë të rëndë.

Sulmi, ende në vazhdim, u justifikua nga izraelitët, të cilët flasin për praninë e një raketahedhëseje në famulli. Me gjithë ndërhyrjen e patriarkanës, operacioni nuk u ndalua. Thuhet se ushtarët izraelitë, pasi gjendeshin në sheshin e vetë famullisë, hynë në kompleksin katolik e nisën të qëllonin mbi civilët e strehuar në ndërtesë.

Informacionet fragmentare dhe emocionuese që vijnë nga Familja e Shenjtë flasin për “çaste paniku” dhe frike të pabesueshme sidomos “ndërmjet fëmijëve dhe të moshuarve”. Brenda kompleksit numërohen rreth 600 refugjatë që gjetën strehë atje për të paktën dy muaj. “Të gjithë janë për tokë nga frika se mos goditen” – këto, fjalët e pakta që deri tani   arritën të dalin përtej mureve të godinës.

Gjatë natës, e shtëna nga një tank ia plagosi këmbët një gruaje, ndërsa dy vetë të tjerë u goditën lehtë. U shpërthye edhe gjeneratori elektrik i shtëpisë së murgeshave të Nënë Terezës të cilat, pavarësisht nga vështirësitë, vazhdojnë të kujdesen për rreth pesëdhjetë fëmijë me aftësi të kufizuara, tashmë të shpërngulur, pasi një pjesë e objektit është e papërdorshme.

Mediat palestineze më pas flasin për bombardime intensive izraelite në të gjithë Rripin, me një bilanc prej 14 viktimash, që u shtohen 18,800 të vdekurve, të kujtuar nga Hamasi që nga 7 tetori.

16 dhjetor 2023, 16:33